Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi, pa votat e opozitës, miraton në lexim të parë projektbuxhetin për vitin 2025

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar të hënën për buxhetin e vitit të ardhshëm. Derisa kryeministri, ministra të dikastereve qeveritare e deputetë në pushtet lavdëruan buxhetin, projektet që kanë implementuar e ato që planifikojnë, opozitarët kritikuan pushtetarët për buxhet jozhvillimor, për mosinvestime kapitale e për manipulim me shifra.

Shqyrtimi i buxhetit solli në Kuvend kryeministrin Albin Kurti e disa ministra të kabinetit qeverisës që nuk shihen shpesh në ambientet e parlamentit.

Deputetëve, Kurti ua kërkoi votën për projeksionin buxhetor të vitit të ardhshëm derisa u lavdërua  për numrin e buxheteve të prezantuara e për rritjen e tyre ndër vite.

Tha se me buxhetin 3.6 miliardësh prioritet kanë qytetarët, ndihmat për familjen, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, arsimin shëndetësinë, infrastrukturën e mbrojtjen.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që sot para jush të bëhem kryeministri i parë që prezanton buxhetin e katërt të mandatit, për ta shënuar kështu edhe qeverinë e parë që e çon mandatin deri në fund. Siç tashmë edhe e dini, buxheti për vitin 2025 është projektuar të jetë 3.6 miliardë euro apo rreth 9% më i lartë sesa buxheti i vitit 2024, ose 60% më i lartë sesa buxheti i vitit 2020”, tha Kurti. 

Por, buxhetin për vitin e ardhshëm, krejt ndryshe e panë përfaqësuesit opozitarë. Sipas tyre, ai është buxhet i mbijetesës dhe jozhvillimor.

Edhe 4.27 miliardë buxhet për 2027-tën, një e katërta për paga LAJMET E MBRËMJES 4.27 miliardë buxhet për 2027-tën, një e katërta për paga

“Ne flasim për një planifikim buxhetor i cili nuk ndikon asgjë, nuk promovon asgjë, një planifikim prej të cilit ky shtet e ky popull nuk sheh kurrfarë hajri, sepse e kemi parë që nga fillimi i kësaj qeverise, ku çdo planifikim shihet se është i dobët”, tha deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

“Nuk i përmendi fare premtimet e qeverisë që lidhen me fusha specifike, në arsim 160 çerdhe, shujta për nxënës, digjitalizim i shkollave, biblioteka për mësimdhënës, banim i përballueshëm për mësimdhënës, shpërblim i mësimdhënësve bazuar në performancë, asnjë nga këto nuk është realizuar gjatë këtij mandati”, tha deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. 

Brohoritje nga deputetët në pushtet nxiti gabimi i numrit të mandateve të Kurtit si kryeministër nga shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Kryeministri Kurti në fjalën e tij hyrëse filloi të lavdërohet e të thotë se si ky është buxheti i tij i katërt në mandatin e tij të katërt mirëpo për vlerësimin e qytetarët ky është buxheti më i dështuar... mandati i tij të parë. A u knaqt a? A u gzut a? Po më vjen keq, të fundit e keni”, tha shefi i Grupit Pralamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Mos na e ndjell kështu Besnik se s’di a mundemi 4 bash qashtu”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Në këto katër vite me këto 12 miliardë euro unë po ju pyes juve dhe kabinetin qeveritar, a ka ndonjë projekt që ka nis dhe është përfunduar, përveç urës në Saradran. Veç një projekt le të del kryeministri le të më thotë”, tha Tahiri. 

Edhe Projektbuxheti për vitin 2027, 4.27 miliardë euro Arbëri Projektbuxheti për vitin 2027, 4.27 miliardë euro

Me deputetët opozitarë e kritikat e tyre nuk u mor kryeministri Kurti. Atyre në vazhdimësi u replikoi ministri Hekuran Murati e më vonë gjatë diskutimit edhe ministrat e tjerë.

“Nuk mund të ulet importi në një ekonomi të cilën e kemi trashëgu ku të gjitha fabrikat që kanë qenë prodhuese në këtë vend ju i keni shit për skrap. Normalisht që merr kohë derisa të ndërtohet kapaciteti prodhues në mënyrë që të ulet importi”, tha Murati.

“Asnjëherë, as ju dhe as kryeministri nuk i keni përmend rritjen e çmimeve, 22% janë rritë çmimet qytetarëve, por çmimi i bukës është rritë me 50%”, tha deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Sa u përket çmimeve të ushqimeve, çmimi i grurit është 20 centë për kilogram dhe në bursa botërore, shikojeni është sikurse pandemisë, merre dhe shikone”, tha ministri Murati.

“Më bëni përshtypje: tha çmimi i grurit është i njëjtë sikurse para pandemisë. Ministër, qytetarët nuk e blejnë grurin në bursë, as vajin, e blejnë në market.. politikat e tua e kanë dyfishu çmimin”, tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Tha i keni shit fabrikat për shkrap, cilat fabrika. Pse nuk i keni ble bre ju. Masi që kanë qenë me vlerë”, tha deputetja Bajrami. 

Edhe Opozita kritikon qeverinë për shkelje të afatit ligjor lidhur me Buxhetin 2027 Arbëri Opozita kritikon qeverinë për shkelje të afatit ligjor lidhur me Buxhetin 2027

E zhurmshme ndaj pothuajse secilës fjalim të kolegëve të saj opozitar ishte deputetja Mirlinda Tishukaj-Sadiku, keqardhje për të cilën tha se ndien Hykmete Bajrami e LDK-së.

Me 59 vota për e dy abstenime është votuar projektbuxheti. E po ashtu me 60 vota për kaloi mocioni i propozuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Armend Mujës që të shmangen afatet e rregullores së Kuvendit për shqyrtim të projektbuxhetit në Kuvend. Muja propozoi që projektbuxheti të sillet në Kuvend për lexim të dytë në seancën e 21 nëntorit.