Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pushteti miraton buxhetin “emergjent” pa përkrahjen e opozitës

Votim Buxheti kuvendi vota

Foto: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026. 

Buxhetin e kanë votuar deputetët e pushtetit ndërkohë që ata të opozitës kanë votuar kundër. 

Për kanë votuar 62 deputetë, kundër 36 dhe asnjë nuk ka abstenuar. 

Buxheti për vitin 2026 është paraparë të jetë 4 miliardë euro, prej të cilave 3.64 miliardë janë të hyra, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet me kredi dhe me deficit.

Ministri i Financave Hekuran Murati, ka thënë se buxheti për vitin 2026 është i përkohshëm dhe emergjent dhe se ai do të rishikohet e ndryshohet me prioritete e Qeverisë të reflektuara në të.  

Ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës kanë votuar kundër pasi që amendamentet e tyre nuk janë përfshirë në buxhet. 

Foto: Driton Paçarada - KOHA

Shefi i GP të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se buxheti siç është paraqitur ka shumë defekte. 
Ka theksuar se ndryshime nuk janë bërë as në mes të dy leximeve dhe ka thënë se PDK-ja i tërheq amendamentet e propozuara që nuk morën mbështetje në Komisionin për Buxhet. 

Edhe Pa asnjë amendament të opozitës, shumica parlamentare miraton buxhetin 4-miliardësh LAJMET E MBRËMJES Pa asnjë amendament të opozitës, shumica parlamentare miraton buxhetin 4-miliardësh

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka thënë se nuk do ta përkrahin buxheti. Amendamentet e kësaj parti janë hedhur në votim edhe në seancë por nuk kanë marrë përkrahje. 

Ministri Murati ka thënë se amendamente nuk kanë pasur mundësi që të propozojnë as ministrat që e kanë marrë detyrën. 

“Ky është një buxhet i përkohshëm emergjent, për këtë arsye ne si qeveri nuk u kemi dhënë hapësirën, madje as ministrave që kanë marr dikasteret e tyre që të bëjnë ndryshime, duke konsideruar që nuk kemi shumë kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme dhe cilësore dhe që pastaj ato të mos reflektojnë me probleme gjatë rrugës”, është shprehur Murati. 

Lexo përditësimet tjera
kuvendi i kosoves

Miratohet buxheti për vitin 2026