1 perditesime
20:42

Abrahams: Marrëveshja pa drejtësi për krimet e luftës vendos themelin për konflikt të ri politik

Fred Abrahams, hulumtues i organizatës “Human Rights Watch”, ka thënë se pa gjetur drejtësinë për krimet e luftës, një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë do të ishte vendosje e themelit për konflikt të ri politik.

Në një intervistë për Deskun e KOHËS, Abrahams ka thënë se një marrëveshje politike pa u vënë drejtësia do të ishte e paqëndrueshme.

“Janë dy shprehje që për mua tani përcaktojnë kohën e tanishme: personat e pagjetur dhe drejtësia e munguar. Dhe të dy shprehjet janë të mirëqena. Ne e dimë se ka shifra të larta të personave pagjetur, besoj se rreth 1.600 persona, ose më shumë, sepse një pjesë e atyre personave u zhdukën pas konfliktit, por ka edhe drejtësi të munguar. Ju e dini se Tribunali ishte krijuar për të shënjestruar zyrtarët më të lartë dhe e ka bërë atë, e ka bërë me lëshime, por e ka bërë. Por, asnjëherë nuk synoni si mekanizëm drejtësie të adresonte spektrin e gjerë, përmasat e krimeve që ishin kryer në krejt rajonin nga të gjitha palët e konfliktit. Dhe kjo bie në përgjegjësi të gjykatave lokale, në përgjegjësi të mekanizmave të brendshëm të drejtësisë, dhe qartazi se ato kanë ngecur tepër tepër shumë në këtë drejtim”, ka thënë Abrahams.

Sipas Abrahamsit, është skandaloze fakti që në tavolinën e ndërmjetësimeve ndërkombëtare nuk është përmendur asnjëherë çështja e zhvendosjes së qindra trupave nga Kosova për në Serbi.

“Çfarë dëshmie më të jashtëzakonshme të një krimi mund të keni se zhvendosja e trupave. Kështu që këto çështje nuk kanë zënë rol dominues në përpjekjet për ndërmjetësim. Ne kemi folur për këtë, po vazhdojmë të flasim me Bashkimin Evropian, sikurse edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse me administratën e tanishme kemi më pak kontakt, shumë pak kontakte, me administratën e Trumpit. Kjo është tjetër temë e ndonjë interviste tjetër, por ne i ngremë me ta llogaridhënien e krimeve të luftës, drejtësinë transicionale. Drejtësia transicionale duhet të jetë në thelb të ndërmjetësimit dhe të marrëveshjeve politike që do të arrihen, sepse t’u thuash njerëzve të ecim para dhe t’ua kthejmë shpinën disa ngjarjeve dramatike, mendoj se kjo është diçka e gabueshme. Mendoj se kjo është diçka që ka prekur çdo familje në rajon dhe nëse nuk e adresoni, ju po vini themelet e marrëveshjeve politike të paqëndrueshme që po shtyhen para, po vini themelin për një konflikt të ri politik. Kjo nuk është një dëshirë filozofike. Ky është një dizajnim pragmatik politik për të përfshirë llogaridhënien në mekanizmat politikë që duhet të shtyhen përpara”, ka shtuar ai.

Abrahams ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë institucione demokratike në vend. Sipas tij, për të bërë presion ndaj Serbisë qytetarët duhet kërkuar llogari nga liderët kosovarë dhe duke punuar dhe kërkuar llogari për korrupsionin e duke kërkuar që liderët të përfaqësojnë dëshirat e popullit e jo të tyret.

“Nëse kjo jetësohet, atëherë do të ketë një shteg më të qartë për angazhim më të sinqertë me palët e tjera”, ka thënë ai duke shtuar se duhet të ketë angazhim edhe në aspektin ndërkombëtar. “BE-ja ose SHBA-ja duhet të përfshijë drejtësinë në llogaridhënie në tavolinën e negociatave si pjesë e ndërmjetësimit për ripajtim, sikurse thashë më parë; t’u bëhet presion për ta bërë një gjë të tillë. Shiko, këto nuk janë thjesht ngjarje të papërshtatshme: ah, po, kishte një luftë dhe humbëm mijëra jetë njerëzish, 1.600 qytetarë ende janë të pagjetur. Le të gjejmë shtegdalje për të vazhduar bashkë. Kështu nuk do të funksionojë, nuk do të funksionojë. Kështu të vazhdohet të rrihet kjo pikë është qasje qenësore dhe pragmatike për të çarë përpara dhe kjo do të promovojë marrëdhënie më të harmonizuara”.

20:30

Abrahams kujton momentin e aktakuzës ndaj Milosheviqit, e quan fitore të drejtësisë

Hulumtuesi i organizatës “Human Rights Watch”, Fred Abrahams, ka kujtuar kohën kur është ngritur aktakuza ndaj Slobodan Milosheviqit dhe reagimet që i kishte sjell ky veprim i Tribunalilt të Hagës.

Abrahams, i ftuar në emisionin “Desku” në KTV ku u trajtua tema “Krimet e pandëshkuara”, tha se kishte ndier lumturi të skajshme kur para 21 viteve ishte ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj ish-presidentit të ish-Jugosllavisë.

Por, pak vite më vonë, më 2006, kishte ndier dëshpërim po aq të madh: Milosheviq vdiq pa arritur të presë verdiktin për krimet që kishte kryer në Kosovë.

Duke reflektuar për ngjarjen e 21 viteve më parë, Abrahams thotë se ishte me rëndësi të madhe, pasi po jepej mesazhi që deri atëherë nuk e kishte marrë askush. Sipas tij, ngritja e aktakuzës tregoi se as pushtetarët nuk janë imun. Ishte aktakuza e parë ndaj një prijësi të një vendi që po akuzohej për krime të luftës.

Ishte fitore e drejtësisë, thotë ai.

“Mendoj se ai mesazh rezonoi theksueshëm. Vetëm pse jeni president ose kryeministër, kjo nuk ju jep imunitet nga drejtësia. Shpresoj se ka kontribuuar dhe ka ndihmuar që njerëzve t’u mbushet mendja të mendohen dy herë para se të zbatojnë politika të tilla abuzive”, tha ai.

Abrahams tregoi edhe për shqetësimet e dilemat që kishte kur u ngrit aktakuza, më 27 maj 1999.

“Më kujtohen dy reagime të ndryshme ndaj aktakuzës. Dhe natyrisht se i pari ishte lumturi e skajshme. Ne mbase nuk kishim pritur se do ta shihnim këtë ditë. Dhe ne aktivistët ndërkombëtarë, mbase të gjithë, pothuajse të gjithë aktivistët, aktivistët kosovarë të të drejtave të njeriut dhe njerëzit e tjerë në rajon, të gjithë po shihnim këtë sjellje përbindëshe, këto sjellje, këto krime të tmerrshme kundër njerëzimit që po i dokumentonim, që po i raportonim, dhe më në fund të kishte një aktakuzë, të kishte një proces drejtësie që ky njeri dhe njerëzit e tjerë të viheshin para gjykatës, e dini, ishte një moment përnjëmend i gëzueshëm. Në anën tjetër, e kisha edhe hallin e kohës së ngritjes së saj dhe ajo po ngrihej gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, dhe shqetësohesha. Dhe nga ky fakt, koha e ngritjes së aktakuzës do të hapte derën për Gjykatën të politizohej çështja e aktakuzës, që do të mund të shihej si aktakuzë e politizuar – e që nuk mendoj se nuk ishte çështje e politizuar – por kjo e krijoi mundësinë për atë dyshim se kjo ishte drejtësi e fituesve, se kjo ishte fuqia e Perëndimit për ta nënshtruar popullin serb dhe ne e dimë gjithashtu se gjatë gjykimit, ai (Milosheviqi) e përdori këtë kartë. Isha paksa i shqetësuar për këtë gjatë asaj kohe”, tha Abrahams.

Ai tregon se arsye për frikë ishte grumbullimi i dëshmive në terren. Tregon se hetime kishte para bombardimeve të NATO-s, por jo edhe gjatë tyre.

“Më kujtohet kur takova ekipin finlandez të forenzikës në Abri, në Abri të Epërme, pas masakrës së shtatorit. E dini, ata ishin gjithandej, ata ishin duke hetuar dhe mendoj se më në fund kishin mbledhur dëshmi të mjaftueshme për të hapur rast. A kishte atëherë një trend të përgjithësuar politik, unë s’e besoj. Unë kurrë nuk kam dëgjuar ndonjë sugjerim se ishte bërë ndonjë thirrje telefonike se kishte presion të drejtpërdrejtë për të ngritur aktakuzën. Natyrisht se erdhi si rrjedhë dhe nuk ishte në pozicionim me trendet e politikës ndërkombëtare të asaj kohe. Më kujtohet se atëherë kishte frikë se ngritja e kësaj aktakuze do të shtynte forcat serbe në terren të lëviznin edhe më me vendosmëri kundër popullsisë civile, të kryenin krime dhe të vepronin edhe më brutalisht sesa tashmë kishin bërë”, tha ai.

Hulumtuesi i HRW-së thotë se shqetësohej se koha e aktakuzës, fundi i muajit maj 1999, do të përdorej nga kritikët e Tribunalit të Hagës.

“Unë ndieja se dëshmitë ishin shumë të fuqishme dhe, mos harroni edhe diçka, aktakuza e parë u përqendrua vetëm në Kosovë, dhe më vonë ishte zgjeruar edhe për Bosnjën dhe Kroacinë. Mendoj se në rastin e Milosheviqit, nuk ishte përfshirë as Kroacia. Por, e dini, ata i kishin të freskëta dëshmitë nga Kosova dhe me to e çuan rastin para”, shtoi ai.

Abrahams vazhdoi me punën që bën edhe sot, edhe kur Milosheviqi u dorëzua në Tribunalin e Hagës dhe nisi procesi. Thotë se edhe atëherë kishte dy reagime emocionale, sikur kur u ngrit aktakuza.

“Njëri ishte ankthi, e dini. Ky ishte një person që e kisha monitoruar për dhjetë vjet para kësaj përballjeje, duke dokumentuar krimet që i kisha parë drejtpërdrejt që ai ua kishte shkaktuar njerëzve në rajon, përfshirë edhe serbëve, dhe të uleshe përballë tij, ishte intimiduese. Dhe gjithashtu puna juaj, karriera juaj profesionale po vihet në pah, mund të merreni në pyetje, do të ekzaminoheni hapur dhe ju përnjëmend duhet të jeni të vendosur në atë çfarë besoni dhe në atë keni punuar profesionalisht dhe krejt kjo ishte njëfarë ndjenje ankthi. Në anën tjetër, ishte kënaqësi e madhe. E dini, për mua personalisht, një moment i ndritur në karrierë të përballem me këtë person, ta shikoja në sy dhe të thosha faktet që e dija se ishin të vërteta dhe të ndieja se po kontribuoja. Dhe më lejoni të shtoj edhe një gjë. Nëse keni parasysh punën time si hulumtues të shkeljeve të të drejtave njeriut, puna ime në thelb është të dëgjosh historitë, t’i vërtetosh ato dhe t’i thuash zëshëm. Kështu që unë kisha vizituar një duzinë fshatrash anembanë Kosovës për t’i dëgjuar njerëzit se çfarë kishte ndodhur, dhe puna ime ishte që pastaj t’ia tregoja gjykatës. Dhe për mua ishte një përgjegjësi e madhe, sepse ndieja se po u jepja zë njerëzve që kishin vuajtur prej këtij konflikti të tmerrshëm. Qartazi se erdhën edhe shumë dëshmitarë që dëshmuan përvojat e tyre personale. Por, ishte përgjegjësi e madhe dhe gjithashtu privilegj për të folur dhe për t’u dhënë fuqi vuajtjeve të njerëzve nga politikat e tmerrshme të këtij njeriu. Dhe në këtë vazhdë, kjo ishte një kënaqësi e madhe dhe një moment që do ta mbaj mend”, kujtoi punën Abrahams.

Për të ishte lajm i tmerrshëm vdekja e Milosheviqit, pa e pritur verdiktin për krimet e tij. Abrahams nuk e donte këtë vdekje, thotë se ishte e parakohshme.

“Unë mendoj se të gjithëve na u privua, e sidomos viktimave të krimeve të tij iu privua ajo mundësi. Kështu që vdekja e tij ishte e parakohshme”, shtoi ai.