Kandidatë të LDK-së që aktualisht janë kryetarë komunash, kanë promovuar punën e deritashme. E të rinjtë fokusin e kanë vënë te projektet e reja. Driton Selmanaj e ka premtuar rivitalizimin e Lumbardhit në Prizren. E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që e synon edhe një mandat në detyrë, është zotuar ta transformojë “Fushën r Pajtimit” në një park botanik
Kandidatë të Lidhjes Demokratike (LDK) për kryetarë komunash kanë prezantuar pjesë të programit edhe në ditën e 21-të të fushatës.
Në Prizren, Driton Selmanaj ka prezantuar projektin për rivitalizimin e lumit Lumbardh, i cili përfshin ndërtimin e sistemit të kanalizimit dhe shtratin me kaskada. Ky projekt, ai ka thënë se do ta kapë vlerën e mbi 12 milionë eurove.
“Çka nënkupton projekti i rivitalizimit? Që nga fshati Gornjasellë, atje lart, deri të fabrika për trajtimin e ujërave të zeza në Vlashnje, të ndërtohet sistemi i vendosjes së gypave të kanalizimit në thellësi në shtratit Lumbardh. Nga ana tjetër, në kuadër të revitalizimit, ne kemi parapa që: në gjatësi prej 4 kilometrave që nga hyrja e Prizrenit nga rruga e Recanit te poshtë, deri të dalja e Prizrenit në drejtim të Vlashnjës, të bëhet sistemi i kaskadave. Ta ndërtojmë shtratin e lumit në sistem të kaskadave”, ka thënë Selmanaj.
Në Prishtinë, kryetari Përparim Rama, i cili e synon mandatin e dytë, ka premtuar transformimin e “Fushës së Pajtimit” në park botanik, me funksion edukativ e edhe rol në menaxhimin e reshjeve.
Një mandat tjetër në Istog e synon edhe Ilir Ferati, i cili ka thënë se po investohet në shëndetësi me qëllim që profesionistët shëndetësorë të mos largohen jashtë vendit.
“Që këta mjekë mos t’i lëmë me na ikë jashtë e infermierët mos t’i lëmë me na ikë jashtë, ne e kemi rritur numrin e njerëzve që i kemi punësuar për me i dhënë shërbim qytetarëve tanë. Kemi në kontratë me Kosova MED-in që i ka trajtuar plus 64 vende të reja të punës, pa e përjashtuar as pjesën e çerdheve, ku kemi ofruar duke gjetur hapësira në ligj”, ka deklaruar Ferati.
Ruzhdi Shehu ka premtuar ndërtimin e sheshit “Edmon Hoxha”, nëse merr edhe një mandat tjetër qeverisës në Junik. Ai ka theksuar se ky projekt me vlerë rreth 5 milion euro, do ta shndërrojë qendrën e qytetit në një hapësirë moderne.
“Projekti i cili do të mbetet identitet i Junikut për shumë dekada: Ndërtimi i sheshit ‘Edmond Hoxha” në qendër të Junikut me vlerë rreth 5 milion euro. Ky investim do ta transferojmë qendrën e qytetit në një hapësirë moderne, multifunksionale dhe atraktive, e cila do të bëhet zemra e aktiviteteve shoqërore, kulturore dhe ekonomike të Junikut. Sheshi i ri do të ofrojë një ambient të hapur për organizimin e ngjarjeve, festivaleve dhe aktiviteteve për qytetarët”, ka thënë Shehu.
Premtime ka bërë edhe Imri Ahmeti, i cili më 12 tetor e pretendon edhe mandatin e radhës si kryetar i Lipjanit. Ai i ka promovuar projektet e realizuara dhe është zotuar për ndërtimin e një parkingu nëntokësor pranë tregut aktual të gjelbër, si dhe ndërtimin e një çerdheje dhe një shkolle të re në lagjen e Akllapit.
“Është punuar në të gjitha fshatrat e komunës tonë dhe në qytetin tonë, në ndërtimin e rrugëve, të rrugicave, në ndriçim publik, në rrjetet e kanalizimeve dhe ujësjellësve. Natyrisht që investimet e mëdha kanë për të ndodhur përsëri në Lipjan. Kemi edhe pak punë për të bërë, nuk kanë kosto të madhe dhe ne besojmë që Lipjanit, qytetit tonë, i duhet edhe një parking nëntokësor tek tregu aktual i gjelbër. Vazhdojmë për të ndërtuar një çerdhe dhe një shkollë në lagjen e Akllapit”, ka thënë Ahmeti.
Në Gjilan, kandidati Arbër Ismajli ka vizituar disa lagje teksa ka theksuar se në mesin e qytetarëve ka zhgënjim me pushtetin aktual shkaku i mungesës së investimeve.
“Bashkë me njerëzit e këtyre lagjeve folëm hapur për problemet që i preokupojnë çdo ditë - mungesën e investimeve, rrugët e lëna pas dore, mungesën e kujdesit komunal dhe zhgënjimin e thellë nga pushteti aktual që vetëm ka premtuar e asgjë nuk ka sjellë. Qytetarët na dhanë një mesazh të qartë që ‘Mjaft është mjaft, Gjilani meriton shumë më shumë’. Është koha për llogaridhënie, për përgjegjësi dhe për projektin e Gjilanit të ri që u shërben vetëm qytetarëve të vet”, ka thënë Ismajli.
E më Suharekë, kandidati për kryetar komune, Fatmir Ademaj, ka premtuar subvencion prej 5 centësh për çdo litër qumësht të dorëzuar nga fermerët.
