Botë

Rrugëtimi 13-vjetësh në kërkim të gazetarit amerikan të rrëmbyer në Siri

Austin Tice

“Amerikanët kaluan me veturë këtu”, tha roja e ushtrisë siriane, duke treguar një rrugë pas tij. 

“Nuk e di se ku shkuan, s’më lejohet të shkoj atje”.

Rruga e barrikaduar të çon në një labirint objektesh ushtarake në shpatet shkëmbore të malit Qasioun në periferi të kryeqytetit sirian, Damask. Ishte pjesa më e afërt ku ekipi i CNN-it mundi të arrinte në vendet e kontrolluara nga një ekip i udhëhequr nga FBI-ja, që kishte ardhur aty në shtator duke kërkuar gjurmë të gazetarit amerikan Austin Tice - më shumë se një dekadë pasi ai ishte zhdukur.

Ekipi amerikan ishte i vështirë për t’u dalluar, duke mbërritur në një konvoj automjetesh të blinduara. Objektivi i tyre ishte i dyfishtë: të kërkonin vendin ku besohej se Tice ishte mbajtur për herë të fundit dhe, nëse ishte e mundur, t’i gjenin eshtrat e tij.

Kërkimi i SHBA-së u përqendrua në një objekt të quajtur Qendra Siriane e Studimeve dhe Kërkimeve Shkencore. Ai zgjati më pak se tri ditë. Më 9 shtator, Izraeli nisi sulmin e tij shpërthyes ndaj Katarit dhe delegacioni u largua papritur.

Informacioni që çoi në kërkimin e SHBA-së erdhi nga disa dëshmitarë, përfshirë Bassam Al-Hassan, një këshilltar i fuqishëm i ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe njeriu që mbajti Tice pas kapjes së tij në mesin e gushtit 2012.

Për 13 vjet, misteri i asaj që i ndodhi Austin Tice ka munduar shumë administrata amerikane. Pastaj, pas rënies së regjimit të Asadit në dhjetor 2024, filluan të dilnin dëshmitarë. Pasi iku në Iran, Al-Hassan shkoi në Bejrut, Liban në prill, ku u mor në pyetje nga hetuesit e FBI-së, së bashku me disa bashkëpunëtorë, në lidhje me kapjen e Tice.

Në shtator, CNN-i arriti të gjurmonte apartamentin ku jetonte Al-Hassan në Bejrut. Pasi trokitën në derën e tij, ekipi u prezantua si gazetarë të CNN-it. Gjatë një bisede 20-minutëshe, hera e parë që ai është përballur me një gazetar Al-Hassan i tha CNN-it se Assadi kishte urdhëruar ekzekutimin e Tice.

“Sigurisht, Austin është i vdekur”, ka thënë ai, teksa komentet e tij u xhiruan nga kamerat e fshehta të ekipit. Ai pohoi me kokë kur u pyet nëse Tice u vra në vitin 2013, duke thënë se ia kishte kaluar urdhrin e ekzekutimit një vartësi. 

“Nuk dua ta mbroj Bashar al-Asadin, sepse ai na braktisi dhe na la”, ka thënë Al-Hassan. 

“Nuk dua ta mbroj Rusinë apo Iranin, sepse SHBA-ja mendon se Rusia dhe Irani kanë të bëjnë me këtë çështje. Dhe mund t’ju siguroj se kjo nuk është e vërtetë. Kjo ka të bëjë vetëm me presidentin Bashar.

Asadi ka ikur në Rusi pas rënies së regjimit të tij dhe përpjekjet e CNN-it për ta kontaktuar atë kanë dështuar.

Al-Hassan pretendon se ia kaloi urdhrin e ekzekutimit një vartësi në milicinë famëkeqe pro-qeveritare të mbështetur nga Irani, Forcat e Mbrojtjes Kombëtare (NDF). CNN-i ka mësuar se burri në fjalë tani është në Rusi. Përmes një ndërmjetësi, ai refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të mediumit.

Disa burime kanë thënë se ka boshllëqe në historinë e Al-Hassan. CNN-i ka konfirmuar se ai kishte dështuar në një test poligrafi që i ishte dhënë nga FBI-ja.

E vërteta është e ngatërruar në një rrjet gënjeshtrash që mbeten trashëgimia e qëndrueshme e një regjimi që vrau dhe zhduku qindra mijëra njerëz të vet. Për të kuptuar se çfarë i ndodhi Tice, CNN-i ka folur me dhjetëra zyrtarë të mëparshëm dhe aktualë, hetues dhe dëshmitarë okularë në shtatë vende të ndryshme. Shumë folën vetëm në kushte anonimiteti.

Rrëfimet që ata ofrojnë sugjerojnë fuqimisht se Tice u vra më shumë se një dekadë më parë, por nuk ka prova të forta. Qëkur regjimi i Asadit ra vitin e kaluar, qeveria e re siriane ka qenë e etur të krijojë marrëdhënie të mira me SHBA-në dhe ka punuar ngushtë me zyrtarët amerikanë për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes “Tice”. FBI-ja ka intensifikuar hetimet e veta, duke mbledhur prova në terren.

Qëkur Tice ishte zhdukur, në vitin 2012, familja e tij nuk është lëkundur nga besimi se ai është ende gjallë. Nëna e tij, Debra Tice, ka zhvilluar një fushatë publike të palodhur në emër të djalit të saj, duke lobuar për ta kthyer atë gjallë. Në fillim të këtij viti, jo shumë kohë pasi regjimi i Asadit ka rënë, Debra udhëtoi për në Damask për ta kërkuar atë dhe ishte takuar me presidentin e ri të Sirisë, Ahmed Al-Sharaa. Ajo më parë e ka cilësuar Al-Hassanin si një “gënjeshtar patologjik”.

“Austin Tice është gjallë. Ne mezi presim ta shohim të lirohet”, ka thënë familja Tice për CNN-in.

Robëria

Tice, një ish-oficer i Korpusit të Marinës Amerikane, raportonte nga Siria gjatë verës së vitit 2012, kur protestat kundër Asadit ishin shndërruar në një luftë të armatosur. Ai ishte bashkuar me rebelët në vijën e parë të frontit dhe dokumentonte shtypjen brutale të protestave paqësore nga regjimi. Veprimet e tij të guximshme i siguruan atij qasje në mediat kryesore amerikane, përfshirë Washington Post dhe McClatchy.

Ai paraqiti raportin e tij të fundit nga Darayya, një periferi e Damaskut që ende mban gjurmët e viteve të luftimeve dhe bombardimeve. Familja dhe redaktorët e tij thanë se humbën kontaktin me të në mesin e gushtit, kur ai duhej të udhëtonte për në Liban për një pushim.

Për 13 vjet, qeveria siriane vazhdimisht mohoi mbajtjen e Tice ose se kishte ndonjë dijeni për vendndodhjen e tij, pavarësisht presionit nga qeveria amerikane dhe familja e tij. Javë pasi Assadi iku nga Siria në Rusi, filluan të shfaqen çarje në këtë histori. Në fillim të këtij viti, një ish-oficer i degës së inteligjencës së jashtme të Sirisë, gjenerali Safëan Bahloul, dha dëshmi për Al Jazeera, duke thënë se e kishte marrë në pyetje Tice në vitin 2012 me urdhër të Al-Hassan.

Bahloul pranoi të fliste për CNN-in vetëm pasi siguroi leje nga qeveria e re në Damask. Gjatë një interviste të gjerë në shtator, Bahloul diskutoi se si u njoftua me Tice.

“Shkova në zyrën e (Al-Hassan) dhe ai më tha: ‘Kemi kapur një gazetar amerikan. Duam që ta marrësh në pyetje dhe të shohësh mundësinë nëse ai është thjesht gazetar apo nëse është spiun’”, ka sqaruar Bahloul.

Bahloul, i cili ka kaluar kohë në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe flet rrjedhshëm anglisht, ka thënë se e kishte marrë në pyetje Ticen tri herë. 

“Ai ishte bashkëpunues. Më tha se është një ish-oficer i Marinës. Nuk ishte i pavendosur. Ishte mjaft i guximshëm për t’u përballur me paraburgimin e tij”.

Tice u mbajt në një kompleks të Gardës Republikane që shpesh quhet “Tahoune”, nën komandën e Ghassan Nassour, një oficer i lartë që i raportonte Al-Hassan. Vija ndarëse midis Gardës Republikane dhe Forcave të Mbrojtjes Kombëtare (NDF) shpesh ishte e paqartë pasi oficerët shërbenin në të dyja, përfshirë Nassour. CNN-i ka arritur ta kontaktonte Nassourin në telefon në shtëpinë e tij të re në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ky nuk ishte një burg formal, por një qendër e shkurtër paraburgimi për ushtarët që kishin kryer shkelje”, ka thënë ai.

Kur CNN-i kishte vizituar kompleksin në shtator, ai ishte kryesisht i rinovuar dhe i përdorur nga ushtarët e qeverisë së re. Muralet e zbehura të Assadit, municionet e hedhura dhe hekurat në dritaret e disa dhomave, ishin të vetmet gjurmë të mbetura nga garda e vjetër.

Nassour, ushtari që ishte caktuar të sillte ushqim te Tice, ka thënë se ishte udhëzuar të mos fliste me të. Kombësia dhe identiteti i Tice, pretendon Nassour, ishin të njohura vetëm për një grusht njerëzish të afërt me Al-Hassan, zyra e të cilit ishte përballë Tahoune.

“Pyet çdo ushtar në Tahoune dhe ai do të të thotë se e dinin se kishim një (të burgosur) të rëndësishëm, por askush nuk e dinte se kush ishte ai”, ka thënë për CNN-in në telefon nga fshati i tij në Latakia një ushtar me gradë të ulët që punonte në zyrën e Al-Hassan në atë kohë. Ai tha se e kuptoi se ishte Tice vetëm kur u raportuan detajet e robërisë së tij në vitin 2025. 

Shenja jete

Nassour ka kujtuar ditën kur e çuan Tice në Rakhla, një zonë malore pranë kufirit libanez, për të filmuar një video që u publikua në shtator 2012.

Nën drejtimin e Al-Hassan, ushtarët e regjimit u veshën si xhihadistë dhe e çuan Tice-in me sy të lidhur lart në një kodër ndërsa brohorisnin “Zoti është i Madh”, tha Nassour. Qëllimi, shtoi ai, ishte të jepej përshtypja se Tice mbahej nga ekstremistët dhe jo nga regjimi i Asadit.

“Videoja u postua në internet të nesërmen dhe dukej sikur Tice po mbahej nga talebanët në Afganistan dhe të mos kishte hyrë kurrë në Siri”, ka thënë Nassour. Tice u pa në videon 46-sekondëshe duke u lutur me fjalët: “Oh, Jezus”.

Zyrtarët amerikanë dhe analistët e pavarur përcaktuan shpejt se videoja ishte një hile. Hetuesit amerikanë ndoqën grimcat digjitale deri te regjimi sirian. U evidentuan si provë se Tice ishte në duart e qeverisë dhe se ai ishte i gjallë. 

Në Tahoune, diku në fund të tetorit, Tice i kishte kërkuar Bahloul sapun dhe një peshqir, të cilin Bahloul tha se Tice e kishte përdorur për t’u arratisur. Hetuesit sirianë në atë kohë, shpjegonte Bahloul, përcaktuan se Tice përdori sapunin për të kaluar nëpër dritaren e lartë dhe peshqirin për të kërcyer mbi xhamin e thyer në majë të murit të jashtëm të kompleksit.

Një ushtar në ekipin e Al-Hassan ka përshkruar kaosin që pasoi. 

“Ne ishim në gjendje gatishmërie. Kishte kaos, sepse dikush ishte arratisur nga burgu”, ka thënë ai për CNN. “Ata e shpërndanë fotografinë e tij në pikat e kontrollit pranë kompleksit”.

Tice kishte arritur në lagjen luksoze Mazzeh, më shumë se një kilometër larg Tahoune. Për më shumë se 24 orë ai ishte në arrati në një zonë të mbushur me ambasada dhe shtëpitë e disa prej gjeneralëve më të lartë të regjimit.

“Çdo aparat sigurie në Damask, mijëra operativë, filluan kërkimin dhe ai u kap nga njëri prej tyre dhe iu dorëzua milicisë së Forcave të Mbrojtjes Kombëtare, e cila në atë kohë drejtohej nga Bassam Al-Hassan”, ka thënë Bahloul.

Sapo Tice ishte rikapur, Bahloul kishte shkuar edhe një herë për ta parë.

“Ndjeva se lidhja midis meje dhe tij ishte humbur. Po flisja me të dhe ai nuk po përgjigjej. Ai ishte, në njëfarë mënyre, i dëshpëruar. Nuk e pashë më kurrë atë djalë”, ka thënë Bahloul.

Këtë herë, Tice ishte dërguar në zyrën e Al-Hassanit përballë rrugës nga Tahoune. Prej andej, gjurmët ishin zhdukur, sipas shumë komandantëve të inteligjencës siriane dhe NDF-së.

Bahloul i ka thënë CNN-it për Tice se ishte një nga rastet më misterioze që ka përjetuar ndonjëherë.
Personi që e di çelësin e misterit është Al-Hassan.

Bassam Al-Hassan

Al-Hassan kishte shërbyer si këshilltar i Assadit dhe kishte krijuar milicinë famëkeqe NDF, e përfshirë në disa nga krimet më të këqija gjatë luftës civile në Siri. Ai është sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja në vitin 2011 dhe nga SHBA-ja në vitin 2014. Sanksionet e SHBA-së shënojnë rolet e tij të shumëfishta në regjim, duke përfshirë “veprimin si përfaqësues presidencial sirian në Qendrën e Studimeve dhe Kërkimeve Shkencore të Sirisë (SSRC), e cila është agjencia qeveritare përgjegjëse për zhvillimin dhe prodhimin e armëve dhe raketave jokonvencionale”.

Në vitin 2023, prokurorët francezë lëshuan një urdhërarrest për Al-Hassanin, Assadin dhe të tjerë për bashkëpunim në krime lufte, për përdorimin e armëve kimike kundër civilëve në gusht 2013. Dy sulmet e përmendura në këtë rast vranë më shumë se 1,000 njerëz në periferi të Damaskut, Douma dhe Guta Lindore. 

Al-Hassan ka refuzuar të flasë me gazetarët dhe të vetmet fotografi të tij në internet ishin të pasakta ose shumë të vjetra. Në shtator, CNN-i siguroi një fotografi të tij të kohëve të fundit dhe një informacion se ku fshihej ai - një kompleks apartamentesh luksoze në periferi të Bejrutit.

Një ekip nga CNN- ka kaluar një mbrëmje duke vëzhguar ndërtesat. Një ballkon dhe një burrë në veçanti dukeshin se përputheshin me foton. Të nesërmen në mëngjes, CNN-i ka trokitur në derën e tij dhe e ka pyetur për Tice. Ai i ftoi brenda sapo dëgjoi emrin e Tice.

Gjatë bisedës, Al-Hassan u duk i tronditur që CNN-i e kishte gjetur dhe pyeti vazhdimisht se kush u tregoi se ku jetonte. Ai i ka shpjeguar CNN-it se kohët e fundit i kishte thënë një ekipi nga FBI-ja se e kishte mbajtur Tice kur Al-Assad i kishte dhënë urdhrin për ta ekzekutuar. Sipas burimeve të shumta me dijeni të marrjes në pyetje, Al-Hassan gjithashtu pretendoi se u përpoq të kundërshtonte urdhrin e Assadit, porse presidenti i atëhershëm ishte i vendosur.

Shumë sirianë që e njohin Al-Hassanin kundërshtuan mundësinë që ai të sfidonte Assadin.

“Mund të thoni çfarë të doni për Bassam, por ai nuk është djali i guximshëm”, ka thënë Bahloul. 
Pas rënies së regjimit, qeveria amerikane kishte ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacion mbi Tice. 

Burimet e përshkruan gjithashtu Al-Hassanin si dinak, makiavelist dhe jo si dikë që duhet besuar.

Prapa skenave

Si Nassour ashtu edhe Bahloul i kanë thënë CNN-it se kur Tice ishte kapur për herë të parë, Assadi e pa atë si një kartë të vlefshme për t’u përdorur në negociatat e mëvonshme me SHBA-në.

“Asadi e dinte për Ticen dhe e dinte se mund ta përdorte në negociata. Do të ishte jashtëzakonisht budallallëk ta vriste atë… të lëshonte një kartë fituese nga dora”, ka thënë Nassour.

Të tjerë me të cilët ka folur CNN-i mendonin se ishte e besueshme që Assadi do të urdhëronte ekzekutimin e Tice, veçanërisht pas arratisjes së tij.

Gjatë 13 vjetëve të fundit, administrata të shumta amerikane i bënë disa oferta qeverisë së Assadit në këmbim të lirimit të Tice. Negociatorët sirianë ishin të palëkundur në mohimin e tyre, edhe kur amerikanët kërkuan vetëm një provë se ai jetonte.

Një ndërmjetës që ka negociuar lirimin e shumë pengjeve perëndimore në të gjithë rajonin, Ibrahim, punoi në rastin e Tice në të gjitha administratat amerikane, duke filluar nga ajo e presidentit Barack Obama deri në daljen e tij në pension në vitin 2023.

“Amerikanët ishin shumë të interesuar në këtë rast dhe ishin të gatshëm të paguanin çdo çmim për ta rimarrë (Ticen)”, ka thënë Ibrahim.

“Regjimi në Siri kishte një mundësi të madhe për të shpëtuar veten (me) Austin, por ata nuk e luajtën këtë kartë, sepse ndoshta nuk e kanë më këtë kartë”, ka thënë ai.

Drejtësi e pakapshme

Gjatë vizitës së CNN-it në zyrën e Tahoune dhe Bassam Al-Hassan përballë rrugës ishte e qartë se gjurmët e asaj që ndodhi atje 13 vjet më parë ishte zhdukur.

Në muajt pasi burgjet e Asadit u hapën vitin e kaluar, shpresa për të gjetur Tice dhe dhjetëra mijëra sirianë të zhdukur filloi të venitej. Ata që nuk kishin dalë u konsideruan të vdekur. Shumë nga familjet e tyre refuzojnë ta pranojnë zyrtarisht këtë derisa të gjenden eshtrat. Ata ende shpresojnë se e vërteta, e varrosur në varre sekrete dhe e fshehur në miliona dokumente të vjetra qeveritare, mund të japë një zgjidhje një ditë.

Për familjen Tice, kërkimi për Austin vazhdon.

Vetëm te dera, teksa ekipi i CNN-it po largohej, u dëgjua zëri i Al-Hassan duke thënë se i detyrohej nënës së Tices një falje.

Tice mund të mbahet mend thjesht si një tjetër viktimë e gënjeshtrave të pafundme dhe mizorisë së pakuptimtë të një regjimi të pamëshirshëm.