Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hapet thirrja për kuponët e kopshteve, përfshihen 18 komuna

Cerdhe

Foto: Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ka hapur thirrjen për aplikim në Programin e kuponëve për kopshte për familjet përfituese të Skemës së asistencës sociale që kanë fëmijë të moshës 3-6 vjeç. 

Në njoftimin e MASH-it thuhet se thirrja vlen për familjet që banojnë në Vushtrri, Gjilan, Prishtinë, Pejë, Drenas, Lipjan, Ferizaj, Shtime, Viti, Fushë-Kosovë, Suharekë, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Klinë, Prizren, Obiliq dhe Podujevë.

Në njoftim thuhet se programi mundëson vijimin e edukimit në kopshte private dhe publiko-private të licencuara, sipas zgjedhjes së familjes, me pagesë të mbuluar plotësisht dhe pa kosto për prindërit. 

Mbështetja mbulon të gjithë ciklin e edukimit në fëmijërinë e hershme, sipas kushteve të programit. Për fëmijët që banojnë larg kopshtit të përzgjedhur, parashihet edhe mbështetje për transport, aty ku plotësohen kriteret e thirrjes. 

Familja duhet të jetë përfituese e asistencës sociale, ndërsa fëmija duhet të plotësojë kriterin e moshës dhe të ketë vendbanimin në komunën ku aplikon për të vijuar kopshtin. 

Aplikimi mund të bëhet edhe para se fëmija të ketë mbushur moshën 3 apo 6 vjeç, duke filluar nga 2 vjeç e 6 muaj deri në moshën 5 vjeç e 6 muaj. 

Me kusht që vijimin në kopsht ta nis në moshën 3-vjeçare dhe ta përfundoj kur fëmija fillon edukimin e detyrueshëm parafillor apo fillor në një institucion publik arsimor.

“Pjesëmarrja në Programin e Kuponëve nuk ndikon në përfitimet nga Skema e Asistencës Sociale. Familjet që tashmë përfitojnë nga programi dhe familjet që kanë përfituar nga ky program gjatë vitit shkollor 2025/26, fëmijët e të cilëve tani i takojnë grupmoshës 5-6 vjeç dhe që nuk kanë filluar edukimin e detyrueshëm parafillor në një institucion publik arsimor, duhet të riaplikojnë për vazhdimin e mbështetjes”, thuhet në njoftim. 

Afati për aplikim është i hapur deri më 10 dhjetor të këtij viti.