Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 21-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?

Agjenda e Partisë Demokratike të Kosovës për ditën e premte:

1. Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me të rinjtë e Komunës së Skenderajt. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Vendi: Qendra e kompetencës
Koha: 16:30

2. Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me gratë e Komunës së Klinës. E pranishme do të jetë edhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.

Vendi: Qendra e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”
Koha: 17:00

3. Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me të rinjtë e Komunës së Vushtrrisë. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Vendi: Mondo Caffe
Koha: 17:30

4. Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me rinjtë e Komunës së Prishtinës. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Vendi: Menza “Ramiz Sadiku”
Koha: 20: 00

5. Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Malishevë mban konferencë për media.

Vendi: Zyra e Degës së PDK-së në Malishevë, rr. Gjergj Kastrioti, përballë parkut
Koha: 11:00

Agjenda e LDK-së:

Lidhja Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor në Suharekë (Shtëpia e Kulturës “Ukë Bytyçi”, ora 19:00)

Haradinaj: E kam ndërruar adresën e votimit, për ta përkrahur Ramosajn në Deçan

3 min. më parë / 3 tet 2025 21:09 Nga: Arianita Hoti
Ramush Haradinaj

Intensitetin më të lartë të fushatës elektorale, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka vazhduar të premten në Dukagjin.

Kandidati Ali Berisha, i cili synon të rikthehet si kryetar i Pejës, ka thënë se në këtë komunë projektet kanë ngecur prej më shumë se një dekade. Ai ka kritikuar pushtetin aktual në nivel lokal dhe ka thënë se Peja ka mbetur prapa në zhvillim krahasuar me komunat e tjera.

“O gjynah çka o ka ndodhë në qytetin tonë. Një projekt i nisur para 14 vjetësh ende s’është kryer. Qytetet tjera brenda dy vjetësh e rregullojnë shtratin e lumit me kapacitetet e veta. Çfarë kapaciteti ka Peja që nuk është në gjendje me përfundu një punë të tillë? Shihni edhe ndërtesat e reja në korzo, çfarë standardi është ky? Kësaj qeverisjeje i ka ardh fundi. Më 12 tetor, ndryshimi në Pejë do të ndodhë”, ka theksuar Berisha.

Fushatë për Berishën ka bërë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se Berisha në kohë të zorshme, ka shpëtuar edhe jetë si mjek.

“Unë nuk e them pahiri. E di që në kohë të zorshme Ali Berisha ka shpëtu jetë dhe na ka dhënë guxim. Në procese politike ka qenë afër nesh, kurrë s’ka kërku pozita. Por një herë kur ia keni dhënë besimin në Pejë, ai atë besim e ka kthyer me punë. Edhe atëherë nuk kanë qenë shumë të bindur njerëzit që po fiton, por fitoi – dhe shumë punë u bënë”, ka theksuar Haradinaj.

Në Prishtinë, kandidati i AAK-së për kryetar, Bekë Berisha, e ka përqendruar fushatën parazgjedhore në fushën e sigurisë së fëmijëve, të cilën e ka kualifikuar si prioritet.

“Zgjidhje reale, të mundshme dhe të menjëhershme për problemet që na shqetësojnë çdo ditë, veçanërisht për sigurinë e fëmijëve, e cila mbetet një nga prioritetet kryesore të tij”, është thënë në faqen në Facebook të Berishës.

E, në Deçan, kryetari aktual dhe kandidati për edhe një mandat të ri, Bashkim Ramosaj, gjatë një takimi me gratë u është përgjigjur kritikave që “po tentojnë ta paraqesin një imazh të rremë për këtë komunë”.

“Që mos me e paraqit Deçanin si një vend fanatik, ku gratë nuk guxojnë të dalin, është rrenë. Kjo përpjekje për ta shfaqur si vend të vrazhdë e të egër është po ashtu rrenë. Ky është vendi me virtytet më të mëdha në krejt Kosovën, me njerëz bujarë e solidarë që kanë sakrifikuar për vendin”, ka thënë Ramosaj.

Në përkrahje të Ramosajt ka dalë edhe Haradinaj, i cili ka thënë se sivjet është regjistruar për të votuar në Deçan.

Në Viti, kandidati për kryetar komune, Labinot Bislimi, fushatën e përqendroi kundër rivalit të tij nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Arsim Ademi, për të cilit ka thënë se ka dorëzuar padi në gjykatë pas publikimit të një sondazhi. Këtë sondazh, ai e ka kualifikuar si përpjekje për manipulim me opinionin publik dhe për cenim të procesin demokratik.

E kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, që e synon edhe një mandat, është zotuar për investime në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

“Premtova mbështetje të plotë dhe bashkëpunim për zhvillimin e aktiviteteve blegtorale e bujqësore. Komuna e Rahovecit do të vazhdojë të jetë pranë bujkut, punëtorit dhe qytetarit”, ka theksuar Latifi, pas takimit me blegtorë të kësaj komune.

Në një takim me qytetarë dhe me mbështetës të mbajtur të premten, kandidati i AAK-së për kryetar të komunës së Istogut, Ukë Blakaj, ka kërkuar mobilizim të tyre për ndryshim. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shohin ditën e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit si fillimin e një rruge të re për komunën.

E, në kuadër të fushatës të së premtes, kandidatja për kryetare komune në Fushë Kosovë, Vildane Latifi, ka pasur takime me pronarë të bizneseve të vogla. Përfaqësuesve të këtyre bizneseve ajo u ka premtuar mbështetje për zgjerimin dhe zhvillimin e veprimtarive.

Ismaili zotohet për rregullim të vendparkingjeve për taksitë e ndalim të taksive ilegale

5 o. më parë / 3 tet 2025 15:29
Uran Ismaili

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës Uran Ismaili, është zotuar se do të bëjë rregullimin e vendparkingjeve për taksitë dhe ndalimin e taksive ilegale. 

Ai këto premtime i ka dhënë në një takim që e ka zhvilluar me përfaqësues të shoqatës së taksistëve të Prishtinës. 

“Në takim me përfaqësues të shoqatës së taksistëve të Prishtinës u zotova për rregullimin e vendparkingjeve për taksi në qytet, ndalimin e taksive ilegale dhe nga qytetet e tjera, dhe zhbllokimin e trafikut brenda 18 muajsh, me 60 semafora shtesë, dhe qendër moderne për menaxhimin e trafikut”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Abdixhiku: Mercenarët e kanë vënë LDK-në dhe kandidatët e saj në tabelë qitjeje

6 o. më parë / 3 tet 2025 14:14
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se LDK-ja dhe kandidatët e saj për kryetar të komunave janë shndërruar në tabelë qitjeje në fushatën zgjedhore. 

“12 tetori do të vijë si përgjigjja më e fortë dhe më e qartë për të gjithë ata mercenarë që kanë vënë LDK-në dhe kandidatët tanë në tabelë qitjeje në këtë fushatë. Le të shajnë. Le të ofendojnë. Kaq dinë, kaq bëjnë. Nuk kemi kohë për ta”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Moçalin e madh të pështymave të mbrëmjes, LDK, sikurse dhe populli i Kosovës, ka vendosur ta injorojë. Kemi zgjedhur një rrugë tjetër: të ecim me qytetarë, me njerëzit e ndershëm e të punës dhe përpjekjes; dhe me ta bashkë, të bëjmë fitoren e vjeshtës si nisje të shpresës”, ka shtuar tutje ai.

Çeku viziton lagjen “Medrese”: Dëshmi për domosdoshmërinë e ndryshimit

7 o. më parë / 3 tet 2025 13:59
Hajrulla Çeku

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës Hajrulla Çeku ka thënë zhvilluar një vizitë në lagjen “Medrese”. 

Ai ka thënë se ajo është një tjetër dëshmi për domosdoshmërinë e ndryshimit. 

“Në lagjen Medrese, në takime me qytetarë dhe biznese, pamë nga afër sfidat e tyre: mungesën e ndriçimit, kanalizimit, këndeve të lojërave, si dhe vështirësitë e prodhuesve e zejtarëve pa mbështetje”, ka shkruar Çeku. 

Ai ka thënë se platforma e tyre parasheh një Prishtinë të barabartë, ku  sipas tij, askush nuk mbetet prapa. 

“Investimet do të shkojnë aty ku mungojnë shërbimet bazike për jetesë, jo si deri tash vetëm në qendër e sheshe. Asnjë qytetar dhe asnjë lagje nuk do të diskriminohet”, ka shkruar Çeku.