Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, ka thënë se do të krijohej precedent i rrezikshëm, po që se Prokuroria do të shkonte në zyrë të kryeministrit për ta intervistuar Albin Kurtin në cilësinë e dëshmitarit për rastin e rezervave shtetërore.
Në një intervistë për emisionin “60 Minuta” në KTV, ai ka thënë se kjo nuk është mundësi ligjore.
“Jo sepse nuk është mundësi ligjore në rend të parë dhe nuk mund të krijohen precedentë të tilla sepse janë shumë të rrezikshme për procesin e hetimeve”, ka thënë ai kur është pyetur se a e kanë parë të arsyeshme ta intervistojnë në zyrë, pas refuzimit të Kurtit për të shkuar në Prokurori.
E nëse ka pasur precedentë të tillë në të kaluarën, Gashi ka thënë: “Jo, me sa e di unë, jo”
Gashi ka thënë se Prokuroria Speciale i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore, sa i përket ftesave për Kurtin. Ai ka thënë se Prokuroria e ka ftuar Kurtin duke e parë si të domosdoshme dhe në interes të rastit një dëshmi të tij. Pas refuzimit, ai ka thënë se është kërkuar nga gjykata që Kurti të detyrohet të paraqitet, por prapë kjo nuk ka ndodhur.
“Pavarësisht kësaj, ne me rastin e ngritjes së aktakuzës e kemi propozuar që të dëgjohet si dëshmitar sepse këtë na lejon edhe Kodi i Procedurës Penale. Ne shpresojmë shumë që i njëjti të paraqitet në gjykatë kur të marrë ftesën nga ana e gjykatës për të dëshmuar në shqyrtim gjyqësor. Në momentin kur kemi dorëzuar aktakuzën, të gjithë procesin gjyqësor e menaxhon gjykata. Edhe dëshmitarët edhe të pandehurit. Mosparaqitja e tyre ka pasoja ligjore që i vendos gjykata. Ne i kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore qysh e parasheh ligji. Por jemi ku jemi sot në raport me këtë dëshmitar”, ka thënë ai.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, dy zyrtarëve të Ministrisë së saj dhe një personi tjetër, nën dyshimet për keqpërdorim detyre e se kanë shkaktuar dëm prej 3 milionë eurosh “duke blerë vaj e grurë që s’kishte arritur kurrë në Kosovë”. Seanca e shqyrtimit fillestar në këtë rast u mbajt para tre ditësh dhe u mbajt e mbyllur për publikun.
Gashi: Po hetojmë ministra, kryetarë komunash e drejtues të agjencive - 390 raste të korrupsionit
Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Speciale dhe udhëheqësi i Departamentit për hetimin e korrupsionit dhe krimit financiar, Valdet Gashi, ka thënë se në këtë departament po hetohen 390 raste të dyshimta për korrupsion në nivelin e lartë.
Sipas tij, ndër këto raste hetime po kryhen ndaj ministrave, kryetarë të komunave e drejtorë të agjencive të ndryshme.
“Nëse i referohemi statistikave, në vitin 2025... tash kemi hy më 2026, kemi hy me një numër prej 390 rastesh aktive në Departamentin për korrupsion dhe krim financiar. Pra 390 raste po hetohen”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Gashi ka thënë se ky departament me 11 prokurorë ka treguar efikasitet të lartë në kryerje të rasteve. Ai ka thënë se ndër vite ka rritje të rasteve të pranuara për dyshime për korrupsion të nivelit të lartë.
“Nëse i referohemi Ligjit për Prokurorinë Speciale aty shihet se Prokuroria Speciale heton rate të korrupsionit të nivelit të lartë. Pra të gjitha rastet që ka në trajtim janë raste të korrupsionit të nivelit të lartë. Korrupsioni i nivelit të lartë përfshin kryerësit e veprave penale që kanë të bëjnë me korrupsion zyrtar nga presidenti e deri te një zyrtar kryesor administrativ në cilindo institucion. Pra aty hyjnë presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat, zëvendësministrat, deputetët, kryetarët e komunave, drejtorët e agjencive kryesore në vend, udhëheqës të prokurimeve e zyrtarët kryesorë administrativë”, ka thënë fillimisht ai.
I pyetur nëse ka ministra e kryetarë të komunave që po hetohen, Gashi e ka pohuar.
“Po. Ka, e pohoj që ka, edhe ministra edhe kryetarë të komunave, por edhe drejtorë të agjencive kryesore në Kosovë”, ka thënë ai.
Gashi ka vlerësuar se këtij departamenti për të rritur efikasitetin edhe më shumë i duhen edhe pesë prokurorë të tjerë.