Agjencia Antikorrupsion ka nxjerr vendim, se Hajriz Koca, i emëruar Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Inovacionit është në konflikt interesi për këtë pozitë.
Siç thuhet në pikën e parë të këtij vendimi, kjo “për shkak se deri para se të zgjidhej dhe emërohet në këtë pozitë i njëjti ishte Këshilltar politik i Ministrit të po kësaj Ministrie”.
“Kjo situatë bie ndesh me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit e funksionit politik”, thuhet më tej në këtë pikë të vendimit, përcjell Koha.net.
“Agjencia do të kërkojë nga institucioni ku zyrtari i lartë ushtron funksionin që të fillojë procedurat për shkarkimin e tij”, thuhet në pikën e dytë të vendimit.
Vetë Koca nuk ka dashur ta komentojë këtë vendim. E ka lënë për nesër.
“Nesër gjatë ditës do t’ju jap qëndrimin tim në lidhje me këtë çështje”, i ka thënë Koca KTV-së.
Kjo Agjenci ia ka konfirmuar KTV-së se ka nisur letërkëmbimet me Kocën, për ta parë mundësinë e konfliktit të interesit.
Para se të emërohej në këtë pozitë në fund të vitit të kaluar, Koca ka qenë këshilltar politik i ish-ministrit të Inovacionit, Besim Beqaj.
Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, neni 18, përcakton kufizimet kohore ndërmjet emërimeve të tilla të zyrtarëve.
Hajriz Koca, që ka lidhje familjare me Sami Lushtakun, ka qenë drejtor e zëdhënës i Komunës së Skenderajt, në kohën sa komuna udhëhiqej nga njeriu i PDK-së.
{gallery}