Kandidatët e Partisë Demokratike për kryetar komunash, në ditën e dytë të fushatës, vëmendjen e patën nga protesta në Hagë. Petrit Hajdari, që kandidon për kryetar të Drenasit, qe i pranishëm në protestën para Gjykatës Speciale. Ai gjatë ditës shpërndau fotografi nga protesta e aktivitetet elektorale i pezulloi. E mbështetje nga Kosova, protestës i dhanë edhe Uran Ismaili, Ferit Idrizi, Arian Tahiri, Shaqir Totaj e të tjerë. Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka shpërndarë në Facebook një video nga tubimi hapës e aty mori edhe mbështetjen e kryetarit aktual Bedri Hamza. Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, dha premtimin për fillimin e një pilotprojekti për mësim gjithëditor në shkollat e klasave të ciklit të ulët.
“Nuk kam ardhur nga larg, jam rritur në Mitrovicën në zemër. Jam ai që përshëndetet me të gjithë, që ndalet në kafene, që flet me njerëzit pa barriera, pa protokoll, pa maska. Mitrovica nuk ka nevojë për liderë që shohin nga larg”, tha Tahiri
“Programi fillon si pilot në tri shkolla, një në qendër dhe dy në zonat rurale, duke u bërë shembull për një arsim më të mirë në gjithë vendin me mundësi zgjerimi edhe në shkolla tjera. Ky është një hap i madh drejt një të ardhmeje më të ndritur për fëmijët tanë, sepse çdo ditë shkollore është një mundësi e re për rritje dhe ëndrra të realizuara”, tha Buja.