Arbëri

Ambasadori francez u bën thirrje liderëve: Gjeni kompromisin për të dalë nga ngërçi politik

GIROT

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, u ka bërë thirrje liderëve politikë të Kosovës që të gjejnë rrugën drejt kompromisit dhe të sigurojnë funksionimin e institucioneve shtetërore.

Gjatë pritjes zyrtare të organizuar me rastin e Festës Kombëtare franceze në Kosovë, ku ishin të ftuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare, ambasadori Guerot theksoi se për të nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare që janë në interes të Kosovës, vendi ka nevojë për një Kuvend funksional dhe një Qeveri të mbështetur nga ai Kuvend.

“Jam shumë i kënaqur dhe krenar për punën e kryer nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), e cila, në 18 muajt e saj në Kosovë, ka zhvilluar tashmë disa projekte shumë ambicioze. Janë nënshkruar dy memorandume mirëkuptimi midis AFD-së dhe ministrive. Pres me padurim finalizimin e kësaj pune, e cila arrin në dhjetëra milionë euro. Kjo më sjell te mesazhi im i dytë, i drejtuar me respektin më të madh udhëheqësve politikë të Kosovës, këtij vendi mik të Francës. Për të nënshkruar dhe ratifikuar këto marrëveshje, na duhet një kuvend dhe na duhet një qeveri e mbështetur nga ky kuvend. Qeveritë miqësore me Kosovën, përfshirë qeverinë franceze, kanë nevojë për partner për te ecur përpara dhe për të mbështeturKosovën në rrugën drejt integrimit evropian. Dhe integrimi evropian kërkon dialog të lehtësuar nga BE-ja. Më lejoni të ju bëjë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë në këtë vend, pa përjashtim, pavarësisht nga partia e tyre apo komuniteti që përfaqësojnë. Një thirrje që ata të gjejnë rrugën e tyre drejt kompromisit, të gjejnë rrugën e tyre për të dalë nga ngërçi me të cilin asnjë votues nuk është i kënaqur. Një thirrje për ta që të gjejnë mënyra për të siguruar funksionimin gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës", ka deklaruar Guerot.

Ai u shpreh se Franca do të vazhdojë të qëndrojë përkrahë Kosovës.

"Franca ka qenë, është dhe do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjithë diversistetin e saj, përkrah të gjitha komuniteteve që përbejnë shoqërinë kosovare. Gjatë vitit të kaluar, Ambasada ka shtuar përpjekjet e saj për shoqërinë civile. Në veçanti, ne kemi vazhduar punën tonë në mbështetje të OJQ-ve feministe. Nuk kam frikë nga fjala, sepse Franca zhvilloj diplomaci feministe në Kosovë dhe të të gjithë botën. Gjatë katër viteve të fundit, Franca ka qenë një nga donatorët kryesorë ndërkombëtarë në këtë fushë, duke mbështetur 1 mijë e 400 asociacione. Puna jonë këtu në Kosovë është pjesë e një iniciativë gjithëpërfshirëse të bazuar në dinjitetin e individit, pavarësisht nga gjinia, feja apo besimi, përkatësia, komunitetit apo orientimi seksual”, tha ai.

Në këtë ngjarje festive, me një video-mesazh u paraqit edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përshëndeti popullin francez dhe kujtoi vlerat universale të 14 Korrikut.

"Një nga momentet më përcaktuese në historinë e kombit tuaj. Marrja e Bastijës në vitin 1789 dhe lindja e idealeve që kanë frymëzuar breza të tërë, jo vetëm në Francë, por në mbarë botën, liria, barazia dhe vëllazëria, mbeten një nga ditët më të ndritshme të historisë evropiane. Ishte një pikë kthese kur zëri i popullit e rishkroi rrjedhën e historisë, një ditë që vendosi individin në qendër të saj dhe na kujton se asnjë forcë nuk mund ta shuajë kurrë aspiratën njerëzore për liri. Edhe populli i Kosovës ka ecur në një rrugë të hidhur dhe të vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë. Në atë rrugëtim, një pjesë të barrës e mbajti themeluesi ynë, presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, një intelektual i formuar në Paris. Rugova solli në Kosovë frymën franceze, fuqinë e fjalës, të mendimit kritik dhe të paqes. Sot, Franca dhe Kosova qëndrojnë krah për krah, të bashkuara jo vetëm nga historia, por nga një miqësi e bazuar në vlera të përbashkëta. Dhe sot, ndërsa Franca feston, edhe ne festojmë me ju, sepse liria është thesari më i çmuar i njerëzimit", ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se Kosova ka qenë dhe mbetet e përkushtuar për anëtarësim në BE.

"Kjo datë nuk është vetëm një përkujtim i së kaluarës, por një përvjetor i vazhdueshëm i lirisë, i luftës njerëzore për drejtësi dhe i lindjes së qytetarisë moderne...Kosova, si një republikë e re, ka lindur në frymën e këtyre idealeve. Ne e kemi zgjedhur rrugën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, jo vetëm sepse është rruga më e drejtë, por sepse është rruga që e bën një vend të denjë për qytetarët e vet dhe një partner të besueshëm për shtetet e tjera...Në këtë rrugë, që është udhëtim drejt Evropës dhe Bashkimit Evropian, Kosova ka qenë dhe mbetet e përkushtuar. Ne e dimë se anëtarësimi në BE nuk është një shpërblim politik, por një përgjegjësi e madhe. Dhe jemi të gatshëm ta marrim këtë përgjegjësi, sepse Evropa nuk është vetëm një hapësirë ekonomike, por një projekt etik, një bashkësi vlerash që e sheh qytetarin jo vetëm si një numër që llogaritet, por si një subjekt të drejtësisë. Ne jemi të vetëdijshëm për pengesat, skepticizmin dhe politikën e ndërlikuar që ndonjëherë e zbeh rrugën përpara, por nuk dorëzohemi", ka thënë Kurti./KSP