Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Shqipëri ka nisur me tensione të mërkurën. Një grup protestuesish kanë shkulur kangjellat metalike dhe sinjalistikën rrugore pranë godinës, ndërsa kanë hedhur sende të forta në drejtim të forcave të policisë.
Më herët, studentët iu drejtuan Forcave Speciale me thirrjen: “Mos na provokoni!”. Ndryshe nga një ditë më parë, policët ende s'janë kundërpërgjigjur dhe po qëndrojnë brenda perimetrit të godinës.
Ndonëse protesta ishte njoftuar të niste në orën 14:00, demonstrata nisi shumë më herët. Studentë të Fakultetit të Mjekësisë, Fakultetit të Shkencave dhe fakulteteve të tjera bojkotuan mësimin duke u grumbulluar në rrugë për të marshuar në drejtim të MAS, raportoi A2News.
Bojkoti ishte paralajmëruar nga disa universitete dhe fakultete pas përplasjeve të dhunshme të një dite më parë.
Protestës i janë bashkuar edhe nxënësit e gjimnazit “Partizani”, të cilët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë bllokuar rrugën para shkollës së tyre.
Gjithsej 27 persona kanë marrë trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve gjatë protestës të së martës në Tiranë, përfshirë punonjës të policisë, protestues, gazetarë, kalimtarë të rastit dhe një diplomat i huaj.