Arbëri

Mbetet i parealizuar premtimi për frytnim të asistuar në QKUK

Qendra Klinike Universitare ka investuar mbi 200 mijë euro në pajisje e materiale medicinale për shërbimin e Fertilizimit të Asistuar, megjithëqë ofrimi i tij nuk ka filluar, edhe pse është premtuar që nga dhjetori i vitit të shkuar. Në QKUK e as në Ministrinë e Shëndetësisë nuk dhanë sqarime për vonesën e deritashme të funksionalizimit në institucionin publik të këtij shërbimi që në privat kushton prej 3 mijë deri në 4 mijë euro

Nga janari i sivjetmë deri në korrik, Qendra Klinike Universitare i ka shpenzuar 200 mijë e 916 euro për blerje të materialit medicinal dhe të pajisjeve dedikuar repartit të Fertilizimit të Asistuar, për shërbimin që nuk ka nisur të realizohet as tetë muaj pasi u premtua.

Në mars, QKUK-ja i kontraktoi 69 produkte për laboratorin e Fertilizimit të Asistuar, në vlerë të 87 mijë e 913 eurove. E në qershor e bleu një bojler me kapacitet 300 litra për nevojat e këtij reparti, me kosto 887 euro. Po këtë muaj, e kontraktoi për 16 mijë e 415 euro një kompani që ta bëjë servisimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të klimatizimit dhe ventilimit, si dhe furnizimin me filtra në repartin e IVF-së në Klinikën e Gjinekologjisë.

Frytnimi i Asistuar Mjekësor u përurua nga Ministria e Shëndetësisë si shërbim i ri në QKUK në fund të dhjetorit të shkuar, e për fillimin e ofrimit të tij në institucionin publik shëndetësor premtime u patën dhënë edhe më herët.

“Kur do të fillojë? Gjatë këtij viti. Domethënë në fillimin e dhjetorit, dy javët e para të dhjetorit. Kanë ardhur edhe aparaturat”. Ishte zotuar më 13 nëntor të 2024 ministri Vitia.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk dhanë sqarime lidhur me arsyet e vonesës së nisjes së IVF-së në QKUK.

Për shërbimin që ende nuk ka nisur të ofrohet, KOHA ka mësuar se më shumë se 500 çifte janë paraqitur në QKUK.

E një nga arsyet për vonesën është se QKUK-ja nuk ka arritur t’i kontraktojë edhe gjashtë ilaçe të tjera, që përdoren për përgatitjen e trupit për shtatzëni, gjatë trajtimeve të infertilitetit.

Tenderi prej 183 mijë e 614 eurosh për blerjen e tyre është anuluar në fund të shkurtit, shkaku i mungesës së ofertave.

Në QKUK nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS se pse ky shërbim nuk ka nisur me kohë, se sa barna janë në mungesë dhe se si planifikohet kontraktimi i tyre në situatën kur nuk paraqiten ofertues.

Fertilizimi i asistuar mjekësor në institucione private ka kosto prej 3 deri në 4 mijë euro.

Në QKUK ky shërbim do të ofrohet falas në dy herët e para, ndërsa më pas çmimi për procedurë do të jetë 670 euro.

Ky proces kryhet në spitale e klinika private, e edhe nga gjinekologë që punojnë në QKUK. Bazuar në listat e mjekëve që i ka KOHA, së paku dhjetë prej atyre që janë angazhuar në Klinikën e Gjinekologjisë punojnë edhe në institucione private, ku realizohet frytnimi i asistuar.

Në institucione private IVF-ja deri më tash është realizuar bazuar në udhëzimin administrativ të 2013-tës, teksa Projektligji për Frytnim të Asistuar nuk ka marrë miratim disa herë në Kuvend, shkaku i kundërshtimit të shprehur edhe nga deputetë të partisë kryesore që ka udhëhequr Qeverinë.