Arbëri

Osmani: Ka elemente pozitive për heqjen e plotë të masave të BE-së

osmani

Në Bruksel është zhvilluar të mërkurën samiti vjetor BE-Ballkani Perëndimor, në të cilin ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ky samit është zhvilluar në ditën kur Komisioni Evropian ka njoftuar për heqjen e një pjese të masave ndëshkuese që BE-ja ia ka vendosur Kosovës më 2023. E presidentja Osmani ka thënë se nga takimet që i ka pasur në Bruksel ka parë elemente pozitive edhe për heqjen e plotë të masave

Është zhvilluar të mërkurën në Bruksel samiti i vendeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, në të cilin ka marrë pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ky samit është tashmë i rregullt në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, e në të cilin konfirmohet po ashtu përkushtimi për ta vazhduar procesin e zgjerimit të bllokut evropian edhe me vendet e rajonit.

Para nisjes së samitit, presidentja Osmani e ka përshëndetur vendimin e një dite më parë të Komisionit Evropian (KE) për heqjen e pjesshme të masave ndëshkuese, të cilat BE-ja ia pati vendosur Kosovës më 2023. 

Ajo ka theksuar se nga takimet që i ka mbajtur gjatë ditës me përfaqësues të BE-së ka parë elemente pozitive për heqjen e plotë të masave për Kosovën.

“Është lajm i mirë që kemi heqje të pjesshme të masave, të cilat edhe ashtu ishin të padrejta, të BE-së, në raport me Kosovën, mirëpo do të punojmë shumë afër me partnerët tanë që shumë shpejt të merret vendimi edhe për heqjen e plotë të tyre dhe kemi, do të thosha, elemente pozitive, në diskutimet që kisha sot gjatë ditës dhe shpresoj shumë që të kemi heqjen e plotë të masave sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë ajo. 

Osmani në Bruksel është takuar të mërkurën me shefen e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, e të cilës ia ka shprehur domosdoshmërinë për heqjen e plotë të masave, “meqë të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian tanimë janë plotësuar”.

Të njëjtën kërkesë ajo ia ka përcjellë edhe presidentit të Këshillit të BE-së, Antonio Costa, të cilin e ka takuar në prag të nisjes së samitit.

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur të mërkurën se është njoftuar nga Komisioni Evropian se ky institucion “ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës”.

Sipas Bislimit, bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.
E Osmani e ka shprehur qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga blloku evropian dhe se më “nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura”.

Masat ndaj Kosovës, BE-ja i pati vendosur në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e  banuar kryesisht me serbë. Blloku evropian e ka nisur heqjen graduale të masave, porse zyrtarë në Kosovë insistojnë se vazhdimi i tyre është vendim i padrejtë dhe kushtet janë plotësuar. Situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar ndërsa kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar. 

Në samitin e së mërkurës në Bruksel nuk ka marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka vendosur që asnjë përfaqësues nga shteti i tij të mos jetë i pranishëm në këtë takim.

Disa liderë të rajonit nuk e kanë komentuar mospjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Serbia teksa kryeministri i Kroacisë, Andej Plenkoviq, ka thënë se i takon vetë Beogradit zyrtar që të sqarojë se përse e ka marrë një vendim të tillë.

E për presidenten Osmani ka qenë e pavërejtëshme mungesa e Vuçiqit në samit.

“Nuk e paskam vërejtur mungesën e tyre. E vetmja gjë që Serbia ka sjellë ndonjëherë në këtë samit ka qenë prezenca e një shteti që i mbron interesat e Rusisë. Kështu që, nuk është se do të na mungojë shumë në këtë samit sonte”, është shprehur ajo.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë përparuar më së shumti në rrugën evropiane, teksa Kosova mbetet vendi i vetëm që ende nuk ka statusin e vendit kandidat.

Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të 2022-tës porse që atëherë kjo kërkesë nuk ka kaluar as në fazën e parë formale të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian. Në draft-deklaratën e samitit, përmendet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Aty thuhet se “mungesa e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit po mban të dy shtetet të bllokuara në rrugën evropiane”.

“Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, veçmas Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i saj. Mbështetja nën Reformën për Ballkanin Perëndimor dhe Rritjen është e kushtëzuar me angazhimin konstruktiv të partnerëve dhe përparimin e matshëm dhe rezultate konkrete në normalizimin e raporteve të tyre”, thuhet në dokument.

Që nga shtatori i 2023-tës, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë, nuk është mbajtur asnjë rund i nivelit të lartë në Bruksel. Marrëveshja që përmendet në draft-deklaratë është arritur më 2023, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë. BE-ja vlerëson se marrëveshja është e detyrueshme si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën dhe vazhdimisht e ka kërkuar zbatimin e saj dhe të aneksit.
Kjo marrëveshje, me 11 nene, veç tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Në Bruksel, të enjten do të zhvillohet samiti i vendeve anëtare të BE-së porse gjatë saj, zgjerimi i bllokut nuk pritet që të jetë ndër temat kryesore.