Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Baraliu: Zgjedhja e presidentes kushtetuese, kompromisi LVV-PDK u bë për interesa politike

baraliu

Mazllum Baraliu, njohës kushtetues, ka thënë se mënyra si u zgjodh presidentja e Kosovës natën mes të martës dhe të mërkurës u bë në mënyrë kushtetuese. “Kemi një presidente të zgjedhur në mënyrë kushtetuese”, ka theksuar ai në KTV. 

Baraliu ka shtuar se megjithatë kompromisi i arritur për zgjedhjen e presidentes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës ishte për interesa të tyre politikë. 

“Ajo që është bërë është plotësisht në frymën e Kushtetutës dhe ligjit dhe procedurave të Rregullores së Kuvendit”. 

Sipas Baraliut, PDK-ja ka pasur synim zgjedhje të reja me mendimin se mund të ketë votues të rinj me situatën e krijuar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së. 

“Ajo që u pa qartë si duket PDK ka pasur synim të shkojë në zgjedhje duke menduar se energjia e krijuar me protesta mund të jetë favori i saj për të marrë më shumë vota. Në anën tjetër, kompromisi i ofruar nga VV-ja dëshmoi se megjithatë se ka pasur një gjykim shtetëror në kuptimin e respektit ndaj shtetit dhe qytetarit, e bënë në momentin e fundit duke parë energjinë e popullit që mund të shkaktonte pasoja deri në luftë qytetare. Kompromisin e ka bërë LVV-ja, jo PDK-ja. PDK ka vazhduar duke dashur ta vë një kauzë në plan të parë dhe duke mos e respektuar atë kauzë sa duhet... Nuk mund të lavdërohen se kanë bërë punë të mëdha, në momentin e fundit parësisht për interesa të tyre kanë bë një kompromis, sidoqoftë është mirë”, ka thënë ai.

Ndërsa foli për Ligjin e ri për Gjykatën Speciale, të miratuar nga Kuvendi të martën, Baraliu e ka kritikuar PDK-në se nuk e ka bërë më gjithëpërfshirës. 

“Ai ligj është dashur të jetë shumë më përmbajtjesor dhe shumë më gjithëpërfshirës. Nuk e prek fare procesin e ankimimit, e lejon që gabimi që është bë në shkallën e parë të bëhet edhe në shkallën e dytë. Shumë pak kanë përfshirë, këta që e kanë bë nuk kanë kurajë”.