LAJMET E MBRËMJES

Gjashtë rekomandimet e “D+” për Ligjin e ri për prokurim publik

Të martën është prezantuar raporti “Lista e Zezë si mjet për parandalimin e keqpërdorimeve në prokurim publik”, gjatë të cilit aktivitet, hulumtues të organizatës “Democracy Plus” theksuan një numër problemesh që e karakterizojnë prokurimin, si dhe prezantuan edhe gjashtë rekomandime në lidhje me masat që duhet aplikuar ndaj kompanive të papërgjegjshme.

Organizata “Democracy Plus” ka publikuar të martën një raport me gjashtë rekomandime, nëpërmjet të cilave kërkohet që Ligji i ri i prokurimit publik të përmbajë dispozita më konkrete që sanksionojnë kompanitë e papërgjegjshme, të cilat fitojnë kontrata publike.

Gjatë prezantimit të raportit “Lista e Zezë si mjet për parandalimin e keqpërdorimeve në prokurim publik”, hulumtuesi Ardit Dragusha tha se ligji i tanishëm nuk u jep zgjidhje disa problemeve që lidhen me bizneset e përfshira në këtë listë.

“Një nga problemet kryesore është shfaqur gjatë analizimit të bazës ligjore të “Listës së Zezë”. Është gjuha e përdorur në nenin 99 të Ligjit për Prokurim Publik, ku nuk dihet qartë nëse diskualifikimi vlen vetëm për aktivitetet e prokurimit të cilat fillojnë pas marrjes së këtij vendimi apo vlen edhe për aktivitetet e prokurimit që veçse kanë nisur para marrjes së vendimit”, ka thënë Ardit Dragusha, hulumtues në D+.

Në “Listën e Zezë”, Organi Shqyrtues i Prokurimit përfshin kompanitë, të cilave ua ndalon pjesëmarrjen në aktivitete të prokurimit, pasi konstatohet se ato kanë falsifikuar ose kanë prezantuar dokumente të rreme gjatë ofertave në tenderët publikë.

Në raport, “Democracy Plus” ka rekomanduar që ligji i ri të saktësojë se “Lista e Zezë” përjashton kompanitë nga lidhja e çfarëdo kontrate publike apo vetëm nga pjesëmarrja në aktivitetet e ardhshme të prokurimit.

Një tjetër rekomandim kërkon që në ligj të përfshihet edhe mundësia e diskualifikimit të përhershëm për ato kompani që në vazhdimësi shkelin rregullat e prokurimit publik.

“Duhet që sa më shpejt të bëhet ndërlidhja e platformave elektronike të OSHP-së dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në mënyrë që operatorë ekonomikë që janë në listë të zezë të diskualifikohen automatikisht nga pjesëmarrja në këto aktivitete. Po ashtu, OSHP-së duhet t’i mundësohet që përmes detyrës zyrtare të bëjë diskualifikimin e operatorëve ekonomikë, edhe nëse një çështje e tillë nuk është pretendim ankimor”, ka thënë hulumtuesja në “Democracy Plus”, Egzona Kozhani.

Hulumtuesit e organizatës “Democracy Plus” shprehën vërejtje edhe për disa vendime të nxjerra nga OSHP-ja, në të cilat, sipas tyre, aplikohen standarde të dyfishta.