Park industrial mes fshatrave Prilep dhe Drenoc ka premtuar se do të ndërtojë kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Deçanit, Faton Selmanaj. Ai ka thënë se në këtë park do të ndërtohen fabrika të reja, ku do të gjenerohen më shumë vende pune për qytetarët e do të krijohen më shumë mundësi për investime të huaja e vendore. Në Lipjan kandidati, Ilir Qeriqi, ka thënë se me qeverisjen e tij do t’i largojë të gjitha deponitë ilegale prej 86 sosh. Kandidati për Dragashin, Filiz Mustafa, ka premtuar se në fshatin Brezne do ta finalizojë projektin për impiantin për trajtimin e ujërave të zeza e do të investojë në liqenin e fshatit, në stadium e në infrastrukturë rrugore. Pretendenti për kryetar të Ferizajt, Enver Haliti, ka premtuar se do ta kthejë stacionin e vjetër të autobusëve në vendin ku ka qenë, i cili do të shërbejë për linjat me fshatrat, ndërkaq i riu ka thënë se do të përdoret vetëm për linja ndërurbane dhe ndërkombëtare. Ka premtuar edhe kyçje të re në autostradë në fshatin Sazli, projekt në vlerë të 3 milionë eurove. E në Prishtinë, kandidati për kryetar, Hajrulla Çeku, ka thënë se është në pritje të përgjigjes së kundërkandidatit të tij nga LDK-ja për ballafaqim televiziv.
“Kjo tokë qe sa vite nga Komuna e Deçanit nuk ka një destinim të duhur. Ndodhemi këtu me ministren Hajdari, mes fshatit Prilep dhe Drenoc, ku së bashku planifikojmë ndërtimin e një parku industrial”, tha Selmanaj.
“Si zotim të dytë e kemi ndërtimin e stadiumit këtu në liqenin e Breznes, i cili do të jetë multifunksional. Do të investojmë po ashtu në liqenin e Breznes në zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij atraksioni të jashtëzakonshëm turistik që e ka komuna jonë”, tha Mustafa.
