Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Cakolli: LDK-ja s’e ka luksin të presë

cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe sidomos kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, nuk e ka luksin të presë për marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas Cakollit, LVV-ja edhe po të mos arrijë fare marrëveshje, nuk penalizohet shumë elektoralisht sikurse LDK-ja. Ndërsa, pritjet optimiste për një marrëveshje mes këtyre dy partive politike, dy ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, i quajti jorealiste.

“Një marrëveshje e tillë “në kohë” - para seancës konstituive - nuk u pat arritur as pas zgjedhjeve të vitit 2019. Atëherë, të dyja partitë kishin shumë më tepër nevojë për njëra-tjetrën, bashkimi i tyre shihej gjerësisht si “koalicioni i shpresës”, ndërsa në zgjedhje i ndanin më pak se 2%. E lëre më tash, kur LVV-ja i ka gati trefishin e votave dhe të mandateve të LDK-së”, ka shkruar mes tjerash në Facebook, Cakolli.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë diskutuar për rreth tri orë të martën mbrëma në përpjekje për të arritur marrëveshje për formim të institucioneve, por takimi ka rezultuar pa marrëveshje.

Pas takimit Kurti deklaroi se ka vullnet e zell për të punuar bashkë këto dy parti, por sipas tij, kërkohet një marrëveshje që e respekton rezultatin zgjedhor. Ndërsa, Abdixhiku, ka thënë se duhet marrëveshje gjithëpërfshirëse për të tri postet: Kuvend, Qeveri e Presidencë.