Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komunat subvencionojnë terapitë që pacientët i blejnë vetë, MSH-ja pa mekanizëm rimbursimi

Onkologji

Në Prizren, Gjakovë e Ferizaj janë krijuar skema të veçanta të mbështetjes financiare për pacientët me sëmundje të rënda. Por, një mekanizëm i tillë për rimbursimin e pacientëve nuk ekziston nga Ministria e Shëndetësisë, gjë që, sipas avokatit Florim Shefqeti, përbën dështim të Ministrisë. Shefqeti kërkon që për këtë rast MSH-ja të hetohet nga Prokuroria

Komunat kanë marrë përsipër të mbështesin financiarisht pacientët me sëmundje malinje, në rastet kur barnat nga listat esenciale mungojnë, e ato detyrohen t’i blejnë vetë ata.

Në Prizren, sipas zyrtarëve të komunës, pacientët me kancer përfitojnë 400 euro një herë në vit, ndërsa në Gjakovë e Ferizaj subvencionimi bëhet mbi bazën e dëshmive për shpenzimet e realizuara për terapi.

Sigurimi i barnave nga Lista Esenciale është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë. Por kur këto barna mungojnë në Klinikën e Onkologjisë dhe pacientët detyrohen t’i blejnë vetë me mijëra euro, ata nuk kanë mundësi të rimbursohen, pasi Ministria e Shëndetësisë nuk ka një mekanizëm të tillë.

E sipas Komunës së Gjakovës, për vitin 2026 janë planifikuar 120 mijë euro për mbështetjen e pacientëve me sëmundje të rënda.

Shpërndarja e mjeteve bëhet në bazë të shqyrtimit të kërkesave dhe vendimeve të Komisionit Profesional Vlerësues.

Edhe Pacientët me kancer që blejnë vetë terapinë kërkojnë kompensim - shteti hesht Arbëri Pacientët me kancer që blejnë vetë terapinë kërkojnë kompensim - shteti hesht

“Gjatë periudhës janar–gusht 2026 kanë përfituar 241 pacientë. Vlera e subvencionit nuk është e përcaktuar si shumë fikse në rregullore apo në ndonjë akt tjetër. Komisioni Profesional Vlerësues, bazuar në natyrën e sëmundjes dhe dokumentacionin e shpenzimeve të paraqitura nga pacientët, përcakton shumën e mbështetjes. Zakonisht, vlera e subvencionit varion nga 300 deri në 500 euro”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Gjakovës. 

Një mekanizëm i tillë për mbështetjen e pacientëve me sëmundje të rënda ofrohet edhe nga Komuna e Prizrenit, ku sipas komunës, shuma është fikse dhe e njëjtë për të gjithë përfituesit.

“Për vitin 2025 dhe 2026 shuma e aprovuar për mbështetje të kësaj kategorie nga ana e kryetarit është 400.00 euro për secilën kërkesë, një herë në vit. Gjatë vitit 2025, vetëm nga kjo kategori, DKSH-ja ka aprovuar 949 kërkesa për mbështetje financiare të cilat janë mbështetur me nga 400.00 euro. Shuma e përgjithshme e mbështetjes gjatë vitit 2025 për këtë kategori kap vlerën prej 379.600.00 eurosh”, kanë bërë të ditur nga Komuna e Prizrenit.

Edhe drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj, Kemajl Emini, ka thënë se ekziston një mbështetje e tillë për pacientët me sëmundje të rënda, ku shuma për një pacient brenda vitit arrin deri në 600 euro.

KOHA i ka dërguar pyetje Ministrisë së Shëndetësisë se si e arsyeton faktin që disa komuna po mbulojnë një pjesë të kostos së terapive që pacientët janë detyruar t’i blejnë vetë, në periudhat kur ato kanë munguar në Klinikën e Onkologjisë. Po ashtu, e kemi pyetur nëse për pacientët që janë detyruar t’i blejnë vetë këto barna, Ministria a planifikon të krijojë një skemë kompensimi. Por, që nga java e kaluar, Ministria e Shëndetësisë nuk na ka kthyer përgjigje. 

E sipas juristit, Florim Shefqeti, fakti që komunat po ofrojnë mbështetje financiare për pacientët me kancer, në rastet kur ata detyrohen t’i blejnë vetë terapitë, ndërsa një mekanizëm i tillë nuk ekziston në nivelin qendror paraqet dështim institucional.

Edhe Ramaj: Në Kosovë pacientët paguajnë shumë nga xhepi i tyre Arbëri Ramaj: Në Kosovë pacientët paguajnë shumë nga xhepi i tyre

“Fakti që disa komuna kanë caktuar një shumë, sado minimale, të kompensimit të pacientëve që nuk i kanë barnat në Listën Esenciale, paraqet një mekanizëm lehtësues, por nuk mjafton kjo mënyrë e pjesshme, e cila nuk i mbulon shpenzimet dhe nuk e zhbën detyrimin e MSH-së që t’i sigurojë barnat nga Lista Esenciale. Për këtë dështim të Ministrisë do të duhej që ky rast të hetohej nga Prokuroria penalisht”, ka thënë Shefqeti. 

KOHA ka raportuar vazhdimisht për mungesën e barnave në Klinikën e Onkologjisë dhe për rastet kur pacientët janë detyruar t’i blejnë vetë terapitë me shpenzime që arrijnë mijëra euro.