Zgjedhjet lokale

Selmanaj premton ujë për Prizrenin e Rama vazhdim të ndërtimit me plan

LDk - Prizren

Në Prizren, kandidati i Lidhjes Demokratike, Driton Selmanaj, gjatë tubimit qendror të partisë, të dielën, ka premtuar furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për qytetarët, duke thënë se janë identifikuar burimet që do ta bëjnë të mundur këtë. Ai ka shtuar se do të nisë projektin e Unazës së Madhe të qytetit, investim prej 210 milionë eurosh, por nuk është zotuar se do ta përfundojë brenda katër viteve. 

“Lagjja e Nënkalasë dhe Lagjja e Korillës të jenë unike për nga unikaliteti i vet arkitektonik dhe historik që kanë. Me rrugë të njëjta, dyer të njëjta, dritare të njëjta, pullaze të njëjta, fasada të njëjta dhe jemi të bindur që më pas këto dy lagje do të jenë qendra të absorbimit të turistëve të huaj”, ka thënë Selmanaj.

Ai ka përmendur edhe ndërtimin e pesë parkingjeve nëntokësore me gjithsej 2390 vende, si dhe projektin e pendës në Vërmicë. Në fushën e arsimit, ka thënë se do të nisë mësimin gjithëditor nëpër shkolla.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga Prizreni ka kritikuar qeverisjen aktuale lokale, duke e cilësuar qytetin të lënë pas dore.

“Prizreni sot nuk ka asnjë projekt madhor me të cilin identifikohet, qyteti është lënë në duar të propagandës dhe jo të punës, rinia është lënë pa perspektivë, bizneset pa mbështetje, kultura pa investime e familjet pa asnjë shtytje dhe kjo është padrejtësi e madhe ndaj një qyteti të madh sikurse Prizreni”, ka deklaruar Abdixhiku.

Në Prishtinë kryetari aktual Përparim Rama, që kandidon për mandatin e dytë, ka thënë se zhvillimi i lagjeve është bërë sipas planeve strategjike urbane, duke rikthyer sipas tij, rregullin dhe jetën moderne në kryeqytet. 

“Për herë të parë në kryeqytet, lagjet që deri dje u ndërtuan pa asnjë plan, tash po marrin formë. Densiteti, funksionet, programi, vizioni, rrugët, kanalizimi, ndriçimi e shenjëzimi krejt sipas planeve strategjike urbane. Me projektin e rigjenerimit urban po u kthejmë integritetin qytetarëve, e rregullin edhe jetën moderne në dy prej lagjeve më të mëdha të Prishtinës, në Kolovicë dhe në Kodrën e Trimave”, ka thënë Rama.

Ai ka thënë se është restauruar edhe Sahat Kulla, që pas dekadash ka filluar sërish të punojë.

“Pas dekadash heshtjeje, mekanizmi i Sahat Kullës u restaurua dhe ora e qytetit filloi të rrahë sërish, duke rikthyer një pjesë të shpirtit të Prishtinës. Me ndriçimin e saj modern, Kulla nuk është më vetëm monument i historisë, por është bërë një nga pikat më të bukura dhe më të dukshme të qytetit natën”, ka theksuar ai. 

Në Junik kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të dytë, Ruzhdi Shehu, është shprehur krenar me investimin në rrugën Junik-Gjeravicë, që sipas tij ka nxitur ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të komunës.

“Një nga projektet që ka ndërruar kahen zhvillimore të Junikut përgjithmonë, asfaltimi i rrugës së bjeshkës Junik-Gjeravicë që ka shumën totale afër 5 milionë euro dhe është investimi më i madh kapital në komunën tonë. Bjeshkët e Junikut, të njohura për bukuritë e tyre natyrore dhe mundësitë për ecje dhe aventurë, sot janë më të qasshme dhe më të vizituara se kurrë më parë. Rritja e numrit të turistëve dhe zhvillimi ekonomik janë shenjat e para të këtij investimi që ajo zonë veçse ka filluar t’i vërejë”, ka deklaruar Shehu.

Në Suharekë, Ardian Shala ka prezantuar planin e tij për turizmin rural, duke theksuar se projekti “Bjeshka dhe Qyteti” do të krijojnë mundësi për zhvillimin e bujtinave dhe promovimin e produkteve vendore.

“Një pjesë tjetër të zhvillimit e kemi paraparë në kuadër të projektit ‘Bjeshka dhe Qyteti’, që nënkupton se e gjithë kjo zonë me produktet e veta që do t’i prodhojnë do e kenë mundësinë t’i plasojnë në treg ato. Kanë mundësi njerëzit të krijojnë bujtina, ku njerëzit shkojnë, pushojnë, paguajnë dhe përfitimet ndalen direkt te familjet tona. Çdo qytetar i Suharekës do ta shijojë dorën e komunës, dorën e shtetit që është duke i ndihmuar”, ka thënë Shala.
 

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 16-të e fushatës

Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 16-të të fushatës...