Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çitaku: Kuvendi nderoi UÇK-në me ligjin për Specialen dhe zgjedhjen e presidentes

vlora citaku

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës, përmes dy vendimeve të marra mbrëmë, ka nderuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, institucionin dhe shtetin.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se Kosova tashmë ka një ligj që, sipas saj, mbron UÇK-në, si dhe një presidente të re, Justina Pula-Shirokën.

“Mbrëmë, me dy vendime, Kuvendi i Kosovës nderoi UÇK-në, vetveten dhe shtetin”, ka shkruar Çitaku.

Ajo e ka cilësuar presidenten e re si “një zonjë të dashur e të nderuar”, me të cilën, siç ka thënë, e lidhin vite bashkëpunimi dhe miqësie.

Çitaku ka vlerësuar gjithashtu se në këto zhvillime ka triumfuar edhe zëri i qytetarëve, duke theksuar se ai zë “nuk u ndal dhe u bë obligim për institucionet”.

“UÇK-ja na bashkoi sërish. Le të na mbajë të bashkuar rreth historisë së lavdishme të vendit tonë, deri në drejtësi dhe liri për çlirimtarët”, ka shkruar ajo.

Deputetja e PDK-së ka thënë se këto vendime përbëjnë një kthesë të rëndësishme dhe të shumëpritur, ndërsa ka bërë thirrje që angazhimi institucional të vazhdojë në mbështetje të betejës për drejtësi në Apel.

Në fund, Çitaku ka deklaruar se këtë “fitore të shtetit të Kosovës” ua dedikon ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Një mesazh për ta: Kosova është pranë jush. Urime, Kosovë! Me UÇK-në në zemër!”, ka përfunduar Çitaku.

Lexo përditësimet tjera
Justina Shiroka-Pula

Reagimet pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente