Arbëri

Bizneseve në veri s’u ndalet rryma, ekspertët e vlerësojnë diskriminues

Vendimi i ZRRE-së për daljen e bizneseve të mëdha në treg të hapur të energjisë, duke i detyruar që vetë ta zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar nga ky institucion, nuk do t’i prekë edhe bizneset në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë. Ekspertë të ekonomisë e kanë vlerësuar diskriminues këtë vendim

Mbi 1 mijë e 400 njehsorë elektrikë të bizneseve të ndryshme në disa komuna të Kosovës janë shkëputur nga rrjeti i energjisë elektrike, si pasojë e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që obligon bizneset me më shumë se 50 punëtorë apo me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.

Megjithatë, ky vendim nuk i ka prekur bizneset që operojnë në katër komunat veriore të Kosovës të banuara kryesisht me serbë, e ku funksionon kompania “Elektrosever”.

Në ZRRE kanë thënë se nuk janë ndërmarrë masa shkyçjeje në veri, për shkak se furnizuesi nuk ka ndryshuar.

“ZRRE-ja ka licencuar kompaninë ‘Elektrosever’, e cila furnizon konsumatorët në katër komunat veriore. Ky furnizues nuk u nënshtrohet tarifave të rregulluara nga ZRRE-ja dhe nuk mban obligim të shërbimit publik, por ushtron aktivitetin e tij si furnizues komercial, me veprimtari të kufizuar vetëm në atë territor. Deri më tani, në komunat veriore nuk janë ndërmarrë masa shkyçjeje të konsumatorëve për arsye të mosndryshimit të furnizuesit. Parimi mbetet i njëjtë: çdo konsumator në Kosovë duhet të furnizohet nga një furnizues i licencuar dhe ka të drejtë të zgjedhë furnizuesin që dëshiron”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se ZRRE-ja nuk ka treguar seriozitet e transparencë në përgatitjen e tregut të hapur të energjisë.

“Kjo më së miri e tregon se sa shtrihet autoriteti ose fuqishmëria e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike. Për më shumë, ju e dini që edhe qytetarëve të asaj pjese nuk u është rritur çmimi i energjisë elektrike prej 16.1 për qind ose edhe bizneseve të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet sikurse ka ndodhur në pjesën tjetër, dhe kjo brenda territorit të Republikës së Kosovës, ligjërisht dhe sipas Kushtetueses, nuk ofron të drejta të barabarta dhe nuk e kemi një konkurrencë të barabartë dhe të drejtë”, ka thënë Rafuna.

Edhe avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se çdo përjashtim i ndonjë komuniteti apo komune nga rregullat e përgjithshme, si në rastin e mospërfshirjes së komunave veriore në tregun e lirë, është një veprim diskriminues.

“Çfarëdo përjashtimi në këtë rast të një komuniteti të caktuar, ose komunave të caktuara qoftë në vendimin për daljen në treg të hapur, qoftë në vendimin për shtrenjtimin e energjisë për qytetarët e vendit në masë prej 16.1 për qind, është një vendim i natyrës diskriminuese për çka jam shumë optimist se instancat gjyqësore kur t’i vije radha do ta trajtojnë, përkatësisht do të konstatojnë si të tillë”, ka thënë Bajraktari.

Një javë më parë, KEDS-i i ka shkyçur nga rrjeti bizneset që nuk kanë lidhur kontrata, e që sipas ZRRE-së, janë rreth 8 për qind.

Por ZRRE-ja ka insistuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është një detyrim ligjor, i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi në vitin 2016.

Sipas këtij institucioni, kjo derivon nga obligimet kontraktuale që ka Kosova si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.