Zgjedhjet lokale

Osmani i kërkon Radoniqit mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor nga ndërhyrjet e Serbisë

Presidentja Osmani priti në takim Kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi

Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, që të angazhohen për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, përballë ndërhyrjeve të Serbisë.

Në një komunikatë për media të enjten nga Presidenca, është bërë e ditur se Osmani në takim me Radoniqin ka vënë theksin e veçantë te ndërhyrjet që po i bën Serbia direkt në zgjedhjet lokale. Osmani ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të dënojnë aktet që cenojnë vullnetin e qytetarëve.

“Në këtë takim, Presidentja Osmani vuri theks të veçantë tek ndërhyrjet e drejtpërdrejta që po bën Serbia në zgjedhjet lokale, një dukuri e përsëritur ndër vite, e cila po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës. Me këtë rast, Presidentja dënoi ashpër ndërhyrjet e Beogradit zyrtar, duke bërë thirrje për angazhim të plotë në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor. Ajo gjithashtu u bëri apel të gjithë akterëve politikë dhe institucionalë, si dhe atyre ndërkombëtarë, që të kontribuojnë në mbrojtjen e votës së lirë dhe të dënojnë çdo akt të jashtëligjshëm që cenon vullnetin demokratik të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Një javë para zgjedhjeve lokale, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka premtuar serbëve të Kosovës vende të tjera pune në sektorin e shëndetësisë, që funksionon si sistem paralel.

Në një emision në kanalin pro-qeveritar Pink, Vuçiqi tha se do t’i hapë 400 vende të reja pune si përkrahje për serbët e Kosovës.