Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 13-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Abdixhiku: Vetëm me LDK-në përfundojnë projektet e mëdha në Prishtinë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi sonte se projektet e mëdha në Prishtinë nisin dhe përfundojnë vetëm me LDK-në. Sipas tij, kryeqyteti është me LDK-në dhe me kryetarin aktual, Përparim Ramën, derisa u shpreh i bindur se ky i fundit do të fitojë edhe një mandat tjetër katërvjeçar, raporton KosovaPress.
Në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Abdixhiku në tubimin me degën e dytë në kryeqytet, tha se partitë e tjera vijnë dhe shkojnë në Prishtinë, por asnjë shenjë nuk e lënë në kryeqytet.
“Prishtina është e kaltër. Prishtina është me LDK-në. Prishtina është me Përparim Ramën. Kur Prishtina është me ne, e gjithë Kosova është me ne... Prishtina është motori i zhvillimit dhe nuk është rastësi që këtë kryeqytet dhe motor LDK-ja gjithmonë e ka pasur si në shtëpinë e vet. Kur qytetarët e Prishtinës kërkojnë vizion dhe punë, ata gjithmonë e shikojnë rrugën drejt nesh. Kur kanë kërkuar stabilitet, ne kemi dhënë këtë stabilitet. Kur kanë kërkuar punë konkrete, ne iu kemi sjellë atë punë dhe këtë e dëshmojmë sot bashkë me të gjithë ju. Katër vite më parë ne erdhëm në qytetin tonë me një vizion të ri dhe kandidat të jashtëzakonshëm. Ne sollëm Përparim Ramën, një njeri që vjen nga bota e arkitekturës dhe urbanizmit, për ta bërë një gjë të vetme: kthyer Prishtinës në një qytet të së ardhmes... Vetëm me LDK-në përfundojnë projektet e mëdha në Prishtinë dhe Kosovë. Me LDK-në nisi dhe përfundoi rruga A, rruga B, ndërkaq të tjerët vijnë dhe shkojnë, por nuk lënë asnjë shenjë”, tha ai.
E kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, i cili është kryetar aktual, Përparim Rama, tha se kanë punuar shumë në katër vite në kryeqytet. Ai renditi, siç tha, punët infrastrukturore që kanë bërë, derisa tha se do të ndërtojnë një tunel për ndërlidhjen e qendrës së qytetit me zonën e vjetër në Prishtinë.
“Kemi punuar shumë këto katër vite në pjesë të ndryshme të kryeqytetit, por po fokusohemi në Prishtinën e vjetër. Kemi bërë përmirësime të mëdha në rrugë dhe kanalizime, kemi zgjeruar rrugën Bajram Bahtri në tri korsi në drejtim të Gollakut. Kemi sanuar dhe asfaltuar shumë rrugë në Kolovicë, si në Tasligje dhe Taukbahçe. Kemi zgjeruar rrjetet e kanalizimeve dhe ujësjellësit, kemi përmirësuar rrjetin e infrastrukturës rrugore që ka qenë prioritet i qeverisjes sonë...Pse është i nevojshëm nënkalimi Agim Ramadani? Jo vetëm që na është tek neve me bërë një tunel aty, por e ndërlidh qendrën me zonën e vjetër”, tha ai.
Krahas kësaj, Rama insistoi se do të vazhdojnë me ndërtimin e shesheve të reja në kryeqytet dhe krijimin e hapësirave të sigurta.
AAK-ja premton “qytet të mençur” në Gjakovë e zhvillim për sportin dhe kulturën në Prizren
“Qytet të mençur” ka premtuar për Gjakovën kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar komune, Ardian Gjini, që e synon edhe një mandat në këtë post.
Në fushatën e së enjtes, ai është zotuar që Gjakova të avancojë drejt konceptit të modernitetit, duke e shpjeguar vizionin e tij për transportin publik.
“Dëshirojmë t’i blejmë autobusët e rinj, që normalisht i lidhin krejt fshatrat edhe qytetin e tërë. Qyteti mençur është koncepti i ri që ne kemi hyrë në vitin 2019, gradualisht, por katër vitet e ardhshme kemi për ta vazhduar masivesh”, ka theksuar ai.
Në Prizren, kandidati i AAK-së për kryetar komune, Besnik Krasniqi, është përqendruar te fushat e menaxhimit të mbeturinave, sportit dhe kulturës. Ai ka thënë se komuna tashmë ka ngritur një sistem të besueshëm në menaxhimin e mbeturinave të ngurta dhe se prioritet do të jetë zhvillimi i sportit e rinisë.
“Këtë do ta bëjmë me njerëz që janë kompetentë dhe e njohin këtë fushë. Komuna do të mundohet të jetë avangardë për juve, jo ju t’i shkoni procesit përpara e na t’ju vijmë prapa, por që ne të jemi para jush për ta hapur terrenin, që ju të zhvilloheni sa ma lehtë”, është zotuar ai.
Bekë Berisha, i cili është kandidat i AAK-së për kryetar në Prishtinë, është zotuar që ta bëjë kryeqytetin do të sigurt, më transparent dhe më ët afërt me qytetarët. Ai ka paralajmëruar masa të forta për rendin dhe sigurinë, duke përfshirë instalimin e 1,000 kamerave të sigurisë dhe 100 radarëve, praninë e policëve më afër shkollave e lagjeve, si dhe kontrollin më rigoroz të trafikut.
“Policë më pranë shkollave dhe lagjeve, kontroll më i fortë i trafikut, legalizim i shpejtë i 40,000 ndërtimeve dhe publikim i çdo euro të shpenzuar në kohë reale – ky është vizioni ynë për Prishtinën”, ka thënë ai.
Në Deçan, kandidati për kryetar, Bashkim Ramosaj, u ka premtuar pensionistëve një shtëpi të posaçme në të cilën ka thënë se do t’u ofrohet kujdes profesional, ambient i ngrohtë dhe trajtim dinjitoz.
“Dëgjova me kujdes shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre. Angazhimi ynë mbetet i palëkundur: do të vazhdojmë të punojmë që ata të ndihen të respektuar, të përkujdesur dhe të mbështetur ashtu siç e meritojnë. Sepse respekti për ta nuk është vetëm detyrim, është një borxh mirënjohjeje ndaj brezit që na dha gjithçka”, ka thënë ai pas takimit me pensionistë.
Kryetari aktual i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, që e synon edhe një mandat, ka premtuar më shumë investime për Kramovikun, Mrasorin e Gurin e Kuq.
“Kemi një mal argumentesh dhe arsye të forta për të kërkuar besimin tuaj edhe për një mandat tjetër katërvjeçar. Projekti ynë dhe angazhimet e deritanishme kanë dëshmuar se ka projekte të prekshme, konkrete – projekte që e kanë bërë jetën e qytetarëve të kësaj zone, të këtij fshati, por edhe të fshatit Mrasor, më të mirë se sa ka qenë në periudhat e mëhershme. Ju falënderoj për përkrahjen që na keni dhënë në vitin 2021 – një përkrahje shumë e madhe dhe shumë e fortë. Nëse ne, brenda një mandati, kemi arritur të realizojmë 13–14 projekte, merreni seriozisht mundësinë që në një mandat të ri të bëjmë edhe më shumë”, ka theksuar Latifi.
Në Lipjan, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka premtuar se komuna do të bëhet shembull zhvillimi dhe suksesi me kandidatin e partisë së tij për kryetar, Bashkim Budakova.
“Aleanca është e përcaktuar për një program zhvillimor, me njerëz të përkushtuar, profesionistë dhe të afërt me qytetarët. Në krye të kësaj liste qëndron kandidati ynë për kryetar, profesori i nderuar Bashkim Budakova, i cili udhëheq një ekip të përgjegjshëm e me integritet”, ka thënë ai.
E kandidati i AAK-së për kryetar në Istog, Ukë Blakaj, ka bërë zotimin që në rast zgjidhet në krye të komunës punën do ta përqendrojë tek bujqësia, nëpërmjet përkrahjes për kultivuesit e mollës dhe për bujqit. Ai ka theksuar se synon që të ndihmojë fermerët për ta rritur prodhimin, për të gjetur tregje më të favorshme dhe për t’u siguruar familjeve të tyre një të ardhme më të qëndrueshme.
Selmanaj në Deçan premton ndërtimin e parkut industrial, Çeku pret përgjigje për debat nga Rama
Park industrial mes fshatrave Prilep dhe Drenoc ka premtuar se do të ndërtojë kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Deçanit, Faton Selmanaj. Ai ka thënë se në këtë park do të ndërtohen fabrika të reja, ku do të gjenerohen më shumë vende pune për qytetarët e do të krijohen më shumë mundësi për investime të huaja e vendore. Në Lipjan kandidati, Ilir Qeriqi, ka thënë se me qeverisjen e tij do t’i largojë të gjitha deponitë ilegale prej 86 sosh. Kandidati për Dragashin, Filiz Mustafa, ka premtuar se në fshatin Brezne do ta finalizojë projektin për impiantin për trajtimin e ujërave të zeza e do të investojë në liqenin e fshatit, në stadium e në infrastrukturë rrugore. Pretendenti për kryetar të Ferizajt, Enver Haliti, ka premtuar se do ta kthejë stacionin e vjetër të autobusëve në vendin ku ka qenë, i cili do të shërbejë për linjat me fshatrat, ndërkaq i riu ka thënë se do të përdoret vetëm për linja ndërurbane dhe ndërkombëtare. Ka premtuar edhe kyçje të re në autostradë në fshatin Sazli, projekt në vlerë të 3 milionë eurove. E në Prishtinë, kandidati për kryetar, Hajrulla Çeku, ka thënë se është në pritje të përgjigjes së kundërkandidatit të tij nga LDK-ja për ballafaqim televiziv.
“Kjo tokë qe sa vite nga Komuna e Deçanit nuk ka një destinim të duhur. Ndodhemi këtu me ministren Hajdari, mes fshatit Prilep dhe Drenoc, ku së bashku planifikojmë ndërtimin e një parku industrial”, tha Selmanaj.
“Si zotim të dytë e kemi ndërtimin e stadiumit këtu në liqenin e Breznes, i cili do të jetë multifunksional. Do të investojmë po ashtu në liqenin e Breznes në zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij atraksioni të jashtëzakonshëm turistik që e ka komuna jonë”, tha Mustafa.
Rama prezanton zjarrfikësit vullnetarë në Prishtinë e Selmanaj premton kanalizim e ujë të pijshëm në Prizren
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili synon ta sigurojë mandatin e dytë si kandidat i Lidhjes Demokratike, ka vazhduar t’i promovojë punët e katër vjetëve të udhëheqjes. Ai tha se për herë të parë po trajnohen 15 zjarrfikës vullnetarë, të cilët do t’i bashkohen misionit për mbrojtjen e kryeqytetit, ndërsa kërkoi edhe një mandat për ta çuar përpara, siç tha, transformimin e nisur. Në Obiliq kryetari Xhafer Gashi, që pretendon edhe mandatin e radhës, promovoi fillimin e asfaltimit të një shtegu për biçikleta në rrugën “Hasan Prishtina”. Ndërkaq në Prizren, Driton Selmanaj u zotua se nëse bëhet kryetar, asnjë lagje nuk do të mbetet pa rrjet kanalizimi dhe ujë të pijshëm.
“Atë çka unë mund të them është që në momentin që ne do të vijmë në krye të qeverisjes komunale, do ta kemi fokusin kryesor që jo vetëm kjo lagje por asnjë lagje në Prizren të mos mbetet pa rrjet kanalizimi dhe pa ujë të pijshëm. Kjo është infrastruktura bazike dhe pa këto as që mund të planifikohet, jo të ndërtohet, po madje as të jetohet”, tha Selmanaj.
“ Projektet madhore që jemi duke i bërë, pra propozimet tona, vizioni ynë, planifikimet tona, të gjitha këto që i kemi planifikuar jemi duke i realizuar. Disa kanë përfunduar, disa janë në përfundim e sipër e disa kanë filluar, disa do të fillojnë këta katër vjetët e ardhshëm. E mbani mend, kam thënë se Prishtina transformohet në 8 vjet. Kam kërkuar para 4 vjetëve, 8 vjet për ta transformuar Prishtinën”, tha Rama.
Ismaili premton siguri në shkollat e kryeqytetit. Aliu investime në shëndetësi në Ferizaj
Policëve që kërkojnë një punë të dytë, e atyre që kanë dalë në pension, mundësi punësimi u ka ofruar Uran Ismaili, kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Prishtinës, në planin e tij për siguri në shkolla. E Riad Rashiti, në garën e tij për kryetar të Gjilanit, ka premtuar themelimin e Drejtorisë për Investime, ndarjen e 500 hektarëve tokë komunale për investime strategjike, zero taksë për lejet ndërtimore për bizneset prodhuese, e masa të tjera në drejtim të zhvillimit ekonomik. Në Harilaq, Rrahim Tërnava, ka premtuar se do ta ndërtojë një strehimore për qentë endacakë, e cila do të funksionojë edhe si zonë rekreative e turistike. Investime në lagjen “Tuneli i Parë” në Mitrovicë ka premtuar nënkryetari Arian Tahiri, në fushatën e tij për t’u bërë kryetar. Ai tha se do të rinovohen ndërtesat e lagjes, përfshirë ndërrimin e dyerve dhe dritareve e do të ketë edhe shtigje për ecje e biçikleta, ndriçim e gjelbërim. Edon Cana në Rahovec premtoi ndërtimin e Parkut Teknologjik, qendër dedikuar për bujqësinë digjitale dhe vreshtarinë inteligjente. E kandidati Agim Aliu prezantoi planin e tij 8-milionësh për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Ferizaj.
“Do të ndërtojmë së paku edhe një objekt të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare në zonën urbane, duke sjellë shërbimet shëndetësore më pranë qindra familjeve ferizajase. Do të hapim qendrën e dytë emergjente në QMF-2, në rrugën ‘Remzi Hoxha’. Kjo do të thotë reagim më i shpejtë, shpërndarje më e mirë e fluksit dhe siguri më e madhe kur çdo minutë vlen. Disapnzeri i vjetër po kthehet në një Qendër Moderne të Kujdesit Shëndetësor Specialistik, ku do të ofrojmë shërbime shëndetësore si në radiologji, stomatologji, fizioterapi, ftiziatri dhe të tjera, pa pasur nevojë për kosto shtesë për qytetarët apo udhëtim jashtë Ferizajt për analizat dhe ekzaminimet bazike”, tha Aliu.
“Do të nisim punën për vendosjen e 200 oficerëve të trajnuar të sigurisë të cilët do të angazhohen në shkollat e Prishtinës, që do të angazhohen me rotacion dhe në bazë të nevojës. Oficerët e sigurisë që do të shërbejnë në shkolla, do të jenë policë që do të kenë punë dytësore apo edhe policë të pensionuar”, tha Ismaili.
Haradinaj: Me Bashkim Budakovën, Lipjani do të ketë udhëheqje të ndershme e vizionare
Kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se me Bashkim Budakovën, Lipjani do të ketë udhëheqje të ndershme, vizionare dhe zhvillimore.
Budakova është kandidat i AAK-së për kryetar të Lipjanit. Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor.
“Aleanca është e përcaktuar për një program zhvillimor, me njerëz të përkushtuar, profesionistë dhe të afërt me qytetarët. Në krye të kësaj liste qëndron kandidati ynë për kryetar, profesori i nderuar Bashkim Budakova, i cili udhëheq një ekip të përgjegjshëm e me integritet: Ermal Gashi, Albana Gërxhaliu, Liridon Tmava, Jeton Bellaina, Hamide Sopjani, Besim Kolshi, Arbnor Kongjeli, Burbuqe Budakova dhe Mustafë Reshani. Bashkimi në Lipjan njihet si njeri i ndershëm dhe i dashur, cilësi që i japin forcë për të realizuar Programin e Aleancës, një program që ka në thelb bashkëqeverisjen me qytetarët dhe zhvillimin e komunës. Me Bashkim Budakovën dhe Aleancën, Lipjani do të ketë udhëheqje të ndershme, vizionare dhe zhvillimore, udhëheqje që sjell Dritë për Lipjanin!” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Peci prezanton projektet në fshatin Kçiq të Mitrovicës
Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Peci, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook për një takim që ka zhvilluar me banorët e fshatit Kçiq. Sipas Pecit, vlerësimi i qytetarëve për qeverisjen aktuale është se kanë dështuar në çdo aspekt, teksa prezantoi edhe projektet për këtë fshat.
“Në çdo lagje e në çdo lokalitet, vlerësimi i qytetarëve është i njëjtë: kanë dështuar në çdo aspekt. Ndërsa ne do të ndryshojmë mendësinë qeverisëse në funksion të zhvillimit të Mitrovicës.
Në Kçiq, së bashku me banorët, konfirmuam projektet tona për zhvillim: Ndërtimin e çerdhes, zgjidhjen e çështjes së komasacionit, ndërtimin e urës që lidh Kçiqin me Frashërin, përmirësimin e kanalizimit dhe ndriçimit publik.”, ka shkruar kandidati Peci.
Totaj: Për herë të parë pas shumë dekadash po e sjellim QKMF-në e dytë
Kryetari aktual i Komunës së Prizrenit dhe kandidati për një mandat tjetër nga PDK-ja, Shaqir Totaj, ka thënë përmes një postimi në Facebook se për herë të parë pas shumë dekadash, po e sjellin Qendrën e dytë të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.
Ky projekt sipas Totajt është para finalizimit.
“Për herë të parë, pas shumë dekadash, Prizrenit po ia sjellim Qendrën e Dytë të Mjekësisë Familjare. Rritja e popullsisë e nevojat për shërbime të shpejta dhe efikase shëndetësore, na kanë nxitur të punojmë 24h për ta ndërtuar QKMF-2 e cila do t’i përballojë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve!.”, ka thënë Totaj përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook.
Rama: Qendra Kulturore në Llukar u ringjall
Kryetari i Prishtinës, i cili synon edhe një tjetër mandat, Përparim Rama, ka thënë se Qendra Kulturore në Llukar u ringjall.
Në një postim në Facebook ka shkruar se kjo qendër nuk u ringjall si objekt i ri, por si vend ku talenti, arti dhe komuniteti gjejnë strehë.
“Qendra Kulturore në Llukarë u ringjall, jo vetëm si një objekt i ri, por si një vend ku talenti, arti dhe komuniteti gjejnë strehë”, ka shkruar ai.
Krasniqi: Vitia ka nevojë për një kapitull të ri
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, të enjten ka mbajtur një tubim në Vitit.
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka thënë se kjo komunë ka nevojë për një kapitull e energji të re.
“Vitia ka nevojë për një kapitull të ri - me projekte konkrete, energji të re dhe lidership të vyeshëm e të ndershëm. Më 12 tetor, zgjedhja është e qartë: PDK 191 me Bekim Azizin kryetar”, ka shkruar Krasniqi.