Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Fluturimet në SHBA rifillojnë gradualisht pas ndërprerjes së trafikut ajror

fluturime

Fluturimet në Shtetet e Bashkuara kanë nisur të rifillojnë gradualisht, pasi ishin pezulluar për disa orë të premten për shkak të një ndërprerjeje të madhe në sistemin e komunikimit. 

Megjithatë, autoritetet kanë paralajmëruar se rikthimi i plotë në normalitet do të marrë kohë, raporton The Guardian.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) e hoqi ndalesën për të gjitha fluturimet në vend rreth katër orë pasi e kishte vendosur, të premten pasdite. Sipas platformës FlightAware, e cila përcjell lëvizjet e avionëve, më shumë se 11 mijë fluturime pësuan vonesa ose u anuluan, duke shkaktuar kaos të papritur në aeroporte.

FAA-ja konfirmoi në faqen e saj se hapësira ajrore ishte rihapur. “Pra, në orën 20:15 sipas kohës lindore, ne e kemi hapur hapësirën ajrore”, tha sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy. Ai shtoi se do të nevojitej kohë për të rikthyer gjithçka në gjendjen e mëparshme, pas problemeve të shkaktuara gjatë pasdites.

Duffy tha se qeveria federale e kishte identifikuar problemin që shkaktoi ndërprerjen e sistemit të kontrollit të trafikut ajror dhe se sistemi tashmë ishte funksional.

Gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë, të premten në mbrëmje, Duffy shpjegoi se problemet nisën në orën 15:36, kur qendrat e kontrollit të trafikut ajror përjetuan paqëndrueshmëri në sistemet e radarëve dhe të komunikimit.

“Ne kemi një sistem të kontrollit të trafikut ajror jashtëzakonisht të vjetër. Ruterët tanë u mbingarkuan me të dhëna dhe filluan të japin informacione të pasakta. Për këtë arsye, e ndalëm sistemin”, tha ai.

Megjithatë, konferenca e përbashkët e Duffyt dhe sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, u shndërrua shpejt në një thirrje drejtuar Kongresit për të siguruar financimin e plotë të ndërtimit të një sistemi krejtësisht të ri të kontrollit të trafikut ajror.

Më herët, FAA-ja kishte njoftuar se ndalesa e fluturimeve ishte vendosur për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme dhe për arsye sigurie.

Duffy bëri të ditur se në momentin kur u vendos ndalesa, më shumë se 3 mijë e 500 avionë ndodheshin në ajër.

Ndërkaq, Mullin tha në një konferencë për media se hetimet paraprake nuk kanë dhënë shenja se ndërprerja ishte shkaktuar nga ndonjë sulm i qëllimshëm.