Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zvicra voton pro lehtësimit të rregullave të rrepta të eksportit të armëve

Zvicra

Zvicra

Foto: Associated Press

Votuesit në Zvicër kanë mbështetur lehtësimin e rregullave të rrepta për eksportin e armëve, në një vend që tradicionalisht ka ruajtur neutralitetin, sipas rezultateve paraprake të referendumit të mbajtur të dielën.

Mbështetësit e reformës, e cila do të lejojë shitjen e armëve në 36 vende perëndimore edhe kur ato janë në gjendje lufte, kanë thënë se ky ndryshim është i domosdoshëm për të ruajtur konkurrueshmërinë e industrisë zvicerane të armëve.

Kundërshtarët, nga ana tjetër, argumentuan se reforma do të dëmtonte neutralitetin e vendit.

Megjithatë, Ukraina nuk do të përfitojë nga ky ndryshim, pasi qeveria zvicerane thotë se eksportet e armëve drejt saj mbeten të ndaluara. Rusia i nënshtrohet embargos, ndërsa ligjet e neutralitetit nuk e lejojnë Zvicrën t’i dërgojë armë as Kievit.

Një projeksion i publikuar nga instituti i sondazheve GFS Bern, pak pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 12:00 të dielën, tregoi se mbështetësit e reformës kishin siguruar shumicën, me 54 për qind të votave, kundrejt 46 për qind për kundërshtarët.

Aktualisht, Zvicra nuk eksporton armë në vendet e përfshira në konflikte të armatosura dhe kërkon të konsultohet nëse blerësit synojnë t'i transferojnë armët e prodhuara në Zvicër në vende të tjera.

Ndryshimi i propozuar i heq këto kufizime për 36 vende, përfshirë të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë, me përjashtim të Lihtenshtajnit, i cili nuk ka ushtri. Në listë përfshihen gjithashtu Argjentina, Australia, Japonia, Kanadaja, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

Edhe Zviceranët po votojnë për një propozim për shtrëngim të rregullave të neutralitetit Botë Zviceranët po votojnë për një propozim për shtrëngim të rregullave të neutralitetit

Reforma do të lejojë gjithashtu shitjen e armëve pa kërkuar që vendi blerës të marrë paraprakisht leje për t'ia shitur ato një shteti të tretë në të ardhmen.

Parlamenti ka votuar në vitin 2025 për lehtësimin e kufizimeve, pasi pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 shtoi shqetësimet për sigurinë evropiane. Ndërkohë, eksportet zvicerane të armëve ranë ndjeshëm, pasi blerësit evropianë iu drejtuan burimeve të tjera të furnizimit.

Megjithatë, partitë e majta dhe organizatat joqeveritare detyruan mbajtjen e një referendumi për këtë çështje, në përputhje me sistemin e demokracisë së drejtpërdrejtë në Zvicër. Ato argumentuan se ndryshimi rrezikonte neutralitetin e vendit dhe përbënte një lëshim ndaj lobit të industrisë së armëve.