Pacientë në QKUK e në spitale rajonale e blejnë vet edhe glukozën, dhe këtë do të vazhdojnë ta bëjnë edhe për të paktën një muaj, pasi SHSKUK-ja tek në korrik arriti t’i nënshkruajë dy kontrata për furnizim. E tri aktivitete të prokurimit, të nisura nga shkurti, nuk arriti t’i finalizojë, pasi në mungesë të ofertave, ato u anuluan
Së paku për edhe një muaj, QKUK-ja dhe disa spitale rajonale do të përballen me mungesë të glukozës, pa të cilën kanë qenë që nga fillimi i vitit.
Bazuar në të dhënat në platformën e prokurimit publik, SHSKUK-ja tek më 1 e 2 korrik i nënshkroi dy kontrata njëvjeçare për furnizim me këtë tretësirë të sheqerit për infuzion, e në to parashihet që porosia e parë të mbërrijë 30 ditë pas lëshimit të urdhërblerjes.
Nëpërmjet kontratës prej 122 mijë e 553 eurosh me kompaninë “Liri Med”, ShSKUK-ja do të furnizohet me 38 mijë e 60 copa glukozë 50% 20-mililitërshe. E me atë prej 108 mijë e 392 eurosh, të nënshkruar me “Dreni Pharm”, janë kontraktuar 157 mijë e 90 glukoza 5% 500ml.
Dy lotet u finalizuan me kontratë katër muaj pas zhvillimit të aktivitetit të prokurimit, më 26 mars, i cili u pat pezulluar shkaku i ankesave të kompanive ndaj lotëve të tjerë të tenderit, e që nuk përfshinë furnizimin me glukozë.
Në SHSKUK dhanë sqarim për këtë pezullim.
Edhe
SHSKUK-ja s’i dëgjon ankesat e pacientëve, insiston se ka furnizim me ilaçe
“Autoriteti Kontraktues SHSKUK ka pranuar dy ankesa të ndryshme për ketë aktivitet, njëra me datë 19.03.2025 dhe vendimi nga OSHP-ja është lëshuar më datë 05.05.2025. Ndërsa ankesa tjetër, më datë 19.05.2025, dhe vendimi i OSHP-së është lëshuar me datë 29.05.2025. Para hapjes së ofertave, platforma e-prokurimi nuk e mundëson të bëhet hapja e ofertave ndaras. Në momentin e ankesës pezullohet i tërë aktiviteti i prokurimit”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
KOHA javën e shkuar raportoi se pacientët detyrohen të blejnë glukozë në mungesë të tij në barnatoren qendrore të QKUK-së. E furnizimin e paqëndrueshëm me këtë produkt e konfirmuan edhe në Spitalin e Pejës.
“Sol Glukoze 5 % 500 ml. nuk ka pasur furnizime sivjet. Sol Glukoze 5 % 100 ml. furnizim nga LE është bërë më 04.02.2025 në sasi 2600 copë (TM1). Kemi pasur deri më 22.04.2025”, thuhet në përgjigjen e këtij spitali.
SHSKUK-ja nuk arriti të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me glukozë, ani se nga shkurti e deri në qershor inicioi gjashtë procedura tenderimi, dy prej të cilave i finalizoi me kontratë.
Nga 25 deri më 28 shkurt, autoriteti kontraktues zhvilloi katër procedura të ndara prokurimi për furnizim me 322 mijë e 44 copë glukozë, dozash të ndryshme. Dy dështuan në mungesës të ofertave nga operatorët ekonomikë.
Edhe
Tenderi milionësh për proteza lë pa disa materiale Ortopedinë
Nëpërmjet ritenderimit, SHSKUK-ja më 21 mars siguroi 12 mijë e 820 njësi të glukozës 5% të 500 ml, që është sasi e mjaftueshme për dy muaj, me anë të kontratës prej 9 mijë e 900 eurosh me “Exclusive Corporation”.
Përpjekje për blerje të glukozës, SHSKUK-ja bëri edhe në qershor. Procedura e hapur më 2 qershor u anulua në mungesë të ofertave e ajo e 26 qershorit është në fazë fillestare.