Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Big Bandi” për një natë ia kthen Mitrovicës epokën e artë të muzikës

“Moj e mira te po

“Moj e mira te pojata” është një këngë kult e Haki Misinit dhe rock-grupit “MAK”. Pikërisht me këtë këngë Rona Nishliu dhe “Big Band” kanë hapur natën përmbyllëse të edicionit të sivjetmë të “Mitrovica International Jazz Days”

“Mitrovica International Jazz Days” e ka përmbyllur edicionin e katërt jo vetëm me koncert, por edhe me mision: t’ia kthejë Mitrovicës epokën e artë të muzikës. Ia ka dalë së paku për një natë kur “Big Bandi” nën udhëheqjen e dirigjentit Edon Ramadani, kanë sjellë një rrugëtim nëpër hitet e dikurshme që kanë dalë prej këtij qyteti për të jehuar në krejt Kosovën. I kanë dhënë jetë trashëgimisë së Fahri Beqirit, Riza Dolakut, Muharrem Qenës dhe grupit “MAK”

Radha e atyre që duan të frekuentojnë koncertin nuk është aq e madhe sa për të mbushur karriget e sallës së Shtëpisë së Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë. Është mbrëmje që i kushtohet trashëgimisë muzikore të qytetit, e cila pasuroi edhe muzikën shqiptare. Por kohët e arta të muzikës në Mitrovicë kanë ikur dhe, me gjithë mundin, vështirë të kthehen për një kohë. E, të pranishmit janë besnikë e adhurues të hiteve dhe muzikës që shënoi një kohë.

“Moj e mira te pojata” është një këngë kult e Haki Misinit dhe rock-grupit “MAK”. Pikërisht me këtë këngë, Rona Nishliu dhe “Big Band” kanë hapur natën përmbyllëse të edicionit të sivjetmë të “Mitrovica International Jazz Days”. Krejt mbrëmja i është kushtuar trashëgimisë muzikore të qytetit dhe krijuesve e interpretuesve të Mitrovicës që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare. 

Në sallën që përdoret nga teatri i qytetit “Muharrem Qena”, Nishliut i është bashkuar në skenë edhe talentja e re, Rita Daklani, duke interpretuar bashkë ikoniken “Suus”. Interpretimi i “Big Band”-it, nën dirigjimin e Edon Ramadanit, i cili ka bërë edhe orkestrimin e muzikës, qe një gërmim në trashëgiminë muzikore të qytetit. Kjo mbrëmje ka bashkuar në skenë Rona Nishliun, grupin TNT në përbërjen e tanishme, Mentor Mripën, “Ethnically Plugged”, Teuta Kurtin dhe Zana Abazin. Krejt bashkë i kanë dhënë jetë trashëgimisë së Fahri Beqirit, Riza Dolakut, Muharrem Qenës dhe grupit “MAK”. Është një bashkim i kuadrove të rinj muzikorë që nderon namin e dikurshëm të bashkëvendasve të tyre. Këngët e Qenës, muzika e Beqirit, Dolakut e emrave të tjerë të qytetit ngjallin entuziazëm te të pranishmit. Në kushte normale, me këtë program pritjet qenë që publiku të ishte shumë më i numërt, por në raport me netët paraprake, situata qe pozitive.

Edicioni i sivjetmë, i paraparë të mbahej në shtator, qe shtyrë shkaku i zhvillimeve në raport me Gjykatën Speciale. Organizatorët kishin marrë rekomandime nga partnerët që ta shtynin edicionin. Dita e parë e këtij edicioni qe paraparë fiks në ditën kur ajo që njihet si Gjykata Speciale shpalli verdiktet për katërshen e UÇK-së në Hagë. Festivali datat i kishte publikuar shumë më herët. Planet ishin që edicioni i katërt të hapej me grupin amerikan “Snarky Puppy”.

Krejt mbrëmja i është kushtuar trashëgimisë muzikore të qytetit dhe krijuesve e interpretuesve të Mitrovicës që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare

“Ky ka qenë një edicion jo i zakonshëm i festivalit, pasi, për fatin tonë jo të mirë, është dashur ta anulojmë koncertin më të madh që arritëm ta kontraktonim në këto katër vjet. Me gjithë biletat e shitura e promovimin që i kishim bërë që në shkurt të këtij viti, nuk ia dolëm për shkak të situatave që nuk ishin nën kontrollin tonë dhe ishte një situatë shumë e ndjeshme për gjithë popullin tonë”, ka thënë Nishliu, drejtoreshë e “Mitrovica International Jazz Days”. Nishliu ka përmendur se qe një punë e vështirë që më pas ta përmblidhnin këtë edicion më modest në program, i cili sivjet kishte në fokus gratë. Koncerti hapës i festivalit qe me kitaristen Eleonora Strino, Giulio Corini në kontrabas dhe Zeno De Rossi në bateri. Më pas festivali vazhdoi me trion e pianistes dhe kompozitores Anaïs Foux, pjesë e gjeneratës së re të muzikantëve të jazzit në Evropë. Më pas, para publikut u paraqit pianistja, këngëtarja dhe kompozitorja, Olivia Trummer, me një stil që ndërthur jazzin me elemente të pop-it, gospelit dhe R&B-së. Në kuadër të festivalit u organizuan edhe dy koncerte prezantuese të muzikantëve të rinj nga Ballkani Perëndimor, në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicën e Veriut.

“Dëshira jonë është shumë e madhe që t’i japim diçka të dinjitetshme qytetit tonë, pasi në këto 26 vjet asnjëherë nuk është përmbledhur krijimtaria e artistëve të Mitrovicës dhe nuk është interpretuar në këtë format. I kemi mbledhur forcat me shumë dëshirë, pasi jemi rritur me këto këngë. Është një përgjegjësi e madhe të rikujtojmë kompozitorin Fahri Beqiri, Riza Dolakun, Muharrem Qenën, grupin ‘MAK’, ‘TNT’-në, që në versionin e ri e kishim në skenë, e më pas kishim edhe ‘Ethnically Plugged’. Veçanti qe edhe pjesëmarrja e Mentor Mripës, që ishte frymëzim i yni si fëmijë”, ka thënë ajo. 

Mentor Mripa me këngët e grupit MAK e Zana Abazi, një prej sopranove më me emër në vend, bashkë me “Ethnically Plugged” e “TNT”-në, kanë zgjuar nostalgji te të pranishmit. Prapa kësaj mbrëmjeje është bërë punë e madhe në orkestrimin nga Edon Ramadani. 

Por Mitrovica, bazuar në interesimin, s’tregon ndonjë gatishmëri për vlerat muzikore që i trashëgon. Ndërkohë, mbështetja institucionale për “Mitrovica International Jazz Days” ka rënë. Komuna ka ndihmuar veç me hapësirë, e Ministria e Kulturës me 15 mijë euro pas ankesës, pasi shuma fillestare qe 10 mijë. E 30 veta në skenë, për të kthyer muzikë e këngë ikonike në natën e fundit, bashkë me dy net të tjera me emra ndërkombëtarë, kanë goxha kosto.

“Personalisht jam shumë i lumtur që u realizua ky koncert. Besoj që ka një peshë të madhe. Jemi munduar ta përfshijmë trashëgiminë e disa personaliteteve të Mitrovicës që kanë lënë gjurmë në historinë e muzikës sonë kombëtare dhe jo vetëm të Mitrovicës, duke përfshirë emra të mëdhenj si profesori Fahri Beqiri, pastaj Muharrem Qena, grupi ‘TNT’, më pas ‘Ethnically Plugged’, pastaj prej gjeneratës sonë Zana Abazi-Ramadani, Rona, Mentori e Rita nga gjenerata e re. Jemi munduar ta bëjmë me forcat e Mitrovicës, duke përfshirë edhe bendin. Natyrisht, shkaku i angazhimeve të disa anëtarëve, kemi marrë edhe instrumentistë nga Bullgaria”, ka thënë dirigjenti Edon Ramadani.

Ai e ka përshkruar festivalin si organizim me peshë të madhe, sidomos për gjeneratat e reja.

“Sidomos për gjeneratat e reja dhe besoj se aty është pesha më e madhe që luan ky koncert dhe ky festival, pasi muzika ka filluar të marrë një drejtim tjetër, me zhanre të tjera moderne, le të themi më komerciale. Nuk duhet assesi të anashkalohen koncertet e tilla, duke marrë parasysh që Mitrovica ka pasur big band-in e parë në Kosovë. Duhet t’i tregojmë rinisë dhe t’i mësojmë me këtë kulturë muzikore, pasi, përndryshe, do të harrohen dhe do të humben këto vlera”, ka thënë ai. 

Ky festival është prej ngjarjeve të vetme muzikore që Mitrovicën ka nisur ta kthejë në adresë të muzikës, jo veç në vend, por edhe përtej. Por përkrahja institucionale për të, sipas asaj që ka ngjarë sivjet, po zbehet.