Bashkimi Evropian ka thënë se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë po i mban peng këto dy shtete drejt përparimit në integrimin evropian. Në deklaratën e bllokut, të lëshuar pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor, thuhet se normalizimi i marrëdhënieve është kusht për qasje në Instrumentin e BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike.
“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i mbajë prapa të dy partnerët në rrugën e tyre evropiane. Të gjitha marrëveshjet e arritura nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, veçanërisht Marrëveshja për normalizim dhe Aneksi për zbatim. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor është e kushtëzuar nga angazhimi konstruktiv i partnerëve me progres dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në deklaratë.
Be-ja ka theksuar se lidhjet me Ballkanin Perëndimor përbëjnë një raport të fortë strategjik, teksa ka shtuar se agresioni i Rusisë në Ukrainë ngreh nevojën për lidhje edhe më të ngushta.
Në deklaratën e bllokut evropian theksohet se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian”.
“Zgjerimi është një mundësi reale, e cila duhet të shfrytëzohet”, thuhet në deklaratë.
Në samit u diskutua për integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor, në veçanti në tregun e vetëm të BE-së, që tha se sjellë “përfitime konkrete për qytetarët”, përfshirë këtu përmes nismave digjitale, uljes së kostove të roamingut e të tjera.