Kosova ka pranuar ftesën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, gjë që presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar zhvillim të rëndësisë historike për shtetin.
E, analisti politik Ben Andoni ka thënë se si Kosova ashtu edhe Shqipëria me pjesëmarrjen në këtë Bord do të marrin detyrime shumë të mëdha. Sipas tij, do të ekzistojë mundësia që të dyja shteteve t’u kërkohet të pranojnë palestinezë.
“Ajo që më shqetëson është që vendet tona duket që do kenë detyrime shumë të mëdha në këtë pjesëmarrje të Bordit. Sepse politikën e bëjnë fuqitë e mëdha, në këtë rast SHBA, dhe dyshoj që në të ardhmen Shqipëria dhe Kosova do jenë vende që do mbartin palestinezë. Ka muaj që Kosova është në bisedime me Danimarkën dhe Belgjikën për të ndërtuar subjekte mbajtëse të të dënuarve dhe Shqipëria me këtë përvojë, aty ka afganë e muxhahedinë iranianë, nuk është çudi që Bordi i Paqes të na ngarkojë edhe me një masë palestinezësh në vend”, ka thënë ai në “Interaktiv”.
Andoni ka deklaruar se ende nuk është i qartë misioni i Bordit dhe se shteteve do t’u kërkohet të angazhohen në periudha të mëvonshme sipas direktivave të SHBA-së.
“Nga drafti duket se disa gjëra i bëjnë vendet tona periferike dhe vendet tona më shumë janë vende që do angazhohen në kohën e mëpastajme kur bordi i ngushtë dhe kryetari i këtij bordi do japin direktivat e tyre. Aty shikohet struktura organizative e saj që është më e centralizuar dhe akoma nuk po qartësohet misioni real i saj. Jo më kot vendet potente si Norvegjia që ende po heziton, Franca, Suedia, nuk do marrin pjesë në forumin e paqes”, u shpreh ai.
Sa i përket pjesëmarrjes në Bordin e Paqes, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar që nëse një shtet dëshiron të jetë pjesë e këtij bordi pas tri vitesh, atëherë duhet të paguajë 1 miliard euro.
Për këtë, analisti nga Shqipëria Ben Andoni, deklaroi se sidomos Kosova, e ka të pamundur të thotë jo ndaj çdo gjëje që vie nga SHBA-ja.
“Qoftë Shqipëria, por më shumë Kosova e ka të pamundur të thotë jo ndaj çdo gjëje që vie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siguria e Kosova vërtetë është e mbrojtur nga KFOR-i por ne e dimë shumë mirë që po të mos jenë amerikanët në KFOR dhe autoriteti i tyre e ndikimi nga SHBA-ja, atëherë Kosova do të kishte incidente të vazhdueshme nga Serbia”, ka deklaruar Andoni në emisionin “Interaktiv” në KTV.
Bordi i Paqes është mekanizëm i themeluar nga presidenti amerikan, si pjesë e planit të tij për mobilizimin e burimeve ndërkombëtare për paqen dhe zhvillimin në Gazë.
Por, Franca, Norvegjia dhe Suedia nuk kanë pranuar t’i bashkohen këtij Bordi edhe pse përkrahin planin për paqe në Gazë. Ato kanë shprehur shqetësimin se ky institucion synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara si vendtakimin kryesor për zgjidhjen e konflikteve. Pjesë e Bordit nuk do të jetë as Italia. Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Egjipti, Hungaria, Kazakistani, Pakistani, Emiratet e Bashkuara Arabe e Vietnami janë në mesin e shteteve që kanë konfirmuar pjesëmarrjen.