Botë

Më shumë se 10 vende kanë pranuar t’i bashkohen Bordit të Paqes të Trumpit

Donald Trump

Foto: Associated Press

Më shumë se 10 vende kanë rënë dakord t’i bashkohen “Bordit të Paqes” për Gazën të presidentit Trump, kanë thënë për CBS Neës burime të njohura me diskutimet, megjithëse jo të gjitha e kanë bërë publike këtë vendim.

Izraeli, Egjipti, Azerbajxhani, Kosova, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bjellorusia, Maroku, Hungaria dhe Kanadaja kanë njoftuar se po e pranojnë ftesën e tij.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka konfirmuar këtë të mërkurën, ashtu si edhe ministria e Jashtme e Egjiptit.

Sipas vizionit të presidentit, grupi do të përbëhet nga udhëheqës botërorë, me të si kryetar. Vendet mund të kontribuojnë 1 miliard dollarë për t’u bërë anëtare të përhershme, në vend të një anëtarësimi tipik trevjeçar, ka thënë Shtëpia e Bardhë, megjithëse Kanadaja ka deklaruar se nuk do të paguajë për t’u bashkuar.

Disa vende do të kontribuojnë shumë më pak, ndoshta rreth 20 milionë dollarë, ka thënë një nga burimet.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i ka thënë CBS News gjatë fundjavës se “pothuajse çdo dollar” i mbledhur do të shpenzohej për mandatin e bordit në Gazë. Mbledhja e fondeve për rindërtimin e Gazës do të jetë një përpjekje e veçantë, ka thënë një zyrtar amerikan.

Një tjetër zyrtar amerikan i ka thënë CBS News se presidenti dëshiron të organizojë një ceremoni nënshkrimi për bordin në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të enjten dhe se po shqyrton nëse puna e bordit duhet të shtrihet përtej Gazës, madje ndoshta të shndërrohet në një rival të Kombeve të Bashkuara.

Por formimi i këtij grupi po përballet me pengesa serioze nga aleatët e SHBA-së, veçanërisht për shkak të synimeve të Trumpit për të marrë Grenlandën. Ai nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për ta bërë këtë. 

Mbështetja e ulët për bordin mund të jetë e turpshme për administratën në Davos.

Norvegjia dhe Suedia kanë thënë të mërkurën se nuk do të bashkohen, të paktën tani për tani, për shkak të shqetësimeve mbi kushtet e anëtarësimit.

Rusia është ftuar të marrë pjesë, pavarësisht sulmit të saj të vazhdueshëm ndaj Ukrainës dhe deklaratave të administratës Trump se Kremlini përbën një kërcënim aq të madh për sigurinë kombëtare, saqë SHBA-ja duhet të marrë Grenlandën për ta kundërshtuar atë.

Të hënën në mbrëmje, presidenti amerikan ka kërcënuar Francën me tarifa prej 200% mbi verën dhe shampanjën franceze, gjë që ka gjasa t’i bëjë këto produkte shumë më të shtrenjta për amerikanët, nëse francezët nuk i bashkohen bordit. 

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë të ditur nëse Trumpi ishte serioz apo po bënte shaka. Për momentin, Franca nuk synon t’i japë një përgjigje pozitive SHBA-së, sipas një burimi të njohur me diskutimet e saj

Shtëpia e Bardhë thotë se Bordi i Paqes do të “luajë një rol thelbësor në përmbushjen e të 20 pikave të planit të presidentit për Gazën, duke ofruar mbikëqyrje strategjike, duke mobilizuar burime ndërkombëtare dhe duke siguruar llogaridhënie, ndërsa Gaza kalon nga konflikti drejt paqes dhe zhvillimit.”