Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Lista e zezë në prokurimin publik: Jo edhe aq e zezë

Prokurimi publik luan një rol të rëndësishëm në formësimin e ekonomive dhe sigurimin e shpenzimeve të parasë publike në mënyrë efikase me qëllim të përmbushjes së interesit publik. Megjithatë, rastet e keqpërdorimeve dhe korrupsionit në prokurimin publike mbesin një sfidë e vazhdueshme në Kosovë. Për ta luftuar këtë çështje, një nga mjetet më efektive të parandalimit që është e rregulluar me legjislacionin në fuqi është skualifikimi i operatorëve ekonomikë (që falsifikojnë apo dërgojnë të dhëna të rreme) për të marrë pjesë në proceset e prokurimit publik për një periudhë të caktuar. Bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) i është dhënë kompetenca që të krijojë një “Listë të zezë” të personave dhe operatorëve ekonomikë të cilët kanë edhe ndalesa për të aplikuar dhe fituar një tender publik. Megjithatë, problemi shfaqet edhe tek vetë ligji pasi që OSHP-ja nuk mund të shqyrtojë apo diskualifikojë operatorët ekonomikë nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit publik sipas detyrës zyrtare, pa pasur kërkesë nga ana e institucionit publik/autoriteti kontraktues.

Sa efektive është Lista e zezë? Bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, OSHP ka autoritetin që të vendosë një operator ekonomik në Listën e zezë dhe për një (1) vit ta përjashtojë atë nga pjesëmarrja në çfarëdo procesi të prokurimit publik. Edhe pse ky mjet parandalues ekziston, ndalesa e tillë nuk është treguar edhe aq efikase në praktikë.

Duke filluar prej kornizës ligjore, ekzistojnë mangësi të mëdha në Ligjin për Prokurimin Publik që përcaktojnë rastet kur një operator ekonomik vendoset në Listën e zezë. Mes tjerash, papërgjegjësia e operatorit ekonomik sikurse vonesat e ndryshme dhe mospërfundimi i punës në bazë të kontratës, duhet të jenë po ashtu raste kur një operator do të duhej të ishte pjesë e listës së zezë. Së dyti, përcaktimi i periudhës një vjeçare nuk është real. Kjo, për shkak që mund të ketë dhe ka raste kur operatorët ekonomikë përsërisin të njëjtat shkelje, pasi që kjo periudhë të përfundojë. Për ta bërë Listën më efikase dhe për të adresuar raste të recidivizmit në prokurimin publik, është e nevojshme të rishikohen dhe përmirësohen mekanizmat ekzistues të diskualifikimit. Përcaktimi i periudhës së diskualifikimit në varësi të seriozitetit të shkeljes, monitorimi i rregullt i aktiviteteve të operatorëve ekonomikë, si dhe sanksione më të rënda për recidivistët janë hapa të rëndësishëm për të forcuar integritetin dhe transparencën në prokurim publik, në mënyrë që shpenzimi i parasë publike të arrijë qëllimet e synuara.

Mbetet tejet shqetësues fakti se operatorët ekonomikë pas futjes në Listën e zezë kanë të drejtë të i përfundojnë kontratat e tjera aktuale me autoritetet kontraktuese. Korniza ligjore mbetet e heshtur në këtë aspekt, mirëpo Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik e ka lejuar këtë gjë, duke u shprehur që për kontratat para datës së diskualifikimit, mund të përfundohen nga operatori ekonomik deri në afatin e përcaktuar.

Për ta përmirësuar këtë gjendje, është e nevojshme që të intervenohet edhe në legjislacion por gjithashtu edhe në praktikën e vendosur deri më tani.

Fillimisht, Ligji për Prokurimin Publik duhet të përfshijë rregullim specifik për trajtimin e kontratave të operatorëve ekonomikë të diskualifikuar duke parashikuar edhe efektet juridike në përmbushjen e kontratave që janë duke u zbatuar. Kjo do të krijonte një bazë ligjore të qartë dhe të plotë për t'u përdorur në raste të tilla dhe do të siguronte ndjekje të drejtë dhe konsistente të rregullave në të ardhmen. Një rregullim që individualizon efektet e Listës së zezë dhe ndalesat që sjell ajo gjithashtu është i nevojshëm.

Ndryshimi i praktikës për Listën e zezë duhet të bëhet në atë mënyrë që ajo të përcillet gjithmonë nga autoritet kontraktuese dhe të shmanget dhënia e kontratave operatorëve ekonomikë që figurojnë në këtë Listë.

Si përfundim, Lista e Zezë ka kuptim dhe mund të jetë mjet parandalues vetëm nëse vendosen rregulla të qarta dhe të njëjtat ndiqen me përpikmëri në praktikë nga autoritetet kontraktuese dhe organet përgjegjëse me synimin e përmbushjes së një interesi publik, në të kundërtën mbetet vetëm një tentativë e cila mund edhe të përdoret për qëllime të tjera dhe jo për ato që i ka përcaktuar ligji.

(Ky publikim është pjesë e nismës "Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), INDEP dhe Instituti GAP. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese)

Artikuj të ngjashëm