Udhëtimi ajror në SHBA ka dhënë shenja të rikthimit gradual në normalitet të hënën, pasi disa ditë me ndërprerje të mëdha të trafikut ajror lanë mijëra pasagjerë të bllokuar dhe shkaktuan anulimin e shumë fluturimeve në të gjithë vendin.
Situata në orët e para të së hënës është përmirësuar ndjeshëm, duke u shënuar më pak se 300 fluturime të anuluara dhe rreth 1.000 të tjera të vonuara, krahasuar me rreth 2.300 anulime dhe më shumë se 10.000 vonesa të dielën, sipas faqes së monitorimit të fluturimeve FlightAware.
Në përditësimin e fundit, American Airlines ka bërë të ditur se ishte “e përgatitur të operonte të hënën me një orar kryesisht normal të fluturimeve”.
“Jemi të përgatitur për një fillim të mirë të javës dhe nuk parashikojmë anulime të tjera të gjera të fluturimeve, si pasojë e kësaj ngjarjeje jashtëzakonisht shqetësuese që ka prekur të gjithë industrinë”, ka thënë kompania.
Edhe Delta Air Lines ka shprehur pritshmëri pozitive, duke deklaruar të dielën se “shumica e fluturimeve po operojnë normalisht”, megjithëse ka paralajmëqruar se disa pasagjerë “mund të përballen ende me vonesa ose anulime”.
Edhe
Fluturimet në SHBA rifillojnë gradualisht pas ndërprerjes së trafikut ajror
Southwest Airlines ka thënë se të dielën ishte “rikthyer kryesisht në një orar të plotë fluturimesh”, ndërsa Alaska Airlines ka raportuar se operacionet e saj “në pjesën më të madhe janë rikuperuar”.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean P. Duffy, ka shprehur të dielën besimin se ndërprerjet do të lehtësoheshin gradualisht gjatë orëve në vijim.
Ndërprerjet nisën të premten, kur Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi ndalimin e fluturimeve në të gjithë vendin, duke detyruar avionët të qëndronin në tokë për më shumë se katër orë, pas një defekti në komunikim që preku sistemet e kontrollit të trafikut ajror.
Urdhri u hoq po atë mbrëmje, por pasojat zinxhir të ndërprerjes vazhduan edhe gjatë fundjavës.
Zyrtarët kanë fajësuar punimet e mirëmbajtjes për zëvendësimin e kabllove të vjetra prej bakri me kabllo me fibra optike, por shkaku i saktë i problemit është ende nën hetim.
Edhe
SHBA-ja thotë se mbingarkesa e sistemit ishte shkak i ndalimit të fluturimeve
Presidenti Donald Trump ka qëndruar kryesisht i heshtur publikisht gjatë krizës së fundjavës, duke bërë komentet e para për këtë çështje të dielën.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump ka kritikuar gjendjen e sistemit të kontrollit të trafikut ajror në vend dhe ka fajësuar administratën e mëparshme, si dhe mungesën e financimit nga Kongresi.
“Administrata Biden ishte një katastrofë për FAA-në. Gjithçka që prekën shkoi keq. U shpenzuan shumë para në mënyrë të pamenduar, duke e bërë një sistem të vjetër dhe të dëmtuar edhe më keq se sa ishte kur ata morën drejtimin”, ka shkruar ai.
Mirëpo sekretari Duffy, në një intervistë të veçantë për CNN të dielën, ka thënë se merrte përgjegjësinë “për atë që i ishte lënë nga administratat e mëparshme”, ndërsa ka përsëritur thirrjen për miliarda dollarë financime shtesë për modernizimin e sistemeve të vjetruara të kontrollit të trafikut ajror.
Edhe
Ndalohen të gjitha fluturimet në SHBA
“Le ta lëmë mënjanë partizanizmin. Ushtroni mbikëqyrje ndaj meje, më pyesni se si do t'i shpenzoj paratë dhe sigurohuni që t'i përdor siç duhet. Por më jepni burimet e nevojshme për të ndërtuar një sistem në shërbim të popullit amerikan”, ka thënë Duffy.
Ndërkohë, senatori demokrat, Chris Van Hollen nga Maryland ka akuzuar administratën Trump se po përpiqej t'ia kalonte përgjegjësinë Kongresit, ndonëse kishte marrë tashmë fonde për përmirësimin e sistemit të aviacionit.