Shërbimi i fertilizimit të asistuar mjekësor në QKU përballet me mungesë të 11 barnave të domosdoshme. Për pasojë, çiftet që duan ta nisin menjëherë trajtimin, i blejnë vetë ato. Pas dështimit të blerjes së barnave nga QKUK-ja, udhëheqja e procedurave të prokurimit ka kaluar në Ministri të Shëndetësisë, e cila ka hapur tenderin, por për katër lloje medikamentesh nuk ka pasur asnjë ofertues
Mbi 1 mijë e 300 çifte kanë kryer konsultime në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare, para se t’i nënshtrohen procedurës së IVF-së.
Megjithatë, jo të gjitha rastet kanë arritur të nisin trajtimin, pasi këtij institucioni i mungojnë edhe 11 barna të nevojshme për realizimin e shërbimit, e të cilat përdoren për përgatitjen e trupit për shtatzëni.
Për këtë arsye, deri më tani janë paraqitur vetëm qytetarët që kanë shprehur gatishmëri t’i blejnë ato vetë.
Bazuar në listën zyrtare të çmimeve të barnave, kostoja për t’i blerë ato variron nga 1 euro deri në mbi 300 euro.
Në SHSKUK bënë të ditur se disa barna janë blerë e për të tjera ka kaluar te Ministria e Shëndetësisë përgjegjësia për kontraktim.
“Procedurat për inicimin e kontraktimit të produkteve medicinale për shërbimin e IVF janë iniciuar nga SHSKUK disa herë, por kemi arritur të lidhim kontratë për vetëm dy produkte për të cilat janë realizuar furnizimet. Bëhet fjalë për Letrozol dhe Folitropine. Tanimë kontraktimi i produkteve për të cilat ne nuk kemi arritur të sigurojmë kontratë ka kaluar në kompetencë të Divizionit të Farmacisë në Ministri të Shëndetësisë, dhe sipas informatave të fundit veçse janë në procedurë të prokurimit”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
E 173 mijë e 373 euro është vlera totale e buxhetit të parashikuar nga Ministria e Shëndetësisë për blerjen e 11 barnave, për trajtimin e pacientëve që i nënshtrohen procedurës së IVF-së.
Bazuar në dosje të tenderit të hapur më 8 dhjetor, parashihet që numri vjetor i pacientëve që do t’i nënshtrohen procedurës së IVF-së të jetë 2 mijë e 750.
Bazuar në ofertat e operatorëve ekonomikë, për katër produkte nuk ka pasur asnjë ofertë.
“Fillimisht, këto produkte janë tenderuar në një listë të përbashkët me gjithsej 11 artikuj si një lot i vetëm. Gjatë fazës së tenderimit, konkretisht në periudhën e pyetjeve sqaruese, operatorët ekonomikë kanë paraqitur kërkesë për ndarjen e tyre në lote të veçanta. Në këtë drejtim, procedura është korrigjuar duke i ndarë artikujt në 11 lote të veçanta, me qëllim që të shmangej dështimi i aktivitetit të prokurimit. Janë pranuar oferta për 7 artikuj/lote”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Në korrik të vitit të kaluar, KOHA raportoi se gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, QKUK-ja ka shpenzuar 200 mijë e 916 euro për blerjen e materialeve medicinale dhe pajisjeve për repartin e fertilizimit të asistuar.
Në institucionet private, ky shërbim kushton nga 3 deri në 4 mijë euro, ndërkaq në QKUK do të ofrohet falas për dy herët e para, ndërsa më pas çmimi për një procedurë do të jetë 670 euro.