Projektligji për buxhetin e vitit 2025 pritet të shqyrtohet në parim të hënën (nesër) në seancën e Kuvendit të Kosovës. Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se i kanë votat e mjaftueshme për miratimin e buxhetit në lexim të parë. Në anën tjetër, partitë opozitare shprehen kundër këtij buxheti, pasi që sipas tyre “nuk është zhvillimor dhe nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, raporton KosovaPress.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka thënë për KosovaPress, thotë se i kanë votat e mjaftueshme për të miratuar në parim Projektligjin për buxhetin e vitit 2025.
“Më 11 nëntor do të mbahet seanca e Kuvendit dhe po ashtu ne i kemi numrat për ta kaluar Projektligjin për buxhet", ka thënë shkurt Muja.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala tha se partia e tij nuk do ta votojë projektligjin për buxhet, duke vlerësuar se s’i plotëson kërkesat e qytetarëve.
“Do të marrim pjesë në seancë, sepse do të insistojmë të diskutojmë çështjen e buxhetit dhe t’i ngremë shqetësimet dhe mangësitë që ky buxhet i ka. Sigurisht që duhet të diskutohet edhe rendi dhe rregulli e kërkon që ne të debatojmë çështjen e buxhetit...Kështu siç është buxheti nuk i plotëson as kriteret minimale që të jetë një buxhet me perspektivë zhvillimore dhe një buxhet i cili do të ndryshonte gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale të vendit...Nuk do ta votojmë”, thotë Shala.
Edhe nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Time Kadrijaj thotë me projektbuxhetin 2025 - nuk ka ndarje të drejtë buxhetore, pasi që sipas saj nuk janë marrë parasysh kërkesat e komunave, veçanërisht nga ato që udhëhiqen nga AAK-ja dhe parti tjera opozitare.
“Në seancë do të marrim pjesë, por nuk do të votojmë, sepse me procedura të përshpejtuara është sjellë ndoshta me afat kohor, por asnjëherë nuk janë marrë parasysh kërkesat e opozitës, ndërsa janë dëmtuar gjitha komunat e drejtuara nga Aleanca dhe të gjitha partive opozitare. Nuk po shpërndahet buxheti në mënyrë proporcionale, kanë ngel gjitha investimet kapitale, nuk e ka asnjë performancë të mirë kjo Qeveri. Do të marrim pjesë gjatë shqyrtimit, do të diskutojmë për buxhetin, por në votim nuk do të marrim pjesë”, thotë Kadrijaj.
Kadrijaj thotë se është obligim i Qeverisë që t’i sigurojë votat.
“Buxheti kalon me shumicë të thjeshtë, 61 vota, kështu që është përgjegjësi e Qeverisë kjo. Qeveria është sjellë me arrogancën e numrave. Dhe është obligim i qeverisë që të sigurojë 61 vota, sigurisht se ndoshta i kanë dhe do të kalojnë”, shton Kadrijaj.
Qeveria e Kosovës më 30 tetor ka miratuar projektbuxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë 3 miliardë e 600 milionë euro apo rreth 300 milionë euro më i madh se në vitin 2024.
Me këtë projeksion, për investime kapitale janë planifikuar 930 milionë euro.
Ndërsa, 916.5 milionë euro pritet të shkojnë për paga, duke përfshirë një rritje prej 55 euro për çdo punonjës të sektorit publik nga janari, ndërsa 110 euro nga korriku.
Po ashtu 105 milionë euro shkojnë për barna esenciale dhe materiale të nevojshme shëndetësore.