Arbëri

Antikorrupsioni heton sekretarin e Ministrisë së Inovacionit për konflikt interesi

Disa muaj pas emërimit e disa javë pas raportimit në KTV, Agjencia Kundër Korrupsionit është mobilizuar për ta hetuar Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Inovacionit, Hajriz Koca.

Kjo agjenci ia ka konfirmuar televizionit se ka nisur letërkëmbimet me Kocën, për ta parë mundësinë e konfliktit të interesit.

Para se të emërohej në këtë pozitë në fund të vitit të kaluar, Koca ka qenë këshilltar politik i ish-ministrit të Inovacionit, Besim Beqaj.

“Ajo që mund të themi tash për tash, është fakti se Agjencia Kundër Korrupsionit është në proces të trajtimit të këtij rasti dhe gjatë këtij procesi ka edhe letërkëmbim, sipas nevojës dhe sipas procedurave, ka edhe takime me palën, po ashtu sipas procedurave ligjore. Por, përderisa rasti nuk merr epilogun përfundimtar, e gjithë kjo mbetet procedurë konfidenciale mes AKK-së dhe palës, në këtë rast zyrtarit të lartë, z.Koca”, ka thënë për KTV-në Agjencia Kundër Korrupsionit.

Ndërkaq, Ministria e Inovacionit, fillimisht ka premtuar se rreth kësaj çështjeje do të kthejë përgjigje, por një gjë të tillë nuk e ka bërë.

Gjatë së enjtes, as Hajriz Koca nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KTV-së.

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, neni 18, përcakton kufizimet kohore ndërmjet emërimeve të tilla të zyrtarëve.

Hajriz Koca, që ka lidhje familjare me Sami Lushtakun, ka qenë drejtor e zëdhënës i Komunës së Skenderajt, në kohën sa komuna udhëhiqej nga njeriu i PDK-së.