Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar të shtunën se e ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një të mituri, të dyshuar për veprën e dhunimit.
Në njoftim, Prokuroria ka thënë se dyshohet që edhe viktima është i mitur.
“Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se me datë 10.07.2025 rreth orës 13:00 në fshatin Gllavicë, komuna Shtime saktësisht në një pyll, i mituri me përdorimin e forcës, e ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarin - të miturin të gjinisë mashkullore, me këtë kishte për të kryer veprën penale ‘Dhunimi’ nga neni 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 4 nën paragrafin 4.2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën për media.
Prokuroria ka shtuar se i dyshuari gjendet në masën e ndalimit prej 11 korrikut.
Kërkesa në Gjykatën Themelore të Ferizajt për masën e paraburgimit është bërë nga Departamenti për të mitur i Prokurorisë Themelore në këtë rajon.