BE-ja “e gatshme” të organizojë takime kur palët të jenë gati
Kriza institucionale në Kosovë, protestat në Serbi dhe pafuqia e Bashkimit Evropian, kanë bërë që për muaj të tërë të mos ketë ndonjë zhvillim domethënës në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Në këto rrethana zyrtarët e BE-së kur pyeten për dialogun nuk kanë çfarë të thonë pos të përsërisin atë që dëgjohet për shumë vite, se “BE-ja po punon me palët”, se “dialogu është i rëndësishëm për rrugëtimin evropian” dhe se BE-ja është e gatshme të organizojë takim mes palëve kur ato të jenë gati.
Kështu janë përgjigjur përmes një zëdhënësi në BE edhe në pyetjet se a mund të pritet ndonjë zhvillim në procesin e dialogut, sidomos pas mesazhit që ka dhënë edhe presidenti i Francës Emmanuel Macron të dielën pas një bisede që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“BE-ja, si lehtësuese e dialogut, është duke punuar me palët drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që do t’i adresojë të gjitha çështjet e hapura. BE-ja pret nga Serbia dhe Kosova që t’i përmbushin detyrimet e tyre nga dialogu duke pasur parasysh lidhjen direkte të normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve me perspektivën në aspiratat e tyre drejt BE-së. Rruga për në Bashkimin Evropian për të dyja palët shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit.
Sa i përket mundësive që të ketë takime te reja në procesin e dialogut, BE-ja e lidh këtë me gatishmërinë e palëve.
“Dialogu vazhdon me takime të rregullta bilaterale dhe trilaterale në nivel teknik dhe të kryenegociatorëve. Takimi i fundit ishte në muajin qershor. BE-ja mbetet e gatshme të organizojë një raund të radhës të bisedimeve sapo palët të sinjalizojnë gatishmërinë, përfshirë edhe në nivelin më të lartë. Takim i radhës do të shpallet në kohën e duhur”, thuhet në përgjigje.
Këto janë përgjigje të përgjithshme dhe ato janë dhënë në të njëjtën mënyrë edhe më herët.
Edhe
BE: Nuk ndryshojnë obligimet e Serbisë nga dialogu me Kosovën
Ndërkohë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur edhe më shumë pas disa arrestimeve që kanë ndodhur edhe në Kosovë edhe në Serbi. BE-ja ka bërë ftesë që “të shmangen veprimet e njëanshme që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe shkojnë kundër frymës së normalizimit”.
Disa diplomatë evropianë janë shprehur se nuk besojnë që së shpejti mund të ketë ndonjë zhvillim të rëndësishëm në procesin e dialogut. Nuk shohin gatishmëri tek asnjëra palë. Madje edhe për takimet e rralla që janë zhvilluar muajve të fundit diplomatët thonë se kanë shërbyer vetëm që palët të përsërisin qëndrimet e tyre dhe të adresojnë akuza ndaj njëra tjetrës.
-
BE-ja e gatshme të organizojë së shpejti takim të nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi
-
BE-ja pret një “fillim të ri” në raportet me Kosovën
-
BE: Integrimi i Kosovës dhe Serbisë, i kushtëzuar nga angazhimi në normalizimin e marrëdhënieve
-
Kos për REL: Po presim formimin e Qeverisë së re që të angazhohemi më shumë me Kosovën për dialogun