Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Demo: Kjo orvatje e dhunshme s’ka asnjë shanse ta kthejë Shqipërinë mbrapa

Demo

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Demo reagoi pas skenave të dhunës të regjistruara gjatë gjithë ditës së sotme në protestën e nisur para Ministrisë së Arsimit.

Përmes një videomesazhi të publikuar në faqen e tij në Facebook, Demo akuzoi forca politike dhe individë të tjerë se po përpiqen të shfrytëzojnë protestën e studentëve për qëllimet e tyre, ndërsa u bëri thirrje të rinjve që kërkesat t’i shprehin përmes dialogut dhe jo dhunës.

Ministri vlerësoi gjithashtu profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e policëve, duke theksuar se personat përgjegjës për aktet e dhunshme do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.

“Sot, e gjithë Shqipëria pa se në emër të studentëve, politika më e vjetër e këtij vendi, e cila jep shpirt po nuk heq dorë, foli me gjuhën e shkatërrimit, flakëve, bastisjeve të pronës publike dhe private. Jo vetëm ata që sot hodhën gurët me duart e të verbërve që kishin nxjerrë përpara, po edhe duart dashakëqia të të huajve, që përmes rrjeteve sociale janë futur në këtë vend qysh në qershor, u bënë bashkë. U bënë bashkë për të sfiduar qetësinë dhe durimin tonë. U bënë bashkë me një skenar ogurzi, duke shfrytëzuar edhe dëshirën e natyrshme të studentëve për progres dhe padurimin e natyrshëm të më të rinjve për shpejtësinë e progresit...Qeveria është gjithnjë e hapur për ju, Pakti për Universitetin ka lindur falë një proteste të paraardhësve tuaj në auditore dhe është një libër i hapur, për të shkruar kapituj të tjerë, me dialog jo me gurë. Nëse doni progres më të shpejtë, kjo është rruga dhe jo ajo e 48 orëve të fundit, të cilën e kanë projektuar mendje të mbrapshta që s’kanë asnjë lidhje me ju”, ka shkruar Demo. 

Ai ku ka bërë thirrje protestuesve të dhunshëm që të tërhiqen “sa nuk është tepër vonë”. Demo ka thënë se orvatjet e dhunshme s’kanë asnjë shansë ta kthejnë Shqipërinë mbrapa.  

“Zjarrvënësve dhe shkatërruesve të sotëm të pronës publike e private, u them tërhiquni sa nuk është tepër vonë, sepse mes entuziazmit të shkatërrimit në një turmë me maska dhe përgjegjësisë individuale para ligjit, kjo e dyta mund të vonojë po nuk do të harrojë. Të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit u them sot faleminderit, për profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen, në kushte tejet të vështira provokimesh të pafundme, si edhe nën një trysni krejt të pandershme mediatike, ku qimja e policisë bëhet tra dhe trau i maskave të dhunshme bëhet e student! Qytetarëve të Tiranës u them ju lutem durim, pavarësisht se flakët në dyert e ministrive që nuk janë parë në këtë qytet as në krizat e mëdha historike, mund të duken si dobësi e shtetit. Jo nuk janë, kush i ka porositur ato flakë i ka bërë llogaritë gabim, duke synuar të na tërheqë në një skenar ogurzi për Shqipërinë, që ne do ta çmontojmë me qetësi dhe durim. Dimë shumë më tepër se sa mund të ndajmë me ju sonte, por rëndësi ka që ju ta dini se kjo orvatje e dhunshme s’ka asnjë shans ta kthejë Shqipërinë mbrapa, as në duart e liga të atyre që e kanë gatuar dhe as në kohën e zymtë të shëmtisë që na është rishfaqur si fantazëm e të kaluarës”, ka shkruar Demo. 
 

Lexo përditësimet tjera
protesta

Situatë kaotike në Tiranë: Sulmohen institucionet, Policia bën thirrje për ndalje të dhunës