Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Baraliu: PDK-ja me sjellje tekanjoze, VV-ja në gjumë dimëror për Specialen

Mazllum Baraliu

Mazllum Baraliu, profesor i së Drejtës kushtetuese, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe pushteti aktual është “në gjumë dimëror” sa i përket veprimeve pas verdiktit të Gjykatës Speciale.

Më 16 shtator, Specialja dënoi me 81 vjet burgim katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.

Në “tre8tre” në KTV, Baraliu ka thënë se të gjitha partitë duhet të bëhen bashkë urgjentisht e të heqin kushtet ndaj njëra-tjetrës. Sipas tij, vënia e kushteve për presidentin dhe ndërlidhja me votimin e ndryshimeve të Ligjit të Speciales është gabim dhe veprim i pamatur nga Partia Demokratike e Kosovës. E sipas tij, gabime po bën edhe pushteti i Vetëvendosjes.

“Kjo është sjellje iracionale. Goditje në gjurin e vet. PDK-ja sepse të gjithë e kemi urgjent këtë ligj, çështjen e përgatitjes për Apel për katërshen tonë atje e do të duhej të mos venim kushte. Sjellja e tillë tekanjoze se jo këtë duam ta bëjmë e atë më vonë, siç deklaruan eksponentë të kësaj partie....”, ka thënë ai për PDK-në duke vazhduar me kritika për VV-në. “Po heshtin sikur janë në gjumin dimëror të ariut të veriut. Si është e mundur kjo. Jo po thonë ‘do ta trajtojmë me vëmendje’. Çka ke ta trajtosh. Afati është 30 ditor për të përgatitur apelin, por t’i bëje për tri orë.... Kemi ofruar juristët që të bëhet menjëherë sepse nuk do shumë punë ajo... Janë në gjumin e ariut të veriut. Është për keqardhje sepse po vazhdojnë lojën sikur s’ka ndodhur asgjë. Neve po na rrezikohen themelet e shtetit”, ka thënë ai.

PDK-ja ka dorëzuar në Kuvend dhe Qeveri propozimet për ndryshim të këtij ligji, duke synuar që çështjet që nuk lidhen me akuzat për trafikim organesh, të barten në Kosovë, për shkallët e tjera të gjykimit.