Me 62 vota për, Kuvendi ka miratuar buxhetin e 2026-s. Deputetët opozitarë votuan kundër, meqë në të nuk u përfshinë amendamentet që i propozuan. E ministri i Financave, Hekuran Murati, arsyetoi vendimin, duke thënë se nuk ka kuptim përfshirja e amendamenteve, meqë buxheti është i përkohshëm dhe shpejt do të rishikohet.
Pa votën e deputetëve opozitarë, Kuvendi ka miratuar buxhetin për 2026, të cilin ministri i Financave e cilësoi emergjent dhe të përkohshëm dhe paralajmëroi rishikim të tij së shpejti.
Për buxhetin në vlerë afro 4 miliardë euro, e në të cilin u përfshinë edhe buxheti i Prishtinës dhe ai i Shtimes, votuan për 62 deputetë, ndërsa 36 kundër.
Meqë një ditë më parë Komisioni për Buxhet nuk përkrahu asnjë nga amendamentet e opozitës, Grupi parlamentar i PDK-së tërhoqi 32 sosh që i ka sponsorizuar.
“Ne i tërheqim të gjitha amendamentet dhe nuk e mbështesim këtë buxhet që nuk e reflekton as përbërjen e Qeverisë, nuk është dokument profesional. Përtej kësaj ka shumë defekte edhe për vitin 2026, mirëpo do të jetë i dëmshëm edhe për vitet pasuese si rezultat i mungesës së kompetencës dhe përgatitjes profesionale”, ka thënë Arian Tahiri, shef i deputetëve të PDK-së.
Buxheti nuk u përkrah as nga LDK-ja e AAK-ja, ani se deputetët e këtyre dy partive tentuan që edhe në seancën e së premtes t’i kalojnë amendamentet e propozuara.
Edhe
Pushteti miraton buxhetin “emergjent” pa përkrahjen e opozitës
“Ne ju bëjmë thirrje t’i vendosni amendamentet tona për votim në Kuvend. Besojmë thellësisht se amendamentet tona adresojnë problemet reale të qytetarëve. Kanë të bëjnë me arsimin, investimet kapitale, rrjetet e digjitalizimit. Përndryshe, buxhetin si të tillë nuk e votojmë dhe nuk e përkrahim”, ka thënë Jehona Lushaku-Sadriu e LDK-së.
“Ne do të presim se cili do të jetë reagimi i Qeverisë. Në qoftë se edhe kësaj here nuk do të kalojë në seancë asnjë amendament i AAK-së, i krejt ushtrimi ka qenë një mashtrim”, ka thënë Besnik Tahiri i AAK-së.
Amendamentet e LDK-së e AAK-së nuk u përkrahën.
Përcaktimin për këtë e arsyetoi ministri i Financave, Hekuran Murati, duke thënë se meqë buxheti është emergjent dhe i përkohshëm, nuk ka hapësirë për përfshirjen e tyre në këtë fazë.
“Të gjitha ato që janë të vlefshme dhe i konsiderojmë që, në disa raste edhe kemi pasur pajtueshmëri, që të mbështeten projekte të tilla, besoj që do të gjejnë mbështetje në ministritë e linjës në momentin kur e sjellim buxhetin e rishikuar me prioritetet e Qeverisë të reflektuara në të”, ka thënë Murati.
Edhe
Dështon rishikimi i buxhetit “me nguti”
Buxheti në lexim të parë u kritikua nga opozita për mosreflektim të strukturës së re qeverisëse dhe mospërfshirje të zotimeve të kryeministrit Albin Kurti, të paraqitura në ekspozenë e tij ditën e formimit të Qeverisë. Por, Kurti premtoi se kjo do të reflektohet me rishikim të buxhetit.
Buxheti parasheh që shpenzimet të jenë afro 4 miliardë euro, apo rreth 330 milionë euro më shumë sesa të hyrat e planifikuara për 2026-n.
Vetëm për subvencione dhe transfere do të shkojë 34 për qind e buxhetit, përkatësisht 1 miliard e 358 milionë euro.
E, për investime kapitale janë paraparë rreth 1 miliard euro. Ndërkaq, rreth 980 milionë euro janë planifikuar për paga dhe shtesa, shumë kjo që do të shënojë rritje për afro 64 milionë euro.
Edhe
Kurti: Kritikat për buxhetin do të trajtohen me rastin e rishikimit
Buxheti projekton edhe rritjen e të hyrave. Në 2026-n parashihet që shteti të arkëtojë 3 miliardë e 637 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e shpenzimeve do të mbulohet me kredi dhe deficit.