Gjykata Speciale ka caktuar 16 korrikun si datë kur do të shpallë vendimin lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe të tjerëve për rrëzimin e akuzave.
Vendimi do të jepet gojarisht, sipas njoftimit të Speciales. Në atë ditë, sipas njoftimit, planifikohet të nisë me dëshmitë edhe përfaqësuesi i viktimave, nëse mocioni nuk pranohet plotësisht ose pjesërisht.
Prokuroria në rastin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi pati përfunduar paraqitjen e provave në prill.
Sipas rregullave të Speciales, kur prokuroria përfundon paraqitjen e provave, mbrojtja mund të kërkojë nga gjykata të rrëzojë disa ose të gjitha akuzat, nëse mendon se s’janë paraqitur.
Thaçi dhe të tjerët akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Ata mbahen në paraburgim nga viti 2020.
E pas njoftimit të Speciales, kanë reaguar organizatat e veteranëve të luftës, shoqata e invalidëve, familjet e dëshmorëve, shoqata e të burgosurve politikë dhe shoqëria “Lëvizja”.
Ato e kanë konsideruar 16 korrikun “test për drejtësinë dhe për të vërtetën”. Organizatat kanë thënë se në këtë datë do të shihet se a është e politizuar kjo gjykatë dhe se a është e paanshme.