Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Sulmi izraelit në Gaza vret dy punonjës të organizatës “Mjekët pa Kufij”

Izrael

Dy punonjës të organizatës humanitare “Mjekët pa Kufij” (MSF) janë vrarë nga një sulm izraelit në qytetin e Gazës. Organizata ka bërë të ditur se sulmi goditi drejtpërdrejt një nga klinikat e saj, vendndodhja e së cilës i ishte komunikuar më parë ushtrisë izraelite, raporton BBC.

Sipas MSF-së, dy viktimat punonin si roje sigurie në klinikë. Organizata ka thënë se është e tronditur dhe e indinjuar nga sulmi, duke theksuar se objekti ishte i shënuar qartë me logon e saj dhe se ushtria izraelite ishte në dijeni të vendndodhjes së tij.

Me vdekjen e tyre, numri i punonjësve të organizatës të vrarë në Gaza ka arritur në 17.

Në anën tjetër, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë pretenduar se dy personat e vrarë ishin pjesëtarë të krahut ushtarak të Hamasit, të cilët vepronin si roje sigurie në klinikën e drejtuar nga MSF-ja.

Sipas IDF-së, dy personat po përgatitnin sulme ndaj civilëve izraelitë dhe ushtarëve të saj.

Ushtria izraelite ka thënë se sulmi nuk ishte drejtuar ndaj një spitali dhe se infrastruktura mjekësore nuk ishte dëmtuar. Ajo gjithashtu pretendoi se para sulmit kishte marrë masa për të shmangur viktimat civile. IDF-ja e përdori rastin për të akuzuar Hamasin se shfrytëzon organizatat ndërkombëtare për të fshehur aktivitetet e tij.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, dënoi sulmet ndaj institucioneve shëndetësore dhe punonjësve mjekësorë në Gaza, duke i cilësuar ato si të papranueshme.

Dhuna në Gaza ka vazhduar edhe pas marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në tetor të vitit të kaluar. Sulmet izraelite kanë vazhduar në zonat e territorit palestinez, ku jetojnë rreth 2.1 milionë njerëz, shumica prej të cilëve janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga Hamasi, të paktën 1 mijë e 705 persona janë vrarë në territor gjatë 13 muajve të fundit. Kombet e Bashkuara i kanë cilësuar të besueshme shifrat e publikuara nga kjo ministri.

Gjendja humanitare në territor vazhdon të jetë tepër e rëndë. Reshjet e dendura të shiut në fillim të këtij muaji kanë shkaktuar përmbytje dhe kanë dëmtuar dhjetëra mijëra strehimore ku janë vendosur familjet e zhvendosura.

Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit, i cili kontrollon pikat kufitare të Gazës, të lejojë hyrjen e më shumë ndihmave humanitare. Furnizimet e nevojshme për përballimin e dimrit përfshijnë tenda, ngrohëse, pompa uji, vaksina dhe barna për parandalimin e trajtimin e sëmundjeve infektive.

Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit ndaj jugut të Izraelit, më 7 tetor 2023. Gjatë këtij sulmi u vranë rreth 1 mijë e 200 persona, ndërsa 251 të tjerë u morën peng.

Që nga fillimi i luftës, më shumë se 74 mijë e 770 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor.