Zgjedhjet lokale

Selmanaj premton furnizim me ujë për biznese në Prizren

Driton Selmanaj

Kryetarë të komunave që udhëhiqen nga Lidhja Demokratike (LDK), në ditën e 22-të të fushatës për zgjedhjet lokale, kanë promovuar projektet e realizuara, teksa pretendentët për udhëheqje lokale kanë shpalosur zotime për mandatet që i synojnë.

Në Prishtinë, Përparim Rama e ka prezantuar projektin e transformimit të parkingut përballë Bankës Qendrore të Kosovës, në park për qytetarë.

“Jemi këtu përballë BQK-së, në parkun tash të mrekullueshëm që ka qenë parking përpara. Është bërë një punë e mirë, tash edhe fëmijët, edhe të gjithë qytetarët mund të kalojnë kohë të mirë këtu përkundër faktit që është ftoftë”, ka thënë Rama.

Në Podujevë, kandidati Ekrem Hyseni u ka premtuar grave të komunës se gjatë mandatit të tij do të jenë në qendër të vëmendjes së qeverisjes.

“Rrugëtimi historik i vendit tonë por edhe i femrës në përgjithësi ka treguar që shtyllë në familje ka qenë e edhe heroinë, gruaja”, u shpreh Hyseni.

Takim me gratë zhvilloi edhe Besnik Osmani, kandidat për kryetar të Fushë Kosovës. Ai tha se programi i tij ka synim të garantojë të drejta të barabarta dhe mbështetje për gratë.

“Në programin tonë kemi synim të qartë: të drejta të barabarta, më shumë mundësi dhe mbështetje konkrete për gratë. Zëri i grave duhet të dëgjohet dhe të ketë ndikim në zhvillimin e Fushë-Kosovës që duam”, ka theksuar Osmani.

Ndërkaq, Arbër Ismajli, që e synon postin e kryetarit në Gjilan, u ka premtuar qytetarëve të Zhegrës furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm e asfaltim të rrugëve, teksa në lagjen “Dheu i Bardhë” është zotuar të ndërtojë çerdhe, udhëkryq si dhe të sigurojë transport për nxënësit.

“Investimi në çerdhe në zonën e planifikuar, ndërtimi i udhëkryqit në qarkore dhe rishikimi i një zgjidhjeje të qëndrueshme që lidhet me lagjen Poredin dhe sigurimi i transportit për nxënësit nga lagjja Poredin deri tek shkolla fillore”, ka thënë Ismajli.

Furnizim 24 orë në ditë me ujë të pijshëm e infrastrukturë moderne për zona ekonomike u ka premtuar bizneseve në Prizren, kandidati për kryetar, Driton Selmanaj.

“Komuna ua merr paratë për taksat e tyre, por ndërkohë nuk ua kthen fare atyre me shërbime. E tërë kjo zonë që është një hapësirë bukur e madhe, nuk kanë madje as kanalizim dhe rrjedh të ujit të pijshëm. E rënd, e pa pranueshme. Me qeverisjen time, kjo çështje do t’i takojë së kaluarës. Tërë kjo pjesë do të ketë kanalizim, do të ketë 24 orë ujë të pijshëm”, ka deklaruar Selmanaj.

E, në Istog, kandidati Ilir Ferati është zotuar që në rast se e siguron udhëheqjen e komunës, prioritet do t’i ketë arsimin, rininë, ekonominë dhe zhvillimin rural, e të tjera.

“Me vizionin tonë, ekonomia, turizmi dhe bujqësia janë motorët e zhvillimit të qëndrueshëm. Zhvillimi rural dhe turizmi malor janë prioritetet tona më të mëdha. Digjitalizimi është pjesë thelbësore e reformës modern të qeverisjes lokale ku synojmë ta shndërrojmë Istogun në një komunë të mençur, efikase dhe të përqendruar të qytetari”, u shpreh Ferati.

Në Junik, kandidati Ruzhdi Shehu ka bërë thirrje për mobilizim të mërgatës, duke theksuar se vota e tyre në zgjedhjet e 12 tetorit është vendimtare për fitoren, sipas tij, pa balotazh.

“Mërgata është gjysma e zemrës së Junikut prandaj vota juaj është e domosdoshme për të vendosur mbi fatin e Junikut në 4 vitet e ardhshme.  Lusim të gjithë mërgimtarët që ende nuk kanë votuar të shfrytëzojnë votën e tyre. Vetëm në këtë mënyrë ju mund të konfirmoni fitoren tonë më 12 tetor pa balotazh”, ka theksuar Shehu.

Ndërkaq, kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës, Gëzim Plakolli, ka zhvilluar takime me banorët e lagjes së Bairit, ku diskutuan për sfidat dhe nevojat e përditshme të komunitetit. 

Edhe kandidatë të që synojnë pushtetin në komuna tjera kanë vazhduar fushatën, duke prezantuar projektet para qytetarëve.
 

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 22-të e fushatës