Në raport janë evidentuar se nga 444 personat e akuzuar për korrupsion brenda dy vjetësh, 11 janë zyrtarë të profilit të lartë. Në raport ceket shqetësimi se për shumicën e tyre paditë janë ngritur vetëm pasi ata i kanë lënë pozitat, si dhe se në shumë aktakuza nuk përcaktohet vlera e dëmit të supozuar, duke e vështirësuar vendosjen e dëmshpërblimit nga gjykatat
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka evidentuar se nga 444 personat e akuzuar për korrupsion gjatë viteve 2024 e 2025, 11 syresh, apo 2.47 për qind janë identifikuar si zyrtarë të profilit të lartë.
Në raportin “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, të publikuar të martën në kuadër të “Javës kundër korrupsionit”, thuhet se shumicës së zyrtarëve të profilit të lartë aktakuzat u janë ngritur pasi që ata i kanë përfunduar detyrat.
E gjetjet për të gjitha rastet i ka prezantuar hulumtuesi në IKD, Gëzim Shala.
“Nga 11 personat, të akuzuar për korrupsion si zyrtarë të profilit të lartë, vetëm 27.2% janë akuzuar duke e mbajtur detyrën e tyre zyrtare, derisa 72.7% e të akuzuarve janë akuzuar vetëm pasi janë larguar apo e kanë përfunduar mandatin e tyre për pozitën në të cilën akuzohen se e kanë kryer veprën penale”, ka thënë Shala.
Shala ka deklaruar se në aktakuzat për korrupsion, lartësia e dëmit të pretenduar rëndom shkon nga 100 mijë deri në 500 mijë euro. Porse ai e quajti shqetësues mosspecifikimin e saktë të dëmit.
“Rasti më i madh është mbi 37 milionë euro, bëhet fjalë për ish-kryeshefin e KEK-ut, që është rasti më i madh i korrupsionit për nga vlera e dëmit. Por, në kuptim të dëmit të pretenduar problematike është se në një pjesë të madhe të aktakuzave të analizuara, nuk specifikohet dëmi në aktakuzën e ngritur”, ka theksuar Shala.
Shala ka thënë se vlera e dëmit, në shumë raste, e kualifikon një vepër penale dhe në rast se ajo nuk specifikohet, atëherë gjykatat e kanë thuajse të pamundur të vendosin për dëmshpërblimin.
Në kuadër të “Javës kundër korrupsionit”, edhe një analizë mbi dështimin e tenderëve e ka prezantuar organizata INPO.
Hulumtuesi i kësaj organizate, Arbër Kabashi, ka theksuar se që nga viti 2023 është anuluar afër një e katërta e aktiviteteve të prokurimit, kryesisht ato që janë me vlerë më të madhe monetare. E kjo gjë, sipas tij, përbën formë të heshtur korrupsioni.
“Anulimet më të mëdha lidhen me kontrata të llojit punë dhe me kontratat e llojit furnizim që në total përbëjnë rreth 75% të kontratave të anuluara gjatë kësaj periudhe trevjeçare. Kjo tregon se niveli ekonomik i anulimeve është më i lartë tek projektet që kanë të bëjnë me projekte kapitale dhe furnizime strategjike”, ka thënë Kabashi.
9 dhjetori është dita ndërkombëtare kundër korrupsionit, që është shpallur nga Kombet e Bashkuara.
Në Kosovë tashmë tradicionalisht ajo shënohet me organizimin “Java kundër korrupsionit”, gjatë së cilës prezantohen raporte dhe organizohen aktivitete me qëllim të rritje së ndërgjegjësimit dhe efikasitetit në luftën kundër keqpërdorimit të parasë publike.