Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Speciale dhe udhëheqësi i Departamentit për hetimin e korrupsionit dhe krimit financiar, Valdet Gashi, ka thënë se në këtë departament po hetohen 390 raste të dyshimta për korrupsion në nivelin e lartë.
Sipas tij, ndër këto raste hetime po kryhen ndaj ministrave, kryetarë të komunave e drejtorë të agjencive të ndryshme.
“Nëse i referohemi statistikave, në vitin 2025... tash kemi hy më 2026, kemi hy me një numër prej 390 rastesh aktive në Departamentin për korrupsion dhe krim financiar. Pra 390 raste po hetohen”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Gashi ka thënë se ky departament me 11 prokurorë ka treguar efikasitet të lartë në kryerje të rasteve. Ai ka thënë se ndër vite ka rritje të rasteve të pranuara për dyshime për korrupsion të nivelit të lartë.
“Nëse i referohemi Ligjit për Prokurorinë Speciale aty shihet se Prokuroria Speciale heton rate të korrupsionit të nivelit të lartë. Pra të gjitha rastet që ka në trajtim janë raste të korrupsionit të nivelit të lartë. Korrupsioni i nivelit të lartë përfshin kryerësit e veprave penale që kanë të bëjnë me korrupsion zyrtar nga presidenti e deri te një zyrtar kryesor administrativ në cilindo institucion. Pra aty hyjnë presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat, zëvendësministrat, deputetët, kryetarët e komunave, drejtorët e agjencive kryesore në vend, udhëheqës të prokurimeve e zyrtarët kryesorë administrativë”, ka thënë fillimisht ai.
I pyetur nëse ka ministra e kryetarë të komunave që po hetohen, Gashi e ka pohuar.
“Po. Ka, e pohoj që ka, edhe ministra edhe kryetarë të komunave, por edhe drejtorë të agjencive kryesore në Kosovë”, ka thënë ai.
Gashi ka vlerësuar se këtij departamenti për të rritur efikasitetin edhe më shumë i duhen edhe pesë prokurorë të tjerë.