Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Guerot partive: Gjejeni vetë kompromisin dhe daljen nga bllokimi

Olivier Guerot

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, u ka bërë thirrje liderëve politikë që të gjejnë kompromis dhe t’i japin fund bllokadës institucionale, duke theksuar se partnerët ndërkombëtarë kanë nevojë për institucione funksionale me të cilat mund të bashkëpunojnë.

Gjatë shënimit të Festës Kombëtare të Francës të martën në mbrëmje, të organizuar nga Ambasada e Francës në Prishtinë, Guerot ka thënë se mesazhi që kishte dhënë një vit më parë mbetet ende aktual, pavarësisht dy proceseve zgjedhore që janë zhvilluar ndërkohë.

“Teksa po përgatisja këtë fjalim të shkurtër, kërkova fjalimin tim të vitit të kaluar për të gjetur frymëzim. Aty hasa një paragraf që, për fat të keq, ndiej detyrimin ta përsëris: Është një mesazh i drejtuar me respekt udhëheqësve politikë të Kosovës. Për të nënshkruar marrëveshje me ju dhe për t'i zbatuar ato, ne kemi nevojë për institucione funksionale. Qeveritë mike të Kosovës, përfshirë edhe Qeverinë franceze, në emër të së cilës po flas, kanë nevojë për partnerë me të cilët mund të ecin përpara dhe ta shoqërojnë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Prandaj, më lejoni t’u bëj një thirrje të gjithë liderëve politikë të këtij vendi, pa përjashtim, pavarësisht partisë së cilës i përkasin apo komunitetit që përfaqësojnë. Një thirrje që ta gjejnë vetë rrugën e kompromisit, ta gjejnë vetë daljen nga situata e bllokimit, me të cilën asnjë qytetar nuk është i kënaqur. Një thirrje që të gjejnë rrugët për një funksionim gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës”, deklaroi Guerot, transmeton KP.

Ai shtoi se ky ishte i njëjti mesazh që kishte përcjellë edhe vitin e kaluar.

"Pas një viti dhe dy palë zgjedhjesh, ky mesazh mbetet aktual”, theksoi ambasadori francez.

Edhe Ambasadori francez: Për ta mbështetur Kosovën duhen institucione që funksionojnë mirë Arbëri 1 muaj më parë Ambasadori francez: Për ta mbështetur Kosovën duhen institucione që funksionojnë mirë

Guerot paralajmëroi gjithashtu një vizitë në Prishtinë të një anëtari të Qeverisë franceze, duke theksuar se ajo do të shënojë nisjen e një procesi të rëndësishëm të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Po punojmë me ekipet tuaja për vizitën e një anëtari të Qeverisë franceze në Prishtinë, në të ardhmen e afërt. Jam i bindur se kjo vizitë do të shënojë fillimin e një procesi në të cilin Franca do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, u shpreh ai.

Në ceremoni foli edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili vlerësoi rolin historik të Francës dhe mbështetjen që ajo i ka dhënë Kosovës.

Sipas Kurtit, Franca ka qenë një aleate e rëndësishme në momentet vendimtare për Kosovën, duke kujtuar mbështetjen gjatë luftës, njohjen e pavarësisë dhe kontributin në forcimin e shtetit dhe demokracisë.

Edhe Ambasadori francez: Kosovës i duhet qeveri me të cilën mund të punojmë Arbëri 6 muaj më parë Ambasadori francez: Kosovës i duhet qeveri me të cilën mund të punojmë

Ai ka thënë se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Francës po thellohet përmes dialogut politik, bashkëpunimit institucional, angazhimit kulturor dhe shkëmbimeve në arsim, ndërsa theksoi se rruga drejt Bashkimit Evropian mbetet një zgjedhje strategjike dhe demokratike për Kosovën.

“Për ne, Franca ka qenë një mike dhe aleate në momentet vendimtare. Ajo qëndroi pranë popullit tonë gjatë luftës, e njohu pavarësinë e Kosovës një ditë pas shpalljes së saj dhe ka vazhduar të na mbështesë në forcimin e shtetit dhe demokracisë sonë. Sot, partneriteti ynë po bëhet gjithnjë e më konkret dhe më përmbajtësor. Këtë e shohim përmes dialogut politik, bashkëpunimit institucional, angazhimit kulturor dhe shkëmbimeve në fushën e arsimit. Ai nuk kufizohet vetëm në deklarata; ai shndërrohet në punë konkrete, ndërton besim dhe i shërben një qëllimi. Dhe për Kosovën, ai qëllim është gjithashtu evropian. Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian nuk është vetëm një proces anëtarësimi; ajo është një zgjedhje demokratike, një disiplinë institucionale dhe vendi ynë i natyrshëm mes shteteve të Evropës”, ka thënë Kurti.