Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se projektbuxheti nuk ka arritur t’i plotësojë nevojat e qytetarëve.
“Nëse e shihni ndarjen buxhetore për 4 vjet, ndonëse duket e lartë në shifër, as për së afërmi nuk ka arritur t’i plotësojë nevojat e qytetarëve dhe kjo ka qenë vërejtja jonë. Për disa vite të miratimit të buxheteve, as që është diskutuar për ofertën programore të programit qeverisës me të cilën Qeveria ka ardhur në pushtet. Premtimet zgjedhore as për së afërmi nuk janë inkorporuar në programin e projektbuxhetit 2025 por edhe në projektbuxhetet tjera”, ka thënë ajo në emisionin “60 Minuta”.
Deliu-Kodra ka shtuar se ky projektbuxhet është më shumë buxhet për zgjatje pushteti sesa një që siguron projekt zhvillimor të qëndrueshëm.
“Nëse e shohim si është sot Kosova, janë mungesë totale e projekteve kapitale nëse shihni veç komunat e shihni mënyrën joproporcionale se si është ndarë ky buxhet. Ky buxhet nuk ka qenë zhvillimor, por më tepër buxhet i ndarjes së skemave sociale më shumë për të zgjatur jetën e këtij pushteti sesa për të siguruar një projekt zhvillimor të qëndrueshëm për qytetarët”.
Sipas saj, Qeveria ka telashe për t’i siguruar numrat në Kuvend për votimin e buxhetit dhe po përpiqet “ta kalojë sa më shpejt që të mos rrezikojë”.
“Kjo Qeveri ka telashe me numrat dhe do që këtë buxhet ta kalojë sa më shpejt që të mos rrezikojë. Është buxhet më tepër elektoral, që nuk ka asnjë projekt zhvillimor që mund të garantojë stabilitet, vende të reja pune dhe mirëqenien e qytetarëve... Ky buxhet është buxhet i përkohshëm që me qeverinë e re do të destinohet në nevojat reale që i kanë qytetarët”, është shprehur Deliu-Kodra.