Aktori i njohur francez, Gerard Depardieu, ka tërhequr apelin kundër dënimit për sulm seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të një filmi në vitin 2021. Për herë të parë, ai u ka kërkuar falje publike grave që e denoncuan, ka shkruar The Guardian.
“Jam shpallur fajtor. E dëgjoj këtë vendim dhe e pranoj. U kërkoj falje të thellë dhe të sinqertë të gjitha atyre që kanë vuajtur”, thuhet ne deklaratë me shkrim të 77-vjeçarit.
Aktori ka pranuar se për një kohë të gjatë ishte fshehur pas provokimeve dhe humorit të papërshtatshëm në sheshxhirime. Ai ka thënë se tashmë e kupton se fjalët dhe disa nga veprimet e tij kanë pasur pasoja, sidomos duke pasur parasysh pozitën e tij të fuqishme në industrinë e filmit.
“Edhe nëse nuk kam pasur kurrë qëllim t’i lëndoj gratë me të cilat jam përballur, kam kuptuar se qëllimi nuk e ndryshon dëmin e shkaktuar”, u shpreh ai.
Depardieu u shpall fajtor vitin e kaluar për sulm seksual ndaj një gruaje që merrej me dekorin 55-vjeçare dhe një ndihmësregjisoreje 35-vjeçare, gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets Verts” në Paris, në shtator të vitit 2021.
Me tërheqjen e apelit, dënimi me kusht mbetet në fuqi, ndërsa emri i aktorit do të regjistrohet në regjistrin francez të personave të dënuar për vepra seksuale.
Njëra nga gratë, e identifikuar në media si Amelie, ka thënë se kishte pritur prej vitesh këtë kërkimfalje, por se do të kishte preferuar që aktori ta kishte bërë personalisht në gjykatë.
“Përbindëshi i kinemasë ka rënë”, ka deklaruar gruaja tjetër, e identifikuar si Sarah.
Dënimi i Depardieu u konsiderua një moment i rëndësishëm për lëvizjen #MeToo në Francë. Ai u bë figura më e njohur e industrisë franceze të filmit e dënuar për sulm seksual, pas vitesh kritikash ndaj mënyrës se si vendi i kishte trajtuar akuzat e grave për abuzim.
Aktori i kishte mohuar më parë të gjitha akuzat dhe kishte kritikuar ashpër lëvizjen #MeToo. Gjatë gjyqit, ai pretendoi se mediat po i përdornin akuzat për të dëmtuar reputacionin e tij.
Ndërkohë, Depardieu përballet edhe me një çështje tjetër gjyqësore. Ai ka apeluar vendimin që e detyron të dalë në gjyq për akuzat për përdhunim dhe sulm seksual ndaj aktores Charlotte Arnould, në banesën e tij në Paris, në vitin 2018. Gjykata pritet të vendosë këtë muaj nëse procesi do të vazhdojë vitin e ardhshëm.
Në muajin dhjetor të vitit 2023, presidenti francez Emmanuel Macron kishte dalë në mbrojtje të aktorit, duke deklaruar se Depardieu “e bën Francën krenare”, pavarësisht hetimeve dhe akuzave ndaj tij.