Një sasie të ampulave për ngërçe në bark, e me të cilat spitalet janë furnizuar në fund të vitit të shkuar, u ka skaduar afati para 7 ditësh, pasi SHSKUK-ja pranoi furnizim me 3 muaj e 17 ditë afat të mbetur. Për pasojë, disa pacientë thanë se janë përballur me mungesë të ilaçit dhe se janë detyruar që ta blejnë vetë. E në kompaninë e kontraktuar theksuan se kompensimi i ampulave me afat të skaduar do të bëhet nga java e ardhshme
Pacientëve në disa spitale u është kërkuar ta blejnë një lloj ampule kundër ngërçeve të barkut, pasi produktit në stok i ka skaduar afati i përdorimit, që nga 28 shkurti.
Kjo pasi SHSKUK-ja, në nëntorin e shkuar, ka pranuar sasi të ampulës Buscopan, me afat të mbetur përdorimi prej 3 muaj e 17 ditësh.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë familjar pacienti në Spitalin e Gjilanit i tregoi KOHËS për situatën me të cilën u përball gjatë javës.
“Më thanë të dal ta blej këtë ampulë. Kur i pyeta pse ka mungesë të saj, më thanë se e kanë vërejtur që i ka skaduar afati i përdorimit dhe se nuk mund të përdoret më”, ka thënë i afërmi i pacientit.
Por, në këtë spital e mohuan pretendimin.
“Aktualisht kemi sasi të konsiderueshme së cilës i skadon afati me 09/2027”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Gjilanit.
Por ky institucion nuk iu përgjigj pyetjes tjetër të KOHËS se përse pacientëve u kërkohet ta blejnë ilaçin nëse ka sasi të mjaftueshme në stok.
Sasi të papërdorur të këtij ilaçi, të cilit afat i ka skaduar më 28 shkurt të këtij viti, ka edhe në Spitalin e Prizrenit, ku në nëntorin e 2025-s është bërë furnizimi me 5 mijë copë ampula.
“Sasia e mbetur hyoscine butylbromide inj 20mg/ml, me afat 28.02.2026, është 2.360 copë. Kjo sasi është në dhomën karantinë derisa operatori ekonomik ta zëvendësojë me afat më të mirë”, kanë bërë të ditur nga Spitali i Prizrenit.
Në këtë periudhë, edhe Spitali i Ferizajt u furnizua me 750 ampula, me afat të njëjtë skadimi. Në spital thanë se aktualisht ka mungesë të produktit në disa reparte.
“E gjithë sasia e produktit në fjalë, me këtë seri, është shpenzuar brenda muajit shkurt 2026, përveç në Repartin e Internos, ku kanë skaduar 3 ampula të cilat janë evidentuar dhe janë prezent në repart, ndaras nga terapia tjetër. Në Gjinekologji vazhdon përdorimi i një serie tjetër të këtij produkti me afat të mirë (2027) ndërsa në repartet tjera (Kirurgji dhe Emergjencë) këtë produkt e kanë mungesë”, kanë treguar drejtues të Spitalit të Ferizajt.
E në Spitalin e Gjakovës thanë se janë furnizuar me produkt me afat përdorimi deri në 09/2027.
Më 5 shtator 2025, ShSKUK-ja pati lidhur kontratë prej 11 mijë e 232 eurosh me operatorin ekonomik “Matkos Pharm” për furnizimin me 86 mijë e 400 ampula për një vit. Çmimi për njësi qe 13 centë.
Bazuar në kontratë, afati i përdorimit të produktit duhet të jetë jo më pak se 12 muaj ose 2/3 e afatit të prodhimit. Në kohën kur u bë furnizimi, produkti pati 3 muaj e 17 ditë afat të mbetur.
Në kompaninë “Matkos Pharm” thanë se në koordinim me SHSKUK-në, në nëntor furnizuan 2060 kuti dhe se dorëzuan deklaratë zotuese për kompensim me afat më të gjatë nëse produkti nuk shpenzohet brenda afatit të skadimit.
“Gjatë kësaj jave janë lajmëruar dy spitale për të kryer kompensimin dhe ne kemi pritur deri në përfundimin e kësaj jave në rast se lajmërohet ndonjë spital tjetër, për t’i marrë banderolat dhe për të kryer kompensimin sipas deklaratës. Produktin në fjalë e kemi pasur në stok me këtë afat skadimi, andaj e kemi furnizuar institucionin me këtë afat. Herën e fundit kur është kryer furnizimi ka qenë në fund të vitit të kaluar, në muajin nëntor. Kompensimi pritet të kryhet javën e ardhshme në bazë të sasive për të cilat na janë lajmëruar deri tani spitalet”, ka thënë kompania “Matkos Pharm”.
Me gjithë konfirmimin nga disa spitale për mungesë produkti, në SHSKUK e mohuan këtë.
“Aktualisht, SHSKUK ka furnizim të qëndrueshëm me produktin në fjalë, si dhe me afat të mirë të përdorimit. Në pretendimet e gazetares në fjalë që pacientët blejnë produktin, kjo nuk qëndron, sepse nuk kemi pasur probleme me furnizim për këtë produkt. Në rastet kur pranojmë produkte me afat më të shkurt se një vit, sipas PSO, Operatori Ekonomik sjell të bashkëngjitur deklaratën e kompensimit të produktit, dhe kjo është obligative”, thuhet në përgjigjen e Barnatores Qendrore të SHSKUK-së.
Në SHSKUK në vazhdimësi nuk kanë treguar për vlerën dhe sasinë totale të ilaçeve e materialit medicinal të skaduar ndër vite.